Tenderi i Komunës së Ferizajt që u përfitua nga biznesmeni i burgosur

Insjaderi dhe organizata jo-qeveritare Democracy Plus kanë zbuluar se Zyra e Prokurimit e Komunës së Ferizajt është zhytur në një skandal të madh, në gusht të vitit të kaluar. Ka nënshkruar kontratë publike me një kompani private, e cila është në pronësi të një biznesmeni që gjendet në burg. Po ashtu, emrin e të burgosurit e kanë shënuar si person kontaktues për implementimin e kontratës.

Tenderi i Komunës së Ferizajt që u përfitua nga biznesmeni i burgosur

Biznesmeni Milaim Berisha nga Ferizaj, në maj të vitit 2016, kishte bërë më shumë se dy vjet duke qëndruar prapa grilave. Është i dënuar për vrasje të rëndë në tentativë. Por, atë muaj kishte ngjarë një mrekulli për të. Ishte një mrekulli që asnjë i burgosur nuk e sjell nëpër mend.

Por, ngjarja nuk zhvillohej prapa grilave, ku ende mbahet biznesmeni Berisha.  Zhvillohej në objektin e Komunës së Ferizajt.

Ishte 18 maji i vitit të kaluar kur autoritetet komunale publikuan emrin e kompanisë fituese të tenderit të emërtuar “Rregullimi i kanalizimit dhe asfaltimi i rrugës “Qamil Ilazi”. Oferta e kompanisë ishte në vlerë prej 32 mijë e 22 eurosh.

Fitues ishte shpallur kompania Linda Sh.P.K, në pronësi të biznesmenit të burgosur. Insajderi ka zbuluar se edhe autoritetet komunale të Ferizajit kanë vepruar njejtë si ato të Shtërpcës.

Në njoftimin për dhënie të kontratës duhet të shënohet edhe emri i personit kontaktues, i cili është përgjegjës për zbatimin e kontratës. Edhe Komuna e Ferizajt kishte shënuar emrin e Milaim Berishës, ashtu siç kishte bërë edhe Komuna e Shtërpcës, për të cilin veprim Insajderi raportoi në pjesën e parë të këtij hulumtimi.

Megjithatë, gjersa Berisha mbahej në burg, zyrtarët komunalë nuk kishin mundur ta kontaktojnë asnjëherë atë  për ta pyetur lidhur me zbatimin e kësaj kontrate. Mirëpo, vendosja e emrit të një të burgosi si person kontaktues dhe shpallja fitues e kompanisë së tij bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.

Biznesmeni Berisha është i dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim për kryerjen e veprës penale-vrasje e rëndë në tentativë. Ai do të vuajë dënimin me burgim deri në vitin 2018.

Komuna e Ferizajt: Nuk ishim në dijeni se biznesmeni Berisha gjendej në burg

Insajderi ka pyetur autoritetet komunale të Ferizajt se si ka ndodhur që të shpallet fituese në tender kompania e të dënuarit me burg. Kanë pohuar se nuk ishin në dijeni se ishte i burgosur, njeriu për të cilin kishin vendosur t’ia jepnin mbi 30 mijë euro të taksave të qytetarëve.Feim Ibrahimi, zyrtar i prokurimit në Komunën e Ferizajt, ka pohuar për Insajderin se tek pas më shumë se një viti ishin informuar se kontraktuesi i tyre ishte i burgosur.

“Ju njoftojmë se OE “Linda” Sh.P.K  me 18.05.2016 është shpallur fitues në tenderin: Rregullimi i kanalizimit dhe asfaltimi i rrugës “Qamil Ilazi”. Që pronari i saj z.Milaim Berisha  nga data 2 gusht 2013 është në burg për kryerjen e veprës penale, ne nuk kemi pasur informata të tilla”, ka pohuar Ibrahimi.

Ai ka shtuar se zyrtarët komunalë janë informuar për Berishën tek në qershor të vitit 2017. Ibrahimi ka treguar se më datën 13 qershor të këtij viti Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbajtur seancë dëgjimore për të shqyrtuar ankesën e kompanisë Linda Sh.P.K kundër vendimit të Komunës së Ferizajt që nuk e shpallte fitues në një tender tjetër.

Ai i referohet tenderit të emërtuar Rregullimi i shtratit të lumit te bifurkacioni dhe trotuaret pran lumit Nerodime-projekt tre vjeçar”. Pas marrjes së informatës nga OSHP-ja, Ibrahimi thotë se kompania Linda Sh.P.K është diskualifikuar bazuar në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Prandaj nga ky moment jemi të njoftuar se z. Milaim Berisha vuan dënimin për kryerjen veprës penale me burg gjë që nuk kemi pasur informata të mëhershme”, ka shtuar Ibrahimi.

Tenderi publik që u përfitua nga biznesmeni i burgosur

Tenderi nga Komuna e Ferizajt që e fitoi "El Chapo" kosovar.Hulumtimi i plotë në #Insajderi. https://goo.gl/aMTY9U

Posted by Insajderi on Tuesday, 11 July 2017

KRPP: Kompania e të burgosurit është dashur të eliminohej nga gara

Insajderi ka kërkuar një shpjegim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me rastin e tenderit të përfituar nga biznesmeni i burgosur. KRPP-ja në një përgjigje dhënë Insajderit ka pohuar se veprimi i autoriteteve komunale të Ferizajt përbën shkelje ligjore.

Sipas KRPP-së, neni 65 i këtij ligji obligon autoritetet komunale që të diskualifikojnë nga gara kompanitë private, drejtuesit e të cilave kanë qenë apo janë të dënuar për kryerje të veprave penale.

“Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara; është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos…”, thuhet në përgjigjen e KRPP, ku citohet neni 61 i Ligjit të Prokurimit Publik.

Autoritetet komunale duke shpallur fitues kompaninë Linda Sh.P.K nga Ferizaj kanë shpërfillur këto kërkesa të obligueshme ligjore të prokurimit publik. Autoritetet komunale të Ferizajt nuk kanë dhënë shpjegime se si kanë pranuar dokumente të nënshkruara nga Milaim Berisha, emri i të cilit më pas është publikuar si person kontaktues.

Insajderi ka dërguar pyetje edhe në adresën zyrtare të kompanisë private Linda Sh.P.K. Përgjegjësit e kësaj kompanie janë pyetur se si ka ndodhur që deklarata nën betim dhe dokumente tjera të figurojnë të nënshkruara nga Milaim Berisha, i cili gjendet në burg. Përgjegjësit e kësaj kompanie ende nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë skandal./Insajderi.com

LEXONI HULUMTIMIN E PARË:

“EL CHAPO” KOSOVAR QË ARRITI TË PËRFITOJË MBI 1 MILION EURO NGA TENDERËT PUBLIKË (I)

Historia e "El Chapo's" nga kosovar

#Insajderi dhe Democracy Plus sjellin hulumtimin "El Chapo" kosovar që përfitoi mbi 1 milionë euro derisa ishte në burg. https://goo.gl/oErCQv

Posted by Insajderi on Monday, 10 July 2017