Ligji për faljen e borxheve i sponzorizuar nga Qeveria e drejtuar nga Mustafa e Thaçi po i mundëson përfitime të mëdha biznesmenit Bedri Selmani, pronarit të "Kosova Petrol". Selmani ka qenë deputet i PDK-së dhe këshilltar i Thaçit.
Insajderi.com ka zbuluar se kompania “Kosova Petrol“, ka mbi 821 mijë euro borxhe ndaj Administratës Tatimore.
Por kompania në pronësi të Bedri Selmanit, ish-këshilltarit të Thaçit në qeverisjen e përkohshme të pasluftës dhe ish-deputetit të PDK-së, pritet të përfitojë nga ligji për faljen e borxheve.
Ky ligj, i miratuar në shtator të vitit të kaluar, krijon hapësirë që kompanisë “Kosova Petrol“, t’i falen 608 mijë e 235 euro nga borxhi i tërësishëm që ka ndaj shtetit.
Dokumentet e Administratës Tatimore tregojnë detajet e borxheve të kompanisë “Kosova Petrol“, dhe mënyrën se si kjo kompani do të përfitojë faljen e borxhit prej mbi 608 mijë eurosh.
ATK ka krijuar dy lista të borxhlinjve. Lista e parë përfshin borxhlinjtë që nuk kanë kryer detyrimet nga viti 2000 deri më 2008. Ndërsa lista e dytë përfshin periudhën prej 2009 deri më 2014.
Në të dy listat figuron emri i kompanisë “Kosova Petrol“, që ka uzurpuar 25 pika karburantesh në pronësi shoqërore dhe ka operuar ilegalisht për katërmbëdhjetë vite.
Borxhi i kësaj kompanie i krijuar nga mos pagesa e tatimit bazë, gjatë periudhës 2000-2008, është në vlerë prej 66 mijë e 345 euro. Ndërsa vlera e ndëshkimeve të shqiptuara nga ATK-ja, gjatë kësaj periudhe tetëvjeçare, është në vlerë prej 41 mijë e 312 euro.
Shumëfish më e lartë është vlera e interesit që është krijuar nga mospagesa e tatimit. Peshon 458 mijë e 677 euro. Qindra mijëra euro borxhe kjo kompani nuk i ka shlyer edhe në periudhën 2009-2014.
Gjatë kësaj periudhe, bazuar në të dhënat e ATK-së, borxhi i “Kosova Petrol“, nga mos pagesa e tatimit bazë peshon 213 mijë e 572 euro. Ndëshkimet e shqiptuara gjatë kësaj periudhe nga Administrata Tatimore kapin vlerën e 27 mijë e 600 eurove.
Ndërsa vlera e interesit e krijuar nga mos pagesa e tatimit kap shifrën e 55 mijë e 572 eurove.
“Kosova Petrol“, bazuar në ligjin për falje, obligohet të paguajë vetëm shumën prej 213 mijë e 572 eurosh, të krijuar nga mos pagesa e tatimit bazë gjatë periudhës 2009-2014.
Pagesa e kësaj shume nënkupton fshirjen në mënyrë automatike të pjesës tjetër të borxhit në vlerë prej 608 mijë e 235 eurosh, të krijuar nga mos pagesa e tatimeve, ndëshkimeve e interesit prej vitit 2000 e deri më 2014.
Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e Insajderi.com se pse shteti nuk inkasoi borxhin e “Kosova Petrol“, por lejoi që të grumbullohet deri në qindra mijëra euro.
Përgjigje nuk dha edhe kompania “Kosova Petrol“, ndonëse Insajderi.com i dërgoi pyetje pronarit Bedri Selmanit dhe vajzës së tij, Leonora Selmanit, që mban pozitën e drejtoreshës ekzekutive.