Ilir Rexhepi, anëtar i bordit në Ujësjellësin Prishtina, për një periudhë prej pesëmbëdhjetë muajsh shkeli ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, duke mbajtur post drejtues edhe në biznesin privat. Gjatë kohës sa vepronte në kundërshtim me ligjin, Rexhepi përfitoi edhe një tender për të realizuar një sondazh për kënaqshmërinë e konsumatorëve me ujësjellësit publik, ku përfshihet edhe ndërmarrja “Ujësjellësi Prishtina”, ku ai mban postin e anëtarit të bordit.
Menaxhmenti i Ujësjellësit Prishtina ndihej krenar kur më 30 nëntor të vitit të kaluar ishte përfaqësuar në një samit në Hungari nga Ilir Rexhepi, anëtar bordi në Ujësjellësin Prishtina dhe Ilir Abdullahu, kryeshef i kësaj ndërmarrje.
Komunikatën për media e kishin titulluar “Ujësjellësi Rajonal Prishtina përfaqësohet denjësisht në Samitin e Ujit në Budapest, Hungari”.
Por, njeriu që e përfaqësonte denjësisht këtë ndërmarrje, vetëm shtatë ditë më herët, në cilësinë e biznesmenit ishte zhytur në një marrëdhënie të dyshimtë me Ujësjellësin Prishtina.
Kompania private “Instituti Kosovar për Menaxhim”, e themeluar dhe e drejtuar atëkohë nga Rexhepi kishte fituar tenderin në vlerë prej afro 4 mijë eurosh, për kryerjen e një sondazhi për kënaqshmërinë e konsumatorëve me shërbimet e ndërmarrjeve publike të ujësjellësve dhe kanalizimeve.
Në tender, përfshihej edhe Ujësjellësi Rajonal Prishtina, në të cilën Rexhepi mban postin e anëtarit të bordit.
Kontraktimi i kompanisë së Ilir Rexhepit
Procedurat tenderuese u udhëhoqën nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, me kërkesë të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit.
Ky institucion kërkonte që të dinte për gjendjen në sektorin për shërbimet e ujit dhe kanalizimit në Kosovë, duke marrë informacione lidhur me kënaqshmërinë e konsumatoreve për ofrimin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit në Kosovë.
Kompania private “IKM”, drejtuar atëkohë nga Ilir Rexhepit u vlerësua si më e mira krahas pesë konkurruesve tjerë në tender.
Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës së këtij tenderi, kontrata ishte parashikuar të nënshkruhej me 21 nëntor të vitit 2016. Oferta e kësaj kompanie ishte në vlerë prej 3 mijë e 990 eurosh.
Ishte paraparë që puna të kryhej brenda 40 ditëve.
Rexhepi, anëtar bordi në Ujësjellësin Prishtina që nga viti 2015, kur u kontaktua nga Insajderi deklaroi se përfitimi i këtij tenderi nuk përbën konflikt interesi.
“Kompania IKM është zgjedhur në përputhshmëri me legjislacionin e prokurimit publik, dhe se ARRU dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit, përmes së cilit ishte dhënë ky tender, funksionojnë plotësisht te pa varura nga KRU Prishtina”, deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se projekti ka pasur për qëllim hulumtimin e opinionit për shërbimet e ujit në të gjithë Kosovën dhe se anketimet e qytetarëve nga ana e anketuesve të IKM-së janë zhvilluar së bashku me anëtarët e komisioneve këshilluese të konsumatorëve nga Agjencisë Rregullative të Ujërave dhe Kanalizimeve.
Sipas tij, ekziston edhe një fakt shtesë që forcon argumentin e pretenduar për mungesë të konfliktit të interesit. Rexhepi pohoi se ai më nuk është drejtor ekzekutiv i kompanisë IKM, të cilën e ka themeluar.
Por, dorëheqja e tij nga kjo pozitë është bërë disa muaj pas përfitimit të tenderit.
Rexhepi para se të largohej nga kjo pozitë kishte bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2016, në mars të atij viti.
Kishte shënuar se “Institutin Kosovar për Menaxhim”, e themeloi në vitin 2010.
Po ashtu, ka shënuar se aty posedon 100 për qind të aksioneve.
Rexhepi u detyrua të zgjedh mes kompanisë private dhe ndërmarrjes publike
Dokumentet publike tregojnë se largimi i Rexhepit nga pozita e drejtorit ekzekutiv në kompaninë private IMK, nuk ishte bërë me iniciativë të tij. Ishte i detyruar nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Ai kishte vepruar në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit për një periudhë të gjatë kohore. Rexhepi ishte duke e shkelur këtë ligj që nga emërimi i tij, më 30 tetor 2015 e deri në shkurt të vitit 2017.
Agjencia Kundër Korrupsion, më 8 shkurt të vitit 2017, publikoi vendimin lidhur me hetimet e zhvilluara ndaj Rexhepit.
Në vendim tregohet se Rexhepi ishte duke vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi që mbante njëkohësisht postin e anëtarit të bordit në Ujësjellësin Prishtina dhe postet e drejtorit në dy bizneset private, IKM dhe “Leadership and Development Consultancy”
Rexhepi sipas vendimit të AKK-së, me 3 shkurt 2017 ka dërguar në këtë institucion shkresat zyrtare me të cilat dëshmonte se është larguar nga funksioni menaxherial në “Institutin Kosovarë për Menaxhim” dhe në biznesin privat “Leadership and Development Consultancy.
Agjencia Kundër Korrupsion mori vendim për ta mbyllur rastin me 8 shkurt, për shkak se Rexhepi e shmangu konfliktin e interesit në të cilin gjendej, por thotë se mund ta rihapë në çdo kohë që paraqiten rrethana të reja. /Insajderi.com