Biznesmeni Gazmend Abrashi, njëherësh nënkryetar i AAK-së, ka vendosur që të mos ua japë të plotë në euro pagën punëtorëve të tij. I ka detyruar që për një pjesë të pagës të marrin mallra në marketet e “Maxi”-it. Ky veprim, sipas Inspektoratit të Punës, përben shkelje ligjore.
Gazmend Abrashi kur konkurrente për deputet jepte një premtim të fortë. Në videon promovuese, në të cilën Abrashi bënte një ecje të shpejtë në afërsi të biznesit të tij “Maxi”, thoshte se po angazhohej që vendit t’i jepte një drejtim të ri.
Drejtimi i ri, sipas tij, nënkuptonte bërjen e Kosovës një vend atraktiv për të jetuar e punuar.
Humbja e garës për deputet ia pamundësoi realizimin e këtij synimi nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi.
Por, ndonëse Abrashi u shfaq me këtë ambicie të mëdha në nivel republikan, sipas rrëfimeve të punëtorëve të tij, ai nuk ka arritur ta bëjë vend atraktiv për të punuar as rrjetin e hipermarketeve “Maxi”, pjesë e kompanisë “Exclusive Group”, e cila është në pronësi të Abrashit.
Disa punonjës të këtij rrjeti kanë treguar për Gazetën Online Insajderi për pakënaqësitë e tyre me menaxhmentin e kompanisë “Exclusive Group”.
Kompania, në fillim të këtij viti, ka vendosur që punëtorët t’i obligojë që të blejnë mallra në marketet e saj. I ka obliguar duke i prekur në pagë.
Menaxhmenti i Exclusive Group, pjesë e së cilës është rrjeti i marketeve “Maxi”
Nëse një punonjës ka pasur pagën 200 euro, tash merr vetëm 170 euro. Obligohet që 30 eurot e tjera t’i merr mall në “Maxi”. Punëtorëve iu jepet një çek nga kompania ku tregohet shuma e lejuar për blerje të mallrave. Tregohet edhe data e skadimit të validitetit të çekut. Punëtorët obligohen që të blejnë harç në ‘Maxi’ brenda afatit të validitetit të çekut.
“Ky çek është pronë e “Exclusive Group”dhe i njëjti mund të emitohet vetëm nga “Exclusive Group” për nevoja të punonjësve të “Exclusive Group”. Blerja-shfrytëzimi i çekut mund të bëhet vetëm njëherë, dmth vlera e shënuar në çek shfrytëzohet si tërësi dhe nuk ka mundësi të ndryshimit në vlerë monetare apo kthim të kusurit gjatë blerjes. Ky çek pas datës së skadencës është i pavlefshëm”, thuhet në pjesën e prapme të çekut të lëshuar nga kompania në pronësi të biznesmenit Gazmend Abrashi.
Ky veprim shihet si i kundërligjshëm nga Inspektorati i Punës, i cili operon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Në bazë të Ligjit të Punës paga jepet së paku njëherë në muaj, në vlera monetare (Euro). Pagesa në mallra nuk lejohet”, i ka thënë Insajderit, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.
Ibrahimi ka shtuar se Inspektorati do të bëjë inspektimin e të gjitha marketeve në Kosovë, për të shikuar nivelin e respektimit të Ligjit të Punës.
“…Marketet (të vogla dhe te mëdha) do te inspektohen shumë shpejtë”, ka shtuar Ibrahimi.
Me qëndrimin e Inspektoratit nuk pajtohet menaxhmenti i kompanisë “Exclusive Group”. Kjo kompani në pronësi të Gazmend Abrashi punëson mbi 400 veta në Kosovë dhe Shqipëri.
Është përfaqësuese dhe distributore e brendeve të njohura botërore të konsumit të gjerë, distributore e produkteve farmaceutike si dhe posedon rrjetin e marketeve “Maxi” në Prishtinë.
Maxi: Vepruam bazuar në ligj
Ibrahim Sekiraqa, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë për Insajderin se “Exclusive Group”, ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Duke marrë parasysh që konsumatorët më të mëdhenj dhe më të shpeshtë të kompanisë sonë (Maxi) janë punonjësit tonë, kemi inventuar produktin e çekut i cili jepet nga 8% deri ne 12% të vlerës së të ardhurave personale të të punësuarit”, ka treguar Sekiraqa për Insajderin.
Sipas tij, ky vendim është marrë në harmoni dhe pëlqim të pjesës dërrmuese të stafit.
“…dhe i njëjti parapëlqehet me politikat e brendshme të marketingut që është pjesë e brendshme e organizimit tone”, ka pohuar Sekiraqa. Ai ka shtuar se kompania ka konsultuar bazën ligjore para marrjes së këtij vendimi.
“Paraprakisht në konsultim me ligjin nuk kemi hasur asnjë pengesë ligjore për implementimin e kësaj marrëveshje. E njëjta nuk prek kontributet pensionale, tatimore dhe kontributet e tjera të pagueshme nga punëdhënësi, dhe se pjesa tjetër e pagës paguhet përmes llogarisë bankare të punonjësit”, ka shtuar Ibrahim Sekiraqa, drejtues në rrjetin e marketeve “Maxi”.
Derisa Sekiraqa pohon se gjithçka është në rregull, sektori biznesor ku ai mban pozitë drejtues vlerësohet si një prej shkelësve më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve.
Ky fakt është përmendur nga Inspektorati i Punës, në një konferencë të mbajtur para disa ditësh. Kryeinspektori Basri Ibrahimi në këtë konferencë pati publikuar raportin e gjetjeve për vitin 2016 si dhe planin e punës për vitin 2017.
“…në bazë të analizave në teren është vendosur të inspektohen më shumë ato lloje biznesesh ku është konsideruar që ka më pak respektim të të drejtave të punëtorëve siç janë: kompanitë e sigurimit fizik, kompanitë hoteliere, marketet e vogla, industria e përpunimit të drurit, furrat e bukës, sistemi privat shëndetësorë, arsimor si dhe kompanitë ndërtimore”, pati deklaruar Ibrahimi.
Ndërkaq, raporti i Inspektoratit të Punës për vitin 2016 tregon se sektori privat në Kosovë ende nuk është vend atraktiv për të punuar./Insajderi.com
Artikullit i kontribuoi edhe Drenusha Canolli