Në pjesën e dytë të hulumtimit për skemën e mashtrimit me viza pune, Insajderi sjell dëshmi dhe rrëfime për implikimin e deputetit Milaim Zeka në mashtrimin e 920 kosovarëve. Nga ky biznes kriminal, Zeka kishte marrë 120 mijë euro para të thata nga Blerta Gashi - Sverkaj, e cila punonte në firmën e tij dhe të Ilir Krasniqit.
Gjithë fajin për mashtrimin e 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani, Milaim Zeka ia ka hedhur partnerit të tij, Ilir Krasniqi.
Viktimat që ia kanë kërkuar paratë deputetit të Nismës, Milaim Zeka kanë marrë përgjigje të njëjtë: Shko në polici, se Iliri është mashtrues.
Por, dëshmitë që ka siguruar Insajderi tregojnë se Zeka ishte ideator dhe ekzekutues i kësaj skeme mashtrimi që i ka sjell atij qindra mijëra euro përfitime.
Blerta Gashi – Sverkaj është familjare e Milaim Zekës. Ajo ka pranuar aplikacionet e kosovarëve dhe ka marrë paratë e tyre. Zverkaj – Gashi ka punuar për Milaim Zekën.
Insajderi ka siguruar një seri komunikimesh elektronike në mes të Milaim Zekës, Ilir Krasniqit, Blerta Zverkës – Gashit e personave tjerë.
Një vit pas themelimit të agjencisë së punësimit, ““Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP”, më 10 shkurt 2017, Blerta njoftonte Ilir Krasniqin për numrin e aplikimeve që kishte pranuar dhe një shumë prej 120 mijë eurosh që ia kishte dhënë Milaim Zekës.
“Ilir 9. 280 euro t’i bjen Doni. Tetë aplikues të ri edhe një aplikues i mahershëm që janë kanë me 50 euro erdh edhe i ka pagu 1.000 për kontratë. D.m.th. ka hi në tarifën e re. Edhe 120 Milit ia dhash qysh të kallxova edhe 50 që ia kom pas jep Bledit ma herët”, shkruan në një mesazh telefonik në “Viber”, që Blerta Gashi – Sverkaj të cilin e posedon Insajderi.
Personit që Blerta i referohet si Doni, është Liridon Gashi, bashkëshorti i saj.
Blerta ka qenë staf i rregullt në zyrën e Milaim Zekës. Ajo ka mbajtur në krah kartën identifikuese me logo të portalit “Pa Rrotlla”. 1. 050 euro ia ka dhënë në dorë asaj një i ri që ka dashur të mbetet anonim për shkak të frikës së mund të ketë pasoja.
Mashtrimi i “A”-së
“A”-ja është një prej 920 viktimave të mashtrimit. Ai gjatë luftës kishte humbur një pjesë të madhe të familjes. Ia kanë vrarë serbët.
Ndonëse i ri në moshë, ai nuk është ndalur duke punuar për të mbajtur familjen.
Shpresat se do ta nxirrte veten dhe familjen nga kriza financiare ia kishte besuar një firme mashtruese që për pronar kishte deputetin Milaim Zeka dhe partnerin e tij, Ilir Krasniqi.
E tërë historia i dukej e besueshme. Pa hezitim kishte paguar 1. 050 euro. Pjesën tjetër ishte i gatshëm ta paguante posa të thirrej për të marrë vizën.
E terë shuma do të arrinte 3. 500 euro.
Por, dyshimet se diçka nuk ishte në rregull, atij i kishin lindur ditën kur stafi i portalit “Pa Rrotlla” nuk ia kishte dhënë një kopje të kontratës. “A”, kishte nxjerrë telefonin dhe e kishte fotografuar atë.
I kishin thënë se pas tetë javësh do të lajmërohej për marrjen e vizës së punës, për të shkuar pastaj në Gjermani dhe për të filluar punën.
“A”-në nuk e kishte thirrur më askush.
Ai kishte nisur të telefononte për të marrë përgjigje. Kështu, as pas një viti nga pagesa e 1. 050 eurove “A”, nuk ka marrë vizë e as nuk i janë kthyer paratë.
