Vedat Muriqi – Njeriu me zemër të madhe që bëri krenar një komb

Insajderi dhe Insporti e shpallin Vedat Muriqin person të vitit 2019. Ai kontribuoi më së shumti në zgjimin e një kombi të tërë. Gjatë tërë këtij viti, kosovarët kishin një hapësirë ku ndjeheshin krenarë. Stadiumi ishte vend i krenarisë. Edhe kur luante jashtë Kosova, edhe kur luante në "Fadil Vokrri". Më meritori për këtë krenari ishte Vedat Muriqi. Ai është rritur paralelisht me kombëtaren e Kosovës. Nga një skuadër që pësonte debakël nga 6:0, Kosova u shndërrua në fituese dhe mori epitetin "Brazili i Ballkanit". Në anën tjetër, rritja e Muriqit është motiv për gjeneratat e reja. Një djalosh i rritur jetim e i ushqyer me buke, djathë e qepë ai tashmë ka arritur gjithçka në jetë: Është bërë milioner me punën e tij, pa vjedhur, dhe respektohet nga një komb i tërë.

Vedat Muriqi – Njeriu me zemër të madhe që bëri krenar një komb

Ishte qershori i këtij viti kur Muriqi ngriti në këmbë një komb të tërë.

Kosova ishte dukur humbur në “Vasil Levski” në Sofje, stadiumin ku ishin mposhtur shumë kombëtare të fuqishme të futbollit.

Pakkush besonte se Kosova e vogël do të arrinte të rikthente rezultatin, një veçori që është e patenduar për superfuqi të futbollit. Bullgarët ishin të sigurt për fitore. Por, dolën të gabuar. Në skenë do të shfaqej një njