Telekomi- Detaje të humbjeve milonëshe nga krimi “Sim to Sim”, gjatë mandatit të Istrefit

Telekomi- Detaje të humbjeve milonëshe nga krimi “Sim to Sim”, gjatë mandatit të Istrefit

Dukuria kriminale “Sim to Sim”, ka shënuar rritje shqetësuese prej kohës kur në krye të Telekomit të Kosovës është emëruar Bedri Istrefi.

Insajderi ka zbuluar detaje të rritjes së dukurisë kriminale Sim to Sim në “Telekomin e Kosovës”. Tregojnë për humbje milionëshe të ndërmarrjës publike, të cilën shefat e saj rrezikojnë ta falimentojnë nëpërmjet vendimeve të kundërligjshme.

Shifrat e siguruara nga Insajderi tregojnë për rritje të kësaj dukurie gjatë vitit 2019, pas ardhjës në krye të ndërmarrjës të Bedri Istrefit që mbanë postin e kryeshefit ekzekutiv.

Raportet interne të “Telekomit të Kosovës”  tregojnë se ka rënie të madhe të thirrjeve ndërkombtare të regjistruara në Telekomin e Kosovës.

Në vitin 2018 ishin të regjistruara mbi 2 milionë minuta thirrje ndërkombtare drejt VALA-s përgjatë një muaji.

Por, ndryshe është duke në vitin 2019. Mesatarja mujore është vetëm mbi 100 mijë minuta.

Humbjet nga mungesa e thirrjeve ndërkombtareve janë multimilionëshe. Supozohet se do të shkojë deri në mbi 4 milionë euro, gjatë vitit 2019.

Rënia kaq drastike e thirrjeve të regjistruara ndërkombtare drejt rrjetit të VALA-s ka nxitur dyshime të mëdha për zhvillimin e aktivitetit kriminal “Sim to Sim”.

Burime të Insajderit brenda kësaj ndërmarrjeje publike tregojnë se menaxhmenti nuk e ka njoftuar ende Bordin Drejtues dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik lidhur me detajet e kësaj rënie drastike.

Për rrezikun e dëmtimit të madh të Telekomit nga kriminaliteti Sim to Sim ka njoftuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“Gjatë auditimit, kemi identifikuar mangësi në parandalimin e humbjeve dhe korrigjimeve të aktiviteteve që konsiderohen si mashtrime”, theksohet në raportin e ZAP-it.

“Është vërejtur që ky aktivitet ka pasur trend rritës muajve të fundit të vitit 2018, dhe kjo rritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019, ku në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arrit mesatarisht në 200 aktivitete të tilla në muaj”, thuhet në këtë raport.

Sipas auditorëve, përgjegjësit e Telekomit të Kosovës nuk kanë marrë masat e duhura për parandalimin e këtij aktiviteti kriminal. Kanë qenë neglizhent edhe kur janë afektuar numrat e VALA-s, por edhe kur janë afektuar numrat e Z-Mobile.

“Aktiviteti ilegal ‘Sim to Sim’ apo trafiku i anashkaluar ndikon në humbjen e të hyrave financiare të Kompanisë e gjithashtu edhe në cilësinë e shërbimeve”, theksohet në raportin e auditorëve.

Insajderi pati pyetur menaxhmentin e Telekomit lidhur me zbulimet e auditorëve. Patën pohuar se të njejtat informata i kanë përcjellur tek organet e rendit dhe se synojnë që ta angazhojnë një kompani ndërkombtare për ta luftuar “Sim to Sim”.

Po ashtu, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka kritikuar Telekomin e Kosovës edhe për keqmenaxhim që mundëson rritje të kriminalitetit “Sim to Sim”. Një prej tyre është edhe lejimi i funksionimit të numrave, për të cilët nuk dihet se kush i ka në pronësi.

Menaxhmenti i Telekomit, sipas auditorëve, është duke lejuar që t’i aktivizohen shërbimet disa konsumatorëve, pa qenë fare të regjistruar zyrtarisht në sistem.

“Ofruesit e shërbimeve duhet ti regjistrojnë të gjithë konsumatorët para se të aktivizohet shërbimi, pavarësisht a janë konsumator me kontratë apo parapagues, si dhe nuk duhet ti aktivizojnë numrat pa qenë të regjistruar më parë si konsumatorë. Analizat tona të të dhënave të sistemit CRM6 tregojnë se për rreth 3810 SIM7 kartela aktive mungojnë të dhënat për konsumatorët”, theksohet në raportin e auditorëve.

Ky raport tregon se 3 mijë e 810 vetave i është aktivizuar shërbimi pa qenë fare të regjistruar në sistem si konsumatorë. Kjo gjendje rritë rrezikun që pronarët sekret të tyre të merren me dukurinë kriminale “Sim to Sim”

“Kompania, “Telekomi i Kosovës” nuk ka marrë masa që kjo të parandalohet. E gjithë kjo në mungesë të një mekanizmi të vlefshmërisë për aktivizimin e shërbimit. Për më tepër, ky sistem nuk e ka të validuar fushën e numrit identifikues për parapaguesin, kështu që mjafton të vendoset një karakter në fushën për ID dhe të vazhdohet në hapat e tjerë për të aktivizuar numrin”, theksohet në raportin e auditorëve.