Skandaloze: Diskriminohen të dyshuarit e Speciales – shteti ua heq shpenzimet vetëm komandantëve

Skandaloze: Diskriminohen të dyshuarit e Speciales – shteti ua heq shpenzimet vetëm komandantëve

Shteti i Kosovës ka treguar dy qasje krejtësisht të ndryshme për ish-luftëtarët e UÇK-së për tu mbrojtur nga Gjykata Speciale. Fytyrë krejt tjetër shteti i Kosovës ka pasur me komandantët të cilët kanë mbajtur poste të rëndësishme pas lufte.

Por një person tjetër që nuk ka pasur post të rëndësishëm pas përfundimit të luftës, e ka parë se si shteti i tij ia ka kthyer shpinën. Përderisa shteti i Kosovës i ka dhënë 70 mijë euro për katër ish-komandantë të UÇK-së, për një luftuar të UÇK-së nuk ka dhuruar asnjë cent, shkruan Insajderi.

Muhamet Krasniqi i njohur me nofkën “Petriti” ka kërkuar ndihmë nga zyra e Qeverisë së Kosovës që merret ekskluzivisht me të dyshuarit e Gjykatës Speciale nga UÇK-ja. Aty ai nuk ka ‘pasur fatin’ e njëjtë si të katër ish-komandantëve.

Ai u ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ia emërojnë një avokat për 23 korrik, ku do të dalë para prokurorëve të Gjykatës Speciale, por një ndihmë të tillë nuk e ka gjetur.

Krasniqi thotë se ka kërkuar ndihmë edhe për udhëtimin drejt Hagës që do të niset më 22 korrik të këtij, muaji. Por as për këtë kërkesë të tij ai nuk ka gjetur ndihmën e shtetit të Kosovës.

“Jo shteti nuk është tu më mbuluar asgjë, kam vrapuar poshtë e lartë, por nuk po kam mundësi me paguar avokat. Shteti kurrfarë ndihme nuk ma ka dhanë”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Ai thotë se nga zyra e Qeverisë së Kosovës i ishte thënë se ndihmë do të merrte vetëm nëse ngritët aktakuzë ndaj tij.

“Kam qenë tek zyra e Driton Lajçit dhe ata nuk kishin asnjë cent për mjetet. Pasi të ngritet aktakuza më kanë thënë se mund të ndihmojmë. Në momentin që ngritët aktakuza nuk më duhet as avokat as asgjë, mua më duhet për procesin e hetimeve sa është tash. Nuk po ndërmerr askush asgjë as nga shoqatat e dala nga lufta dhe askush”, ka deklaruar ai për Insajderin.

“Petriti” ka thënë se ai po dyshohet se është i involvuar në krim dhe se mund të ketë informacione të mjaftueshme për rastet që janë duke i hetuar. Ai thotë se gjithë këtë cështje nuk e di si do ta përmbyllë pa avokat.

“Nuk e di vetëm se shkruan se kinse jam i involvuar me krim brenda institucionet e hagës dhe gjoja se kam informacione të mjaftueshme. Nuk e di si kam me ja bë pa avokat”, ka deklaruar ai.

Fytyra tjetër e shteti të Kosovës me tre komandantë e UÇK-së

Përderisa, shteti i Kosovës ia ka mbyllur dyert Muhamet Krasniqit, qeveria kishte qenë mjaftë duar hapur për katër ish-komandantët e UÇK-së.  Nga taksat e qytetarëve të Kosovës Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Mahir Hasani dhe daja i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, Lahi Ibrahimi janë ndihmuar fiks me 70 mijë euro, shkruan Insajderi.

Vendimet për ndarjen e këtyre parave, janë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të akuzuarve në Speciale. Ligji parasheh mbështetje financiare vetëm në rastet kur ngritët aktakuza.

Në dy vendime të ndara, Qeveria e Kosovës kishte ndarë këtë shumë parash për Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Lahi Ibrahimajn dhe Mahir Hasanin. Që të tre këta komandantë kanë të deklaruar pasuri milionëshe.

Insajderi, i ka siguruar këto vendime të cilat nuk janë bërë publike nga ana e Qeverisë. Në vendimin e datës 19 mars, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për mbrojtjen e Lahi Ibrahimajt, dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në vendim saktësohet se kjo shumë parash është ndarë për “procesin e Dhomave të Specializuara”, shkruan Insajderi. Brahimaj ishte intervistuar më 1, 2 dhe 3 mars, lidhur me dyshimet për krime gjatë luftës në Kosovë.

Përveç dajës Brahimajt, Qeveria Haradinaj ka ndarë 30 mijë euro tjera për ish-këshilltarin e tij, Sylejman Selimi, ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku dhe Mahir Hasanit.

Kjo shumë e parave ishte ndarë me 5 shkurt të këtij viti. Asnjëri nga të dyja vendimet nuk kanë qenë publike. As në ueb-faqen e kryeministrisë nuk hapen vendimet e këtyre datave./Insajderi.com