Ai kishte nisur të komunikonte me dy ndërtuesit e kësaj skeme mashtruese – Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqin.
Krasniqi i kishte thënë se nuk do ta lejonte më ta telefononte, e Zeka i shmangej përgjegjësisë me arsyetimin se nuk kishte të bënte asgjë me mashtrimin.
Mirëpo, këto pretendime të tij bien poshtë me provat që ka siguruar Insajderi. Zeka ishte përpjekur që ta bindte Krasniqin që të mos e përmendte atë në polici.
Kontrata
“Më 22 dhjetor kam aplikuar në zyrat e portalit ‘Pa Rrotlla’. Pagesën që e kam bërë, mirëpo më herët kam marrë informacione rreth procedurave”, ka treguar “A”-ja.
“Gjatë prezantimit të projektit të atyre apo mënyrën e aplikimit për mu pajisë me vizë pune në Gjermani u kanë 1050 euro për t’u nënshkruar kontrata. Pasi të pajisesh me leje të punës edhe kontratë të punës ke pas me pagu edhe 2000 mijë euro. Total 3.050 euro”, ka thënë ai.
“A”-ja ka paguar fiks 1.050 euro. Këto para ia ka dhënë Blerta Sverkës – Gashit në dorë.
Pas një jave e kishte nënshkruar kontratën me bashkëshorten e Ilir Krasniqit. Ndërkohë kishte komunikuar me Krasniqin i cili i kishte thënë se pas dhjetë ditësh do t’i kthehet përgjigje pozitive.
Kurrë përgjigje të tillë nuk ka marrë.
“A”-ja kishte shkuar në zyrat e Milaim Zekës. Një punëtore i kishte thënë se procedurat po zgjasin më shumë për shkak të disa rregullave të Bayernit të Gjermanisë.
“Gjatë kësaj kohe kam kontaktuar me Ilir Krasniqin përmes Viber-it disa herë. Ai veç më ka mashtru se më 25 maj të kthej përgjigje, me 15 qershor, me 25 qershor, me 15 korrik mundesh me ardhë m’i tërheq paret. Kam ardhë në Prishtinë, në zyrat e portalit ‘Pa Rrotlla’, e kam pa që është e mbyllur dhe ka pasur një njoftim se zyra është mbyllur”, ka treguar ai.
Ai kishte kontaktuar mbi 200 herë në një numër telefoni që ishte vënë në njoftim.
Por, kot.
Pas shumë insistimesh kishte komunikuar me Ilir Krasniqin. I kishte thënë Krasniqit se nëse të nesërmen nuk ia jep paratë, do të shkonte në polici. Krasniqi i kishte thënë se zyra është mbyllur dhe kot vjen në Prishtinë sepse nuk ka para.
“A”-ja kishte hulumtuar dhe i kishte gjetur dokumentet se bashkëpronar ishte edhe Milaim Zeka. Kishte folur me të në telefon. Me Zekën kishte pasur shumë komunikime. E kishte drejtuar të shkonte tek hetuesi i krimeve ekonomike, Ejup Gërguri. Madje Zeka ia kishte dhënë edhe numrin e telefonit.
Zeka i kishte thënë “A”-së se janë diku 900 persona që kanë aplikuar dhe janë mashtruar nga Ilir Krasniqi.
“A”-ja kishte përdorë tone kërcënuese në drejtim të Milaim Zekës me qëllim që t’i merrte paratë e tij. Por, një takim që kishin pasur në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë, Zeka ishte i shoqëruar nga disa komandant dhe Faton Ramadanin.
Krejt këtë “A”-ja e ka parë si mënyrë frikësimi të tij për të hequr dorë nga kërkesa për para.
“Milaimi e paraqitke veten si viktimë në këtë rast, edhe thojke se ka mi ngritë padi në polici. Mirëpo gjatë debatit, pata informacion që Iliri ka qenë në Kosovë me 4 shtator edhe Milaimi e konfirmoi se ka qenë me të në restorantin ‘Ura’ në dalje të Prishtinës”, ka treguar “A”-ja.
Ndejë familjare në shtëpinë e Ilir Krasniqit me 26 dhjetor 2016. Në foto: Blerta Zverka Gashi, Ilir Krasniqi, Milaim Zeka, Liridon Gashi
Zeka i kishte thënë “A”-së të takohej me djalin e Xhafer Ukshinit. Ukshini është njëri nga të arrestuarit në incidentin e Kumanovës në Maqedoni. “A”-ja kishte refuzuar sepse krejt këtë e shihte si mjet presioni.
“Edhe i kam thanë që s’ka me lan gurë pa rrotullu në Kosovë, gjallë a dek paret kam m’i tërheq. Seni i parë që kom me ba, kom me shku në Insajder me publiku rastin”, i kishte thënë “A”-ja Zekës në korrik të këtij viti.
Dy ditë pas kësaj bisede, Zeka kishte bërë një status në llogarinë e tij në “Facebook”, kundër gazetës online Insajderi. Kishte thënë se ky medium është themeluar nga ShIK-u dhe financohet nga nëntoka serbe.
Krejt këtë e kishte bërë pas kërcënimit që i kishte bërë “A”-ja se rastin do ta raportonte në Insajder.
Pas kësaj, “A”-ja ka treguar se ishte thirrur me anë të Viberit nga hetuesi, Ejup Gërguri. Ai dyshon se Gërguri po punonte me direktiva të Zekës i cili po i drejtonte hetimet kundër Ilir Krasniqit.
Mashtrimi i “B”-së
Në mënyrë krejtësisht të njëjtë ishte mashtruar edhe “B”-ja, një i ri tjetër që dëshiron të mbetet anonim.
Ai ka thënë se kishte paguar 1.050 euro. Paratë ia kishte dhënë Blerta Sverkës – Gashit, derisa kontratën e kishte nënshkruar me gruan e Ilir Krasniqit, F. K.
Askush më nuk e kishte njoftuar për procedurat e mëtejshme. “B”-ja kishte hulumtuar dhe kishte zbuluar se ortak i Krasniqit, ishte Milaim Zeka.
“Pas një kohe të shkurt unë kam hulumtuar vetë, që ortak ka qenë edhe Milaim Zeka. Iliri ma nuk e çelke telefonin. E kam thirr këtë Blertën edhe i kam thënë që kam me ju lajmërua krejtve në polici. I kam thanë se nuk më intereson dhe nëse nuk e thirr Ilirin për gjysmë ore, do të shkoj në polici”, ka treguar ai.
“Nuk ka shkuar gjysë ore edhe Iliri me ka thirr. Më ka lut, më ka thonë mos fol se ka me t’u ba viza. Unë s’kam fol ma”, ka thënë “B”-ja.
Ai ka treguar se pas një kohe e kishte thirrur Ilir Krasniqi në telefon. I kishte thënë se Milaim Zeka ia ka marrë 250 mijë euro.
“I kallxova që unë e kam marrë vesh se është në bashkëpunim me Milaim Zekën. Me tha masi pe dishe ti, unë po të kallxoj. Ma ka kajt nanën m’i ka marr 250 mijë euro Milaim Zeka edhe m’i ka lanë shumë punë gjysë”, ka treguar viktima e mashtrimit.
Iliri i kishte premtuar se do t’ia kthente paratë.
“U kanë te unë në shpi më ka lut mos fol, e mos fol deri qitash kur e shtinën në burg. Më është lajmëruar një vëllai i tij e më ka thanë që nuk kam çka me të bo”, ka treguar “B”-ja.
Nesër:
Insajderi ka siguruar komunikimet në mes të Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit. Do të lexoni për planet e tyre të përbashkëta. Komunikimet dëshmojnë se si Milaim Zeka i thotë Ilir Krasniqit që të mos e përmend atë në polici, por të thotë se zyrat i ka pasur më qira. Do të lexoni për kërcënimet që i bënin njëri-tjetrit.