Vazhdon saga – nga Presidenti tek Kryeparlamentari – ku do të përfundojnë Kurti dhe Mustafa?

Njomza Salihi

Vazhdon saga – nga Presidenti tek Kryeparlamentari – ku do të përfundojnë Kurti dhe Mustafa?

“Jemi pajtuar me Isa Mustafën që një orë pas certifikimit të zgjedhjeve, të takohemi dhe më pas ta finalizojnë marrëveshjen për 3 ose 4 ditë”, kishte thënë Albin Kurti më 22 nëntor.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare janë certifikuar vetëm pesë ditë më pas, më 27 nëntor. Fitues e tyre doli të jetë Vetëvendosje, duke u renditur më pas Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndonëse kanë kaluar hiç më pak se 51 ditë nga ky premtim madhor i Kurtit – ai dhe Mustafa nuk duket se janë afër arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, shkruan Insajderi.

Ku ngeci marrëveshja për “koalicionin e shpresës?

Duket se takimi i fillimit të dhjetorit ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës “përçau” Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dy partitë që tash e një kohë po tentojnë bashkimin për bashkëqeverisje, atë ditë nuk arritën të dakordoheshin kur erdhi puna te ndarja e posteve.

Pikërisht në atë moment – nisi saga VV-LDK – që tash e sa kohë s’ka fund, shkruan Insajderi

Isa Mustafa, pasi që zgjodhi i pari ministrinë e Punëve të Brendshme, njëra nga ministrit të cilën vazhdimisht e kërkonte Vetëvendosje, e vuri si kusht edhe pozitën e të parit të shtetit.

Përçarja u thellua edhe më shumë, kur për postin e kryeparlamentarit u nominua Glauk Konjufca, i cili më pas mori edhe votat eLDK-së, ndonëse ku nominim kishte ndodhur pa dijeninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po pa dijeninë e Isa Mustafës, Albin Kurti përmes një video bëri të ditur edhe emrat e ministrave nga partia e tij.

Por pas katër takimeve të pasuksesshme, në të cilat arrinin vetë të pajtoheshin që të takohen prapë, Kurti më 14 janar një ofertë të fundit siç thanë ata, përmes së cilës i propozonte Lidhjes Demokratike të Kosovës rritjen e numrit të ministrive.

Gazeta Insajderi e publikoi këtë ofertë, përmes së cilës LVV do të mbante pozitën e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e 2-të, një nënkryetar Kuvendi dhe 5 ministrit që ishin marrë vesh më parë. Derisa LDK-së ia lenin, zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri dhe dy zv.ministra më shumë.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhej tutje në propozim.

Pas një ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po me shkrim i është përgjigjur propozimit të Vetëvendosjes.

Isa Mustafa, insiston të marrë pozitën e kryeparlamentarit që zyrtarisht nga 26 dhjetori e ushtron Glauk Konjufca.

“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës)”, thuhet në propozimin e LDK-së, shkruan Insajderi.

Lidhja Demokratike, nuk është pajtuar me rritjen e numrit të ministrive.

“Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët”, thuhet më tej në propozimin e LDK-së.

Albin Kurti ka deklaruar se kjo është oferta e fundit që i dërgon LDK-së derisa Isa Mustafa deklaroi të mërkurën për mediat se takimi i ardhshëm do të jetë i fundit për marrëveshje ose jo.

Mbetët të shihet nëse gjatë ditëve të ardhshme të dy liderët do ta bëjnë “hapin e madh”, apo gjithçka do të kthehet përfundimisht në “fillim”?

Si nisi rrugëtimi i historisë së ‘dështuar’, Kurti-Mustafa ?

Takimet në mes të dy liderëve kishin filluar që nga 13 gushti.

Vend takimi i tyre fillimisht kishte qenë njëri nga hotelet e Prishtinës. Por edhe këto takime parazgjedhore kishin qenë të pasuksesshme. Ata nuk kishin arritur marrëveshje që në zgjedhje të shkojnë si koalicion.

Më 27 gusht Vetëvendosja konfirmoi se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor në mes të VV-së dhe LDK-së.

“Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinëzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor”, kishin thënë nga Vetëvendosje, shkruan Insajderi.

Kështu që nga fundi i gushtit të 2019-së, e deri pas zgjedhjeve saktësisht deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, nuk ka pasur më takime ndërmjet dyshes Kurti-Mustafa.

Takimi i parë dhe i shumëpritur ndërmjet Kurtit dhe Mustafës ndodhi më 22 nëntor 2019. Në këtë takim u morrën vesh që të nënshkruajnë marrëveshjen bashkëqeverisjes pas certifikimit të zgjedhjeve.

Takimi i dytë pas zgjedhor kishte ndodhur më 28 nëntor.

“U dakorduam të takohemi intensivisht ne dy krerët e dy subjekteve sepse doemos do ta bëjmë marrëveshjen”, kishte thënë Kurti.

Më 2 dhjetor, sërish Kurti ishte takuar me Mustafën. Ata prapë ishin dakoruduar të takohen siç kishte thënë Kurti për të biseduar për formimin e qeverisë së re.

“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për formimin e Qeverisë së re”, kishte thënë Kurti, shkruan Insajderi.

Disa ditë më vonë më 11 dhjetor, kishte qenë radha e zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, për të treguar pranë gazetarëve se dy liderët Kurti dhe Mustafa u takuan dhe u dakorduan që bisedimet t’i vazhdojnë.

“Të dy liderët, z.Mustafa dhe z.Kurt, janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim, deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje”, kishte thënë Mustafa.

Ndërsa më 13 dhjetor, anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, kishte dal në një prononcim për media pas takimit Kurti Mustafa dhe kishte treguar se ekipet e VV-LDK, u dakorduan që të vazhdojnë takimet në baza ditore.

“Jemi dakorduar që të vazhdojnë takimet në baza ditore”, kishte thënë Hoti. E në të njëjtën ditë, edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, kishte thënë se “u pajtuam që takimet tona të jenë më të shpeshta në të ardhmen”.

Në dhjetor kishte edhe dy takime tjera më 18 dhe 26, të dy partitë sërish kishin thënë se “jemi në kontakt të rregullt”.

Viti 2020, kishte nisur me takime për Kurtin dhe Mustafën. Takimi i tyre i radhës u mbajt më 6 janar – duke qenë poashtu i pasuksesshëm, shkruan Insajderi.

Më 7 janar, dyshja sërish ishin takuar dhe sërish nuk kishin arritur marrëveshje.

Kur më 8 janar deklaruan se i përafruan qëndrimet, të gjithë ishin optimist se marrëveshje ishte afër, por gjithçka u “rrënua” një ditë pas.

Në takimin e 9 janarit ata u distancuan edhe më shumë nga njëri-tjetri, duke vazhduar tash e sa ditë komunikimin vetëm përmes rrjeteve sociale.

Para takimeve kokë më kokë Kurti-Mustafa, të dy partitë kishin krijuar edhe dy grupe punese për harmonizimin e programeve.

Të njëjtit kishin zhvilluar gjashtë takime ku ishin marrë vesh për programin qeverisës./Insajderi.com