Insajder.com ka zbuluar se ko" />

Skandali i Policisë – afro 700 mijë euro për gruan e dilerit të “korruptuar”

Policia e Kosovës ia ka dhënë dy tenderë bashkëshortes së një biznesmeni i cili akuzohet se mashtroi Policinë në disa tenderë. Vlera e tenderëve të fituar është rreth 700 mijë euro. Policia arsyetohet se kompania i plotësoi kushtet.

Skandali i Policisë – afro 700 mijë euro për gruan e dilerit të “korruptuar”

Gruaja e biznesmenit që akuzohet se mashtroi Policinë e Kosovës për miliona euro, ka fituar tender mbi 700 mijë euro nga ky institucion.

Insajder.com ka zbuluar se kompania “Sodex Group”, që figuron në pronësi të Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, ka fituar dy tenderë nga Policia e Kosovës. Njërin e ka fituar në dhjetor të vitit të kaluar për furnizim me maska që peshon mbi 60 mijë euro dhe tjetrin në janar të këtij viti për furnizim me pajisje policore në vlerë prej 620 mijë eurosh.

Kompania Friends ku bashkëshorti i saj ka rol udhëheqës e ka të ndaluar të fitojë tenderë publikë për shkak të mashtrimeve që ka bërë në të kaluarën.

Autoritetet policore kanë një histori të gjatë të përfshirjes në afera të dyshimta me firmat e këtyre dy biznesmenëve, Armend Selimi e Astrit Pira.

Pira dhe Selimi ishin arrestuar në tetor të vitit 2011 nën dyshimin për korrupsion në tenderin e furnizimit me armë. Prokuroria Speciale në janar të vitit 2015 ngriti aktakuzë ndaj tyre dhe dy zyrtarëve policorë dhe një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në maj të vitit 2015 aktakuza u hodh poshtë me arsyetimin se Prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit dhe se aktakuza ishte ngritur pas afatit dy vjeçar.

Përveç hetimeve në aferën e njohur si skandali i armëve autoritetet policore kanë pasur edhe probleme tjera me tandemin Selimi-Pira.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin e publikuar më 2012 kishte konkluduar se tenderi për furnizim me autoblinda ishte i kurdisur.

Fitues i tenderit ishte kompania N.T.P Friends që është në pronësi të Armend Selimit. Afro 700 mijë euro kishte përfituar kjo kompani nga ky tender në korrik të vitit 2011.

Person kontaktues në tenderin e fituar nga kjo kompani ishte Zaide Osmani. Por Gazeta Jeta në Kosovë më 2011 pati zbuluar se Zaide Osmani në fakt është e regjistruar në listën e zgjedhjeve si Zaide Pira dhe se është bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira.

http://kallxo.com/gjnk/dileret-e-korruptuar-te-armeve-me-rrjet-te-kompanive/

Tri firmat, Jolix, Friends dhe Amici, të drejtuara nga Pira dhe Selimi nga viti 2007 deri më 2011 kanë fituar kontrata në vlerë 6.2 milionë euro nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Mbi 1 milionë euro kanë përfituar vetëm nga Policia e Kosovës.

Njëra prej tyre, kompania NTP Friends, tashmë e ka të ndaluar që të fitojë nga kontratat publike.

Organi Shqyrtues i Prokurimit më 18 shkurt 2015 i ndaloi kësaj kompanie pjesëmarrjen në tenderë publikë.

Konkuldoi se në qershor të vitit kjo kompani dorëzoi në Ministrinë e Shëndetësisë dokumente të falsifikuara kur iu kërkua dëshmi për cilësinë e mallit.

Kompania kishte konkurruar në tenderin për furnizim me material shpenzues dhe pajisje medicinale.

Kelani: Kompania i plotësoi kriteret

Megjithatë, Policia e Kosovës thotë se kompania e re që tash po i fiton tenderët i ka plotësuar kriteret për të lidhur kontratë publike.

Tenderin e parë kjo kompani e fitoi më 19 dhjetor të vitit 2015. Mbi 68 mijë euro peshonte vlera e ofertës së kësaj kompanie për të kryer furnizimin me maska. Po ashtu kompania u shpall fitues edhe më 06 janar të vitit 2015.

Fitoi dy lote të tenderit të emërtuar “Furnizimi me prangat dhe shufrat, qeska, helmeta për trazira me mundësi te vendosjes se sistemit te integruar te komunikimit, helmeta kundër trazirave për polic te rendit mburoja dhe mbrojtëse”. Vlera e lotit të parë figuron se është 31 mijë e 600 euro. Ndërsa vlera e lotit të dytë figuron se është mbi 589 mijë euro.

Policia ende nuk ka dhënë përgjigje se çfarë furnizime përfshin loti i parë dhe se çfarë përfshin i treti. Por në Njoftimin për Dhënie të Kontratës ka shënuar se kompania është shpallur fituese pasi që ka pasur ofertën më të përgjegjshme në tenderë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, deklaroi për Insajderi.com se përzgjedhja e kësaj kompanie është bërë bazuar në kërkesat ligjore.

“Kompania “Sodex Group” i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në dosjen e tenderit edhe në njoftimin për kontratë. Po ashtu ka plotësuar edhe specifikat teknike te kërkuara”, deklaroi Kelani.
Kelani u pyet edhe se pse Policia lidhi kontratë publike me kompaninë në pronësi të bashkëshortes së biznesmenit Astrit Pira.

Ai nuk komentoi për afërsinë mes tyre por deklaroi se “Sodex Group”, i ka plotësuar dy kërkesa të rëndësishme të dosjes së tenderit.

Kompania, sipas tij, ka plotësuar kriterin që kërkon sjelljen e një vërtetimi nga Administrata Tatimore për pagesën e tatimeve si dhe vërtetimin nga Gjykata Themelore – Departamenti për Çështje Ekonomike që firma nuk i nënshtrohet procesit të falimentimit.

“Këto dy dokumente kompania fituese i ka sjell para publikimit te njoftimit për dhënie te kontratë dhe sipas këtyre dëshmive kompania është ne rregull”, tha Kelani.

Insajderi.com ka dërguar pyetje në e-mailin zyrtar të Sodex Group dhe ka kërkuar një koment nga ana e kësaj kompanie lidhur me tenderët e fituar nga Policia. Ende nuk ka marrë përgjigje.