Studenti i dyshimtë i “Kristal”-it që mori besimin e 59 deputetëve për të udhëhequr ARH-në

Insajderi ka zbuluar se vitin e kaluar pesëdhjetë e nëntë deputetë votuan që në pozitën e kryesuesit të bordit të një institucioni të emërohej një njeri që ka të kryer vetëm shkollën e mesme. Ai posedon një diplomë të nivelit Baçelor të përfituar në universitetin “Kristal” në Shqipëri. Ky universitet është mbyllur pas përfshirjes në skandalin e shitblerjes së diplomave. Ministria e Arsimit nuk e ka bërë nostrifikimin e diplomës së tij.

Studenti i dyshimtë i “Kristal”-it që mori besimin e 59 deputetëve për të udhëhequr ARH-në

Arsim Berisha, kryesuesi i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, është një prej shumë njerëzve që posedon një diplomë të dyshimtë të universitetit “Kristal” në Shqipëri. Para disa viteve ky universitet është mbyllur për shkak të shitblerjes së titujve akademik. Shumë të diplomuar aty kanë probleme për t’u punësuar në pozita të larta publike.

Por, imazhi negativ i “Kristal”-it nuk ka ndikuar për keq në karrierën e Berishës. I ka ndodhur e kundërta. Është avancuar.

Më 28 tetor të vitit të kaluar, Berisha ka marrë përkrahjen e shumicës parlamentare që ishte udhëhequr nga koalicioni PDK-LDK. Insajderi ka zbuluar se qeveria dhe parlamentarët në tetor të vitit 2016 ishin në dijeni se diploma e Berishës e marrë në “Kristal” ishte e pavlefshme. Ishin në dijeni që nuk ishte e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit në Kosovë.

Përkundër diplomës së dyshimtë, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa dhe Kuvendi i udhëhequr nga Kadri Veseli kishin përzgjedhur që të procedonin me emërimin e Berishës në krye të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Deri në kohën e emërimit në këtë post të lartë, Berisha ishte një zyrtar i degës së LDK-së në Klinë.  Universiteti “Kristal”, në Shqipëri është mbyllur në gusht të vitit 2014. Është bërë i famshëm për skandalin e shitblerjes së diplomave.  Të bëmat e “Kristal”-it kishin bërë çuditur edhe mediat në Itali. Renzi Bossi, djali i një ish-kryetari partie në Itali, kishte diplomuar në “Kristal”. Nuk e kishte ditur asnjë fjalë shqip dhe nuk kishte shkelur asnjëherë në territorin e Shqipërisë.

Dokumentet që hedhin dyshime për blerje të diplomës nga Berisha

Insajderi ka siguruar dosjen e Arsim Berishës, e cila është shqyrtuar nga komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik. Dokumentet tregojnë se Berisha kishte dorëzuar diplomën e tij të marrë në  “Kristal”, universitetin e mbyllur për shkak të shitblerjes së titujve akademik. Shënimet në diplomën e tij të nivelit të parë baçelor tregojnë se Berisha ka diplomuar më 20 korrik të vitit 2009.

Në kohën e diplomimit në nivelin e parë të studimeve në “Kristal”, Berisha ishte në moshën 42 vjeçare.

Po ashtu, një dokument tjetër i dorëzuar për shqyrtim nga Berisha hedh më shumë dyshime për diplomimin e rregullt të tij. Në CV-në e tij të dorëzuar në komision parlamentar shënon se Berisha ka qenë i punësuar në sektorin e hekurudhave në Itali, përkatësisht në  F.E.R.V.E.T.S  S.p.a  nga viti 2001 deri në vitin 2009.

Insajderi ka pyetur Berishën se si ka arritur që në të njëjtën kohë të ishte i punësuar në Itali dhe të ndiqte studimet në universitetin “Kristal”. Berisha nuk ka dhënë përgjigje në këtë pyetje. Insajderi e ka pyetur Berishën edhe për diplomën e tij të panostrifikuar nga Ministria e Arsimit.


Arsim Berisha, i dyti në fotografi (nga krahu i majtë), pas një takimi të përfaqësuesve bordit të ARH-së me ish-kryeministrin Isa Mustafa

“Lidhur me pyetjet e parashtruara, me respekt ju udhëzoj që t’i drejtoheni Komisionit për Zhvillim Ekonomik. Po ashtu, sa i përket diplomës sime dhe vendit – institucionit ku unë kam studiuar, në rast se jeni të interesuar të dini më shumë, luteni të kontaktoni me çdo institucion që ofron informata të sakta dhe objektive lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Berisha.

