Shteti i Kosovës është treguar shumëfish i mëshirshëm për një njeri që ka nis në dëmtimin e buxhetit publik prej 6.4 milionë eurove. Fisnik Blakaj është njëri prej organizatorëve dhe ekzekutuesve të vjedhjes së 1.4 milion eurove të parave të pasaportave. Si pasojë e këtij skandali, Kosova duhet ta dëmshpërblejë me 5 milion euro tjera kompaninë austriake. Dëmi në total pos atij politik, arrin vlerën në 6.4 milion euro. Por, Blakaj që shumicën e dënimit prej 6 vjetësh e ka kaluar në arrest shtëpiak, tashmë është i lirë.
Pjesëmarrësi kyç në vjedhjen e 1.4 milion eurove të shtetit, Fisnik Blakaj tashmë është i lirë. Me 11 vjet burgim e kishte dënuar atë shkalla e parë e Gjykatës.
Fiks 5 vjet ia ka hequr Gjykata e Apelit. Ndërkohë, një vit ia ka falur Paneli për Lirim me Kusht. Shumicën e dënimit të mbetur e ka kryer nga arresti shtëpiak.
Përfundimisht, Blakaj i dënuar si njëri prej organizatorëve të një skeme kriminale për vjedhjen e 1.4 milion eurove të pasaportave është liruar nga burgu.
Vendimi për lirim me kusht nga burgu është marrë më 14 shtator të këtij viti. Ai do të mbikëqyret një vit nga Shërbimi Sprovues, derisa të “pastrohet” nga veprimet kriminale.
Blakaj ishte akuzuar së bashku me Natali Velijajn si njëri që ka organizuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.
Velijaj, ndërkaq ishte dënuar më 12 vjet burgim nga shkalla e parë. Apeli ia kishte ulur dënimin në 8 vjet dhe 25 mijë euro gjobë.
Ergyn Dogani, është dënuar me pesë vjet. Imer Fazliu me dy vjet e gjysmë. Nazmi Thaçi një vit e gjysmë. Betim Blakaj është dënuar me një vit.
Të pafajshëm Gjykata e Apelit i kishte shpallur Jakup Blakqorin dhe Sefedin Shalën.
Velijaj dhe Fisnik Blakaj ishin dënuar sepse si themelues dhe drejtues të një grupi kriminal kishin përvetësuar 1.4 milion euro që sipas Gjykatës do të duhej të shkonin për kompaninë austriake, OeSD. Gati gjysma e këtyre parave janë gjetur.
Grupi kriminal i drejtuar nga Natali Velijaj, pronare e firmës Consulting Eu është vërtetuar se kanë planifikuar gjithçka për të përvetësuar paratë. Madje edhe disa firma ishin hapur pak ditë para vjedhjes së parave. 669 mijë euro nga shuma prej 104 milionë eurosh të përvetësuara, Velijaj, i kishte derdhur në llogaritë bankare të firmave “Pirro SH.P.K.”, “FIB OIL”, “Construction Beton”, “Qeramika”, “RON ING SHPK”.
Pronarët dhe menaxherët e këtyre firmave Nazmi Thaçi nga Kramoviku i Rahovecit, Sefedin Shala nga Duboviku i Deçanit, Imer Fazliu nga Bokshiqi i Klinës, Jakup Blakqori nga Letanci i Podujevës, Ergyn Dogani nga Prishtina janë dënuar si pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Natali Velijaj dhe Fisnik Blakaj.
Insajderi ka siguruar vendimin e Panelit për Lirim me Kusht. Në të thuhet se Fisnik Blakaj është risocializuar dhe nuk përbënë më rrezik për shoqërinë dhe “viktimën”. Viktimë në këtë rast ishte shteti i Kosovës.
“Aprovohet kërkesa për lirim me kusht e Fisnik Blakaj (1979). Fisnik BLAKAJ do të Iirohet me 14.9.2017 dhe do të jetë nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues te Kosovës deri me 14.11.2018”, thuhet në vendim.
Aty sqarohet se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore ne Prishtine të datës 18.12.2014 Fisnik Blakaj është shpallur fajtor për shkak veprës penale pastrim i parave i kryer në bashkëkryerje…, dhe është gjykuar me 11 vjet burgim. Ndërsa Gjykata e Apelit të Kosovës më 9 dhjetor 2016 e ka e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe e ka gjykuar me 6 vjet burgim.
“Me rastin e rishqyrtimit te kërkesës, Paneli për Lirim me Kusht ka shqyrtuar raportin përmbledhës të përpiluar nga ekipi profesionist i Shërbimit Korrektues te Kosovës…”. thuhet në vendim.
“Procesi i risocializimit sipas ekipit profesionist konsiderohet se në vazhdimësi ka rrjedhur në suaza të normales dhe njëherit ka arritur nivelin e duhur që ai në të ardhmen të jetë më i përmbajtur ndaj çdo veprimi”, konsideron Paneli për Lirim me Kusht.
Mbi këtë bazë, paneli pajtohet me konstatimin e Qendrës Korrektuese përkitazi me shkallën e risocializimit të personit të dënuar duke marrë parasysh edhe faktin se i dënuari nuk ka ndonjë masë disiplinore të shqiptuar, planifikimi i dënimit ka rrjedhur sipas programeve të caktuara, ka shfrytëzuar privilegjet që aplikohen në institucion korrektues.
“Por gjithashtu edhe koha e mbetur në përpjesëtim me kohën e vuajtur ngase ky person ka vuajtur më shumë se 2/3 e dënimit të shqiptuar, si dhe premtimi i dhënë zyrtarit të Shërbimit Sprovues të Kosovës se do të bashkëpunojë me këtë shërbim deri në përfundimin e mbikëqyrjes se lirimit me kusht.
“Këto janë rrethana për të cilat konsiderohet se është arritur qëllimi i dënimit. Paneli konsideron se me një mbikëqyrje efikase i dënuari me lehtësi do të riintegrohet në familje dhe shoqëri”, konsideron Paneli.
Blakaj, një biznesmen mashtrues që ka dëmtuar shtetin bashkë me të tjerët me mbi 1.4 milion euro, është njëri prej njerëzve që ka udhëhequr një grup kriminal.
Pos, shteti me veprimet e tij dhe të grupit është dëmtuar edhe në Arbitrazh. Kompanisë austriake OeSD duhet t’i paguhen edhe 5 milion euro dëmshpërblim.
Në aktgjykimin e Gjykatës, thuhet se Blakaj që nga 13 dhjetori 2011 deri më 3 gusht 2012 Natali Velijaj ka marrë pagesa që arrijnë shumën prej 3,361, 283. 25 euro nga Ministria e Punëve të Brendshme në llogarinë e saj bankare të cilat ishin të destinuara për palën e dëmtuar në këtë rast OeSD. 1, 941, 028. 12 euro nga kjo shumë për OeSD, ka tërhequr 648, 553, 87 euro në para të gatshme dhe pjesën tjetër e mbetur ia ka transferuar pranuesve të ndryshëm. Në veçanti kompanisë së ndërtimit ‘Beton’, ‘Pirro’, ‘Qeramika’ dhe ‘PRO ING’ transferoi u transferoi 669,000 eurove./Insajderi.com