Skandali i Besian Mustafës – amniston dhe e merre në miting zyrtarin e akuzuar të Ministrisë së Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa me të marr pozitën e re kishte filluar menjëherë me suspendime. Por njërin nga zyrtarët e këtij dikasteri i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ministri Mustafa e ka amnistuar atë nga suspendime dhe e merr me vete në miting të fushatës zgjedhore në Podujevë.

Skandali i Besian Mustafës – amniston dhe e merre në miting zyrtarin e akuzuar të Ministrisë së Bujqësisë

Shefki Zeqiri, i akuzuar për ‘keqpërdorim të pozitës zyrtare’ në Ministrin e Bujqësisë është zyrtari që i ka shpëtuar fshesës së suspendimeve të ministrit të ri, Besian Mustafa, kanë thënë burime të Gazetës Insajderi.

Zeqiri është i afërt me partin nga e cila vjen edhe ministri Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Në hapjen e fushatës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës, Zeqiri ka qenë prezent, në përkrahje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Nexhmi Rudarit së bashku me ministrin, Besian Mustafa.

Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje ministrit Mustafa dhe sekretares së ministrisë, për mos suspendim të Shefki Zeqiri si zyrtarët tjerë të akuzuar për veprën, keqpërdorim te pozitës zyrtare.

Me të marr mandatin e ministrit, Mustafa kishte pezulluar dynga njerëzit kryesor të këtij dikasteri. Sekretarin e Përgjithshëm, Kapllan Halimin dhe kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokajn.

Prokuroria Speciale e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Nenad Rikallos, ish-ministër i Bujqësisë, Kapllan Halimit, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ndaj 6 zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjogjaj, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindor Krasniqi dhe Albana Zeqiri, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR. /Insajderi.com