Kryesuesit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave i është treguar se Ministria e Arsimit ka konfirmuar për Insajderin se diploma e tij nuk është nostrifikuar. Berisha nuk ka komentuar më tutje. Ministria e Arsimit, në përgjigjën dhënë Insajderit, ka deklaruar se Berisha nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për nostrifikimin e diplomës së tij.

“Sipas databazës se qendrës NARIC, z. Afrim Sylejman Berisha, nuk ka aplikuar për njohje/ barasvlerë të diplomës të fituar në Universitetin “Kristal” në Shqipëri. Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Kuvendi i Kosovës, lidhur me rastin e lartpërmendur”, ka thënë për Insajderinm, Valmir Gashi këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyçi.

Po ashtu, Gashi ka deklaruar se të gjithë qytetarët e Kosovës janë  të obliguar të kërkojnë njohje dhe barasvlerë të diplomave dhe kualifikimeve të Arsimit të Lartë të fituara jashtë Kosovës.

Deputetët ishin të njoftuar për diplomimin e Berishës në universitetin e dyshimtë 

Arsim Berisha dhe tre anëtarët tjerë të propozuar nga Qeveria për anëtarë të bordit të ARH-së ishin miratuar me shumicë votash më 28 tetor 2016. Emërimi i tyre ishte bërë me 59 vota pro, 1 abstenim dhe 9 vota kundër.

Por, para se emrat të dërgoheshin për miratim, biografia e kandidatëve ishte diskutuar nga komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik. Ky komision vitin e kaluar kryesohej nga Muhamet Mustafa, i cili ishte deputet i LDK-së. Pjesë e komisionit ishte edhe Besim Beqaj, asokohe deputet i PDK-së. Beqaj kishte ngritur dyshime për diplomën e Arsim Berishës të propozuarit për kryesues të bordit. Për bord të ARH-së, i nominuar ishte asistenti personal i Adem Grabovcit, Shkumbin Hyseni. Kjo ishte arsyeja që Beqaj kishte ngritur dyshime për të propozuarin nga LDK-ja për kryesues bordi.

Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së komisionit të mbajtur më 27 shtator të vitit 2016, Besim Beqaj kishte paraqitur vërejtje për kandidatin Arsim Berisha.

“Sa i përket kualifikimit, e ka një diplomë të Universitetit Kristal nga Shqipëria, për të cilin universitet kemi shumë dyshime. kemi shumë certifikata në gjuhen italiane që i ka paraqit si master specializues. Ne e dimë se nuk ka seminar që jep titullin e masterit, duhet studim për master. Po ashtu, gjuha italiane nuk është gjuhë zyrtare. Prandaj nuk duhet t’i marrim aq për bazë pasi qe nuk i kuptojmë sepse me rregullore thuhet se dokumentet duhet të jenë në gjuhë zyrtare”, kishte deklaruar Beqaj në mbledhjen e këtij komisioni. Kryetari i atëhershëm i komisionit, Muhamet Mustafa, e kishte shtyrë votimin për mbledhjen e ardhshme.

Mbledhja ishte mbajtur më 4 tetor të vitit të kaluar. Beqaj kishte propozuar që komisioni të marrë informacione se a është obligative që të diploma e marrë në Shqipëri të nostrifikohet në Kosovë, para se emrat e të nominuarve të dërgohen për votim në parlament, “Unë jam konsultuar dhe në bazë të bisedave që kam bërë me zyrtar nga ministria, kërkohet nostrifikimi, por ne duhet të shkruajmë qartë në raport që Qeveria të na njoftojë me shkrim”, pati deklaruar Beqaj.

Komisioni parlamentar ishte zotuar se do të bënte verifikim e kësaj çështjeje. Këtë zotim e  kishte përmendur ish-kryetari i komisionit Muhamet Mustafa në shkresën që ia kishte dorëzuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Në diskutim pati kërkesë që të vërtetohet fakti nëse diplomat universitare nga institucionet arsimore të Shqipërisë duhet të nostrifikohen. Komisioni konkludoi se kjo çështje të sqarohet deri në mbledhjen e Kuvendit”, thuhet në shkresën e Mustafës, dorëzuar kryesisë së Kuvendit.

Por, deputetët që ishin anëtarë të këtij komisioni nuk kishin kërkuar asnjëherë sqarime lidhur me këtë çështje.Sekretariati i Kuvendit të Kosovës i ka konfirmuar Insajderit se nuk është kërkuar asnjëherë dëshmi për nostrifikimin e diplomës së Arsim Berishës.

“Bazuar në shkresat lëndës, Komisioni nuk ka kërkuar dëshminë e nostrifikimit të Diplomës për njërin nga kandidatët e propozuar për anëtar të Bordit të ARH-së, përkundër konstatimit në arsyetimin e Rekomandimit të Komisionit, të datës 4. 10. 2016”, thuhet në përgjigjën e drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës./Insajderi.com