Transaksionet e dyshimta nga fondi i 3 %-shit – tërheqje parash deri në vitin 2012

Qindra mijëra euro janë tërhequr nga ky fondi  i 3 përqindëshit mes viteve 2006-2011. Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta. Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa. E, Mustafa ka heshtur.

Transaksionet e dyshimta nga fondi i 3 %-shit – tërheqje parash deri në vitin 2012

Bujar Bukoshi e Isa Mustafa kanë vite që i kanë ndarë rrugët politike. Por, paratë e Fondit të Republikës së Kosovës, i njohur si 3 përqindëshi, i kanë mbajtur gjithmonë bashkë.

Qindra mijëra euro janë tërhequr nga ky fond prej Bujar Bukoshit. Ish-kryeministri në ekzil thotë se e kishte bekimin e kryeministrit aktual, Isa Mustafës.

Nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Gazeta Insajderi ka siguruar një dokument konfidencial të Qendrës së Inteligjencës Financiare (FIC) që është hartuar gjatë hetimeve kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe të tjerëve, në vitin 2012. Raporti hetimor i ishte dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ai ishte përdorur vetëm gjatë hetimeve për tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/1933796746846146/videos/1951355448423609/” width=”700″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

Kurrfarë hetimi nuk ishte kryer për këto transaksione, të cilat FIC i cilëson të dyshimta.

Dokumenti flet për tërheqje të  mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011.

Këto para janë tërhequr nga bankat  në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.

Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ- ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë. 16 transaksionet bëhet fjalë për shtatë, deri në 50 mijë euro.

Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa.

Bukoshi ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet e këtij fondi me arsyetimin se kjo çështje tashmë është e mbyllur për të. Ka thënë se paratë janë tërhequr nga Naser Osmani, deputet i LDK-së dhe Atdhe Gashi, ish këshilltar i tij.

Osmani e Gashi kanë mohuar se kanë pasur qasje në llogaritë bankare jashtë vendit. Kanë thënë po ashtu se këtë detyrë brenda Kosovës e kanë pasur deri në vitin 2006. Pretendojnë se kanë tërhequr shuma të vogla parash nga një llogari në Bankën Private të Biznesit për pagesa të zyrave, punëtorëve e shpenzime tjera për UFORK-un.

E, Mustafa, ish-ministër në Qeverinë e Bukoshit në Ekzil, nuk ka pranuar të flas për këtë çështje. Mustafa kishte thënë në vitin 2000 se në fond kishin mbetur edhe 50 milion marka gjermane.

3perqindeshi_04

Transaksionet

Raporti i hetimeve financiare të FIC-it mban datën 27 mars 2012. Dyshimet kanë të bëjnë me pastrim parash. Dokumenti  është i klasifikuar si “konfidencialitet i rreptë”.

Analiza është kryer bazuar ne një kërkesë të Zyrës së Prokurorisë Speciale të 15 dhjetorit 2011 dhe 4 janar 2012. Kërkesat lidheshin me dyshimet për pastrim parash nga Ilir Tolaj, Bujar Bukoshi dhe të tjerë.

Hetimi i FIC-it thotë se Bujar Bukoshi është person i autorizuar për llogarinë e Fondit të Republikës së Kosovës.

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/n67xNzGYxhw” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]

Fondi është një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në Neë-Ulm të Republikës Fererale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin.

Në dokumentin hetimor thuhet se kryesit e këtyre transaksioneve nëpërmjet përshkrimit të tyre  kanë thënë se transferet kanë për qëllim të mbulojnë “shpenzimet mujore” ose “pagesat” për zyrë.

Por hetimi thotë se kjo nuk ka qenë e mundur të konfirmohet.

“Ky supozim nuk mund të konfirmohet nga përshkrimi i debiteve të llogarisë. Një pjesë e madhe e fondeve rregullisht transferohen te Union Fund for the Reconstruction of Kosovo (UFORK)*, thuhet në dokument.

“134,660 euro përmes 26 transfereve mes viteve 2006 dhe 2012. Janë shpenzuar 179,815 euro për  ‘shpenzime’ të paspecifikuara, ndonjëherë duke përmendur ‘zyrën e UFORK-ut’”, thuhet në këtë dokument.

Ish-kryeministri në Ekzil, që ka qenë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Hashim Thaçit dhe zëvendëskryeministër si pjesë e Listës “Ibrahim Rugova” drejtuar nga Ukë Rugova ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet konkrete të Insajderit.

Ka thënë se për të kjo çështje është e mbyllur. Shkurtazi ka thënë se garanton se asnjë cent nuk është keqpërdorur. Ka deklaruar se të gjitha paratë janë shpenzuar në projekte të shumta siç ishte rindërtimi i fshatit Çabër, busti i Skënderbeut, ndërtime rrugësh, urash, ambulancash e shkollash.

“Për mu kjo çashtje osht e mbyllur. Nuk ka asnjë cent keqpërdorime”, ka thënë ai. Para se t’i tregohej dokumenti, Bukoshi ka thënë se fondi ka funksionuar deri në vitin 2006. Kur e ka parë raportin ka thënë se këto transaksione kanë ndodhur..

“Po osht e vërtetë që janë tërheq për shpenzime. Paratë janë tërheq me vendim të Bordit. Pjesë osht edhe Isa Mustafa”, ka thënë Bukoshi.

Kur është kërkuar qasje në dokumente, është përgjigjur prerë: Jo, nuk bon. Kur i është thënë se kjo rritë dyshimet për keqpërdorime, Bukoshi ka thënë se mungojnë dokumentet sepse disa herë është thyer zyra e UFORK-ut në Prishtinë, ku janë vjedhur dokumente, hardiska, kompjuterë e gjëra tjera.

Bukoshi e ka pranuar se kurrë nuk është bërë një auditim i fondit, por një pasqyrë e shpenzimeve ka thënë se ishte publikuar në gazetën “Koha Ditore” vite më parë.

Ish-kryeministri ka deklaruar se fondi është shuar gradualisht me shpenzimin e parave.

“Nuk ka ma fond se nuk ka pare”, ka thënë ai.

 

Gashi e Osmani mohojnë tërheqjen e parave nga llogaritë jashtë vendit

3perqindeshi_05

Ish-këshilltari i Bujar Bukoshit, Atdhe Gashi ka thënë se në fond ka punuar prej vitit 2000 deri në 2006. Ka thënë se prej vitit 2004 ka qenë i autorizuar prej bordit drejtues të Fondit për të shkuar në Bankën Private të Biznesit  për tërheqje të mjeteve për shpenzime të fondit.

Ai ka thënë se tërheqja është bërë nga dy persona të autorizuar. Një kohë ka thënë se ka qenë i autorizuar Muhamet Shatri dhe ai. Pasi Muhamet Shatri kishte disa probleme familjare në Suedi dhe ishte larguar, bordi kishte autorizuar Naser Osmanin.

“Në bankë kemi shkuar çdo fund muaji, kemi tërhequr mjete për këto shpenzime: paga, karburant, pagesa të rrymës, ujit, internetit dhe shpenzime tjera”, ka thënë Gashi për të shtuar se ka pasur rast kur kanë tërhequr para edhe për pagesën e biletave të anëtarëve të kuvendit të fondit.

“Të gjitha këto janë tërhequr me autorizim të Bordit. Unë ia kam dhanë të gjitha raportet bordit. Mjetet janë tërhequr prej 2000 deri ne 7000 euro varësisht sa ka pasur nevojë”, ka sqaruar ai për Insajderin.

“Pra, unë personalisht nuk kom bo transfero nga jashtë Kosovës sepse nuk kam pasur të drejtë dhe se nuk kam qenë anëtar as i bordit, as i kuvendit. Kam qenë një punëtor i thjeshtë administrativ”, ka insistuar Gashi. Ai ka thënë se tri herë janë vjedhur kompjuterët, derisa herën e katërt janë vjedhur edhe bllokat financiar dhe dokumentet personale të fondit.

Shpjegim thuajse identik ka dhënë edhe Naser Osmani, i cili ka mohuar keqpërdorimet. Ka thënë se janë bërë shumë punë të mira me atë fond, sa që ka material për të shkruar libër. Edhe Osmani ka mohuar se ka pasur qasje në llogaritë bankare jashtë Kosovës.

“Unë kam qenë në Kosovë gjatë gjithë kohës. Kam pasur qasje vetëm në llogarinë e Fondit në Bankën Private të Biznesit. Për llogaritë jashtë bisedoni me Bujar Bukoshin sepse ai ka pasur qasje dhe ai e di”, ka thënë Osmani për Insajderin.

Fondi i Republikës së Kosovës ishte themeluar gjatë viteve të 90-ta për të ndihmuar popullin e Kosovës. Gjatë atyre viteve ishin paguar mësuesit dhe mjekët për punën e tyre. Gjatë luftës ky fond kishte financuar edhe luftën. Ndërkohë, pas luftës ishte përfshirë në aktivitete të rindërtimit siç është fshati Çabër, që ka kushtuar 5 milion e gjysmë euro për ndërtimin e 130 shtëpive, një shkolle dhe një ambulance.

Për këtë fond gjithmonë ka pasur dyshime, por kurrë nuk është dëshmuar ndonjë keqpërdorim apo transaksion deri sot.

Ditë më parë është publikuar një intervistë e Isa Mustafës dhe një storje për shuarjen në vitin 2000 të  ish-Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ministri i atëhershëm i Financave, kishte raportuar për herë të parë para Kuvendit të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e marsit të vitit 1998. Kishte thënë se kanë mbetur edhe 50 milion marka gjermane.

Drejtuesit e Fondit kishin refuzuar që paratë t’ia dorëzonin UNMIK-ut dhe Buxhetit të Kosovës./Insajderi.com