fbpx

Shteti në shërbim të të dyshuarve – Lushtakun e Mustafën i “punëson” në Kuvend dhe MPJ

Thuajse gjithë aparati shtetëror përfshirë paraja publike janë vënë në shërbim të të dyshuarve të Gjykatës Speciale. Në këtë funksion, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, kanë udhëtuar drejtë Hagës si të punësuar të dy institucioneve të Kosovës. Lushtaku, ka udhëtuar si zyrtar i Kuvendit të Kosovës, e Rrustem Mustafa, si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Shteti në shërbim të të dyshuarve – Lushtakun e Mustafën i “punëson” në Kuvend dhe MPJ

 

Shteti i Kosovës ka shkelur ligjet e veta për një udhëtim sa më komod të dy të dyshuarve të Speciales, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa.

Pos heqjes së të gjitha shpenzimeve, përfshirë pagesat e avokatëve të huaj, Lushtaku e Mustafa, janë pajisur kanë udhëtuar si persona VIP nga Aeroporti i Prishtinës, drejtë Hagës për të dhënë llogari për krime të ndryshme të luftës dhe pasluftës.

Përveç kësaj, Lushtaku e Mustafa janë “punësuar” në dy institucione të Republikës së Kosovës.

Sami Lushtaku, figuron si zyrtar i Kuvendit të Kosovës, e Rrustem Mustafa si pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Zyrtarisht, të dy janë të papunë.

Insajderi, ka siguruar një dokument të Aeroportit “Adem Jashari”, i cili sqaron statusin e udhëtareve.

Në dokument shkruan se Sami Lushtaku, Milaim Zeka dhe Mergim Lushtaku, kanë udhëtuar si persona “VIP” dhe pjesë e Kuvendit të Kosovës. Kanë udhëtuar me kompaninë gjermane të fluturimeve “Germania”.

Me të njëjtat privilegje dhe status ka udhëtuar edhe Rrustem Mustafa. Ai figuron si staf i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Mustafa, ka udhëtuar me kompaninë sllovene “Adria”.

Me të njëjtin aeroplan me Lushtakun, nga Prishtina atë ditë ka fluturuar edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me të njëjtat privilegje dhe trajtim sikurse të dyshuarit e Speciales.

Kësisoj, shteti po keqpërdoret skajshmërisht duke ju krijuar privilegje e trajtim të dyshuarve për krime të ndryshme – përfshirë krimet kundër njerëzimit, duke i listuar si zyrtarë të saj.

Lushtaku e Mustafa, kanë udhëtuar në Hagë për t’u marrë në pyetje për krimet që ka mandat të gjykimit Gjykata Speciale.

Shef i Zyrës për mbrojtjen e të akuzuarve në Ministrinë e Drejtësisë, Driton Lajçi, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Insajderit.

Për rastin e Rrustem Mustafa, sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fitim Sadiku pati këtë shpejgim.

“Ne si MPJ vetëm kemi kërkuar që me rastin e udhëtimit të tij t`i mundësohet VIP kalimi”, tha Sadiku.

Në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se, Sami Lushtaku nuk është pjesë e Kuvendit.

Sekretari, Ismet Krasniqi, ka thënë në një përgjigje me shkrim se nuk e di pse Lushtaku është listuar si staf i Kuvendit.

“Nuk jam në dijeni. Për informacionin e tuaj, Kuvendi I Kosovës për krijimin mundësive për qasje në zonën VIP në Aeroportin e Prishtinës, paraprakisht duhet të pranojë kërkesë me shkrim”, ka thënë ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka nisur zyrtarisht punën në selinë e saj në Hagë të hënën, kur intervistoi ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën – Remin. Ish-udhëheqësi i luftës në Zonën Operative të Llapit u intervistua për mbi 14 orë gjatë të hënës dhe të martës.

Pas përfundimit të intervistimit të martën, Mustafa deklaroi se ishte i intervistuar si “dëshmitar i dyshuar”.

“Isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Ka qenë intervistë e gjatë, sot përpunoi. Pyetjet ishin shumë serioz dhe unë isha shumë serioz”, u shpreh Mustafa, në një prononcim për media pas përfundimit të intervistimit të tij në selinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndërkaq, të mërkurën (sot) në Hagë ka nisur intervistimi i ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Lushtaku, para se të nisej për në Hagë, kishte thënë se nuk e di se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim.

Ndërkohë, nga shuma prej 1.5 milion eurosh e ndarë nga shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, janë shpenzuar rreth gjysmë milioni euro.

“Për Programin Mbrojtja Juridike dhe Mbështetja Financiare e Personave të Akuzuar Potencialë nga Dhomat e Specializuara, me Ligjin nr. 06/L-020 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, në kategorinë 020 Transfere dhe Subvencione janë miratuar 1.500.000,00 euro. Nga kjo shumë e planifikuar në vitin 2018 janë shpenzuar 466.309,41 euro për zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe marrjen e këshillave juridike për formën e adresimit të obligimeve të Republikës së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special”, thuhet në një përgjigje të shkruar që Ministria e Drejtësisë që i ka dhënë gazetës “Koha Ditore”. /Insajderi.com