Tri problemet e Gjilanit premtojnë t’i zgjedhin 6 kandidatë

[Artikulli është pjesë e projektit për monitorimin e zgjedhjeve lokale 2017, mbështetur nga Friedrich Erbert Stiftung (FES).]

Tri problemet e Gjilanit premtojnë t’i zgjedhin 6 kandidatë

Prej pasluftës, politikisht, Komuna e Gjilanit i ka takuar vetëm dy partive. Në 17 vite, kjo komunë është udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nga viti 2000, për katër vjet kryetar ishte Lutfi Haziri, nga radhët e LDK-së. Pas këtij mandati, LDK e mori përsëri pushtetin, por me të vetmin dallim se kryetar ishte Xhemaj Hyseni. Ai udhëhoqi me Komunën e Gjilanit nga viti 2004, deri më 2007.

Pas shtatë vitesh qeverisjeje të LDK-së, pushtetin në Gjilan e fitoi PDK-ja – me kryetar Qemajl Mustafën, i cili shërbeu si lider për shtatë vite me radhë, deri në vitin 2013. Pas mbarimit të qeverisjes së PDK-së, në krye të Gjilanit u rikthye sërish LDK-ja me Lutfi Hazirin. Udhëhoqi me komunën deri në vitin 2017.

E katër vjet më pas, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, pesë parti do të rivalizojnë Lutfi Hazirin, i cili ka konfirmuar rikandidimin e tij për kryetar.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bajram Hasani nga Nisma për Kosovën, Kadri Rexhepi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Naser Morina nga Partia e Drejtësisë (PD) janë pesë kundërkandidatët e Lutfi Hazirit.

Partia parlamentare Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk ka paraqitur kandidat për kryetar komune. Kjo parti në zgjedhjet lokale në Gjilan do të garojë vetëm me një listë të kandidatëve për asambleistë.

Me 133 mijë e 724 banorë, Komuna e Gjilanit është komuna më e madhe e Anamoravës – në juglindje të Kosovës. Numri i qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote në zgjedhjet e fundit qendrore në këtë komunë ka qenë 99,033.

Mungesa e një sheshi në qytetin e Gjilanit është evidentuar si një mangësi e njërës prej gjashtë qendrave rajonale të Kosovës. Po ashtu, problem tjetër nga i cili vuajnë disa banorë të komunës, është mosrregullimi i rrugës së fshatit Kravaricë.

Mirëpo, tri problemet kryesore me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj komune, sipas një hulumtimi të Institutit për Zhvillime të Avancuara – GAP, janë:

Kanalizimet dhe kundërmimi i ujërave të zeza

Qyteti i Gjilanit tani e shumë kohë përballet me problemin e rrjetit të ujërave të zeza, i cili nuk është zgjidh tërësisht edhe pas investimeve të mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit. Gjatë këtij mandati (2013-2017), komuna ka fituar një donacion në vlerë afro 6 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza nga qeveria austriake. Problemi shfaqet veçmas gjatë reshjeve të shiut, qyteti shpesh vërshohet nga uji si pasojë e pamundësisë së gypave të kanalizimit për të thithur ujin. Problem me kanalizimet në Gjilan kanë edhe zonat që zyrtarisht konsiderohen se e kanë të instaluar sistemin e kanalizimeve. Banorët përgjatë rrugëve “Reshat Ymeri”, “Abdullah Presheva”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Adem Jashari” të cilat ndodhen në qendër të qytetit disa herë radhazi janë ankuar për bllokimin e shpeshtë të kanalizimeve. Banorët përskaj lumit “Stanishor”, deri në hyrje të fshatit Malishevë, përballen me problemin e kundërmimit të ujërave të zeza.

Mungesa e çerdheve publike

Komuna e Gjilanit ka vetëm një çerdhe publike. Komuna e Gjilanit ka pranuar gjatë vitit 2016/17 katër kërkesa zyrtare nga ana e bashkësive lokale dhe këshillave të fshatrave ku kërkohet rritja e numrit të çerdheve.

Ndotja e ambientit nga deponia e mbeturinave në fshatin Velekincë

Një ndër problemet më të mëdha me të cilin ballafaqohen banorët e fshatit Velekincë është edhe ndotja e ambientit nga deponia e mbeturinave. Mediat kanë raportuar për këto probleme e kryetari Haziri ka filluar gjatë mandatit projektin “Gjilani Riciklon”, që ka nisur dhe po punohet në vetëdijesimin e qytetarëve të Gjilanit mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe klasifikimin e mbeturinave të riciklueshme, proces ky që sjellë dobi të mëdha.

Premtimet e mbajtura dhe të pambajtura të kryetarit

Nga 22 premtimet që kishte dhënë Lutfi Haziri në fushatën zgjedhore të vitit 2013, ai e kishte mbajtur fjalën në 12 raste.

Në mesin e këtyre 12 zotimeve të përmbushura veçohen: Hapja e zyrës për Preshevën dhe rritja e përkrahjes për Luginën, mundësimi i grurit falas për të gjithë bujqit, asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Lladovë dhe Nasalë, ulja për njëqind për qind të taksave komunale dhe shlyerja e borxheve ndaj bizneseve. Katër premtime të tjera të tij, Haziri i ka gjysmë të përmbushura, derisa gjashtë premtime të tjera vetëm janë nisur, por nuk janë përfunduar. Sipas një hulumtimi të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, kryetari aktual i Komunës së Gjilanit nuk e ka filluar fare implementimin e një premtimi që e kishte dhënë katër vite më parë.

Profilet e kandidatëve për kryetarë

Nga gjashtë kandidatët për kryetarë të Komunës së Gjilanit, vetëm njëri prej tyre nuk është i lindur brenda territorit të komunës. Bajram Hasani nga radhët e NISMA-s ka lindur në Komunën e Vitisë.

Diferenca më e madhe ndërmjet moshës së kandidatëve është 13 vjet. Më i riu në moshë është Bajram Hasani, 45 vjeç, ndërsa më i moshuari është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, 57 vjeç.

Tre prej kandidatëve: Rexhep Kadriu, Zenun Pajaziti dhe Naser Morina ndajnë të njëjtin profesion. Kandidati i AAK-së, kandidati i PDK-së dhe kandidati i PD-së kanë kryer fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Bajram Hasani – NISMA

Bajram Hasani lindi më 15 korrik 1982 në Viti. Përfundoi studimet universitare në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë. Studimet postdiplomike i përfundoi në Universitetin e Tiranës, dega Marketing. Që nga themelimi i partisë Nisma për Kosovën, Hasani mban detyrën e kryetarit të degës së kësaj partie në Gjilan. Ai u emërua Ministër i Tregtisë në shtator të vitit 2017. Hasani është i martuar dhe ka katër fëmijë. Aktualisht jeton në Gjilan dhe është biznesmen i njohur.

Lutfi Haziri

Lutfi Haziri lindi më 8 nëntor të vitit 1970 në Gjilan. Përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, drejtimi Biologji. Që nga viti 1990 është anëtar i LDK-së. Ka shërbyer si ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal nga 2004 deri më 2006, dhe si zëvendëskryeministër i qeverisë nga 2006 deri më 2008. Për gjashtë vite, Haziri ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit por ka qenë i njohur edhe për ndikimin e tij në qendrën e LDK-së duke komentuar shpeshherë edhe kundër veprimeve të partisë.

Rexhep Kadriu

Rexhep Kadriu lindi më 5 janar të vitit 1668 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Studimet universitare i ka përfundoi në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti për Ndërtimtari dhe Arkitekturë – drejtimi Arkitekturë. Kadriu është edhe sipërmarrës dhe ka themeluar kompaninë e tij private për ndërtimtari. Është anëtar i AAK-së qysh nga themelimi i saj ne vitin 2001. Momentalisht, është nënkryetar i Gjilanit.

Zenun Pajaziti

Zenun Pajaziti lindi më 12 shtator të vitit 1966 në Gjilan. Studioi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ku specializoi në ndërtimtari. Pasluftës, u anëtarësua në PDK dhe momentalisht është kryetar i degës së kësaj partie në Gjilan. Ai ka shërbyer si ministër i Punëve dhe Brendshme nga viti 2006 deri më 2008 dhe më vonë edhe si zv/ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Aktualisht jeton në Gjilan. Ai ishte i përfshirë në skandalin e “Dosjes së Shefave” me Adem Grabovcin dhe ka qenë i shkarkuar nga posti i ministrit.

Naser Morina

Naser Morina lindi më 29 korrik të vitit 1963 në Gjilan. Studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti për Ndërtimtari dhe Arkitekturë – drejtimi Ndërtimtari. Ka punuar në Zyrën e Prokurimit në Gjilan, si mbikëqyrës profesional. 54-vjeçari prej vitesh shërben si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Është i martuar dhe aktualisht jeton në Gjilan.

Sami Kurteshi

Sami Kurteshi lindi më 5 qershor të vitit 1960 në Gjilan. Ka filluar Fakultetin Teknik në Prishtinë, derisa ka përfunduar për Shkenca Politike në Zvicër. Kurteshi ka qenë i burgosur politik në ish-Jugosllavi dhe anëtar i Kryesisë së KLMDNJ-së në Kosovë në vitet 1991-1996. Në vitin 1995 është larguar nga Kosova për të emigruar në Zvicër. Pas lufte, ai ka shërbyer si Avokat i Popullit nga viti 2009 deri më 2014.  Aktualisht jeton në Prishtinë ku edhe ka punuar si Avokat i Popullit, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës nga deputetë të PDK-së e LDK-së dhe pas këtij mandati kaloi në VV.