Stema e dyshimtë në aktvendimin për rastin e Enver Hasanit

Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin e Enver Hasanit, është ndryshe në pamje prej aktvendimeve tjera. Ai përmban stemën e Këshillit Gjyqësor dhe ngjan me aktvendimet e aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Themelore nuk përdorë kurrfarë steme. Vendosja e saj po shihet me dyshim nga njerëz të drejtësisë.

Stema e dyshimtë në aktvendimin për rastin e Enver Hasanit

Vendosja e stemës së Këshillit Gjyqësor në aktvendimin për hetimet kundër Enver Hasanit, po shihet me dyshim nga njerëz të sistemit të drejtësisë.

Faqja e parë e këtij aktvendimi të lëshuar nga një kolegj gjyqësor, i kryesuar nga gjyqtarja Alltëne Murseli, është krejtësisht ndryshe prej aktvendimeve apo aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në fakt, aktvendimi ka pamje të njëjtë me aktvendimet-aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtarët apo kolegjet e Gjykatës Themelore nuk përdorin stemë të Këshillit Gjyqësor.

Prokurorë në Prokurorinë e Shtetit dhe gjyqtarë në Gjykatën Themelore kanë shprehur dyshime si për formën, ashtu edhe për përmbajtjen. Kanë thënë se aktvendime të tilla kurrë nuk janë lëshuar nga Gjykata.

Dyshimet publikisht i shpreh edhe kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. Aktakuza kundër tij do të shkojë në Gjykatë për shqyrtim fillestar

Aktakuza e ngritur disa ditë më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është hedhur poshtë. Si e tillë ajo do të shkojë në Gjykatë për shqyrtimin e parë fillestar.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë vetëm hetimin e veçantë të cilin e kishte lejuar vetë vitin e kaluar. Madje kishte caktuar edhe një seancë për ta marrë në pyetje gjyqtarin ndërkombëtar Robert Carolan, por që nuk ishte kryer intervistimi i tij për shkak se kishte munguar i pandehuri Hasani.

Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga hetimi i veçantë sepse kohë më parë prokurori Blerim Isufaj e ka marrë në pyetje dëshmitarin Carolan.

Megjithatë, kolegji i përbërë prej Altene Murselit – kryetare, Beqir Kalludrës dhe Kreshnik Radoniqit – anëtarë ka vendosur që mos ta lejojë hetimin e veçantë bazuar në një parashtresë të mbrojtjes së Hasanit.

PicMonkey Collage

Dy aktvendime të gjyqtares Alltëne Murseli. I pari me stemë të KGJK-së në rastin e Enver Hasanit dhe i dyti standard, pra pa stemë në rastin e deputetëve të opozitës. Aktvendimi i tretë është i Gjykatës Kushtetuese me të cilin ngjan ai në rastin e Enver Hasanit.    

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se gjykata që ai drejton nuk përdor stemë në aktgjykime apo aktvendime. Ka thënë se stemat përdorën vetëm në komunikimet ndërinsitucionale me anë të shkresave.

“Gjykata ka memon e saj që e përdor në komunikim me institucione dhe në këtë memo në anën e majtë është Stema e Republikës së Kosovës, ndërsa në anën e djathtë është Stema e KGJK-së”, ka thënë Ibrahimi.

“Në parim, në aktgjykime nuk përdoret asnjë stemë, as e Republikës së Kosovës e as e KGJK-së. Çështja e përdorimit të Stemës së Republikës së Kosovës është e rregulluar me Ligj ( LIGJI NR. 03/L-038 ) ,neni 12 dhe 13”, ka thënë ai për të shtuar se ka raste kur në aktvendime të kësaj gjykate përdoret Stema e Republikës së Kosovës e vendosur në hyrje në mes të aktvendimit.

“Aktvendimi për të cilin ju jeni interesuar mban stemën e KGJK-së. Për arsyet përse është përdor stema e KGJK-së në hyrje të këtij aktvendimi jam në dijeni por si kryetar gjykate, publikisht nuk mund të prononcohem”, ka thënë ai.

Kryetarja e kolegjit, Alltëne Murseli nuk ka pranuar të flas për formën dhe përmbajtjen e aktvendimit që e ka nxjerr më 17 dhjetor 2015.

Avokati i Enver Hasanit, Bajram Tmava nuk e ka ditur se në aktvendimin për klientin e tij ka ndonjë stemë.

“Në aktvendime, aktgjykime të Gjykatës nuk ka asnjëherë logo apo stemë”, ka thënë ai. Kur i është thënë se në këtë aktvendim është stema e Këshillit Gjyqësor, Tmava ka thënë se i ka interesuar përmbajtja.

Në Prokurori nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.

Prokuroria është ankuar në Gjykatën e Apelit kundër këtij aktvendimi. Pos tjerash edhe për kohën e nxjerrjes së tij dhe dërgimit në Prokurori. Vendimi, organit të akuzës i është dërguar në shkurt të këtij viti të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Është bazuar në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale; shkelje të Kodit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, akuzohet se më dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese, ka nxjerrë aktvendim për papranueshmëri. Si pasojë gjyqtarët kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore ka thënë se çështja penale ka të bëjë me imunitet funksional të Kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e po ashtu ka të bëjë edhe me pavarësinë në vendimmarrje të tyre e cila garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

Madje thotë se as gjyqtari ndërkombëtar nuk mund të merret në pyetje si dëshmitar për shkak të imunitetit.

Mirëpo, vetë Gjykata Kushtetuese në kohën e Enver Hasanit ka sqaruar çështjen e imunitetit funksional që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Themelore në Prishtinë.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, veprimet për të cilat akuzohet Enver Hasani, nuk i ka ndërmarrë brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional. Insajderi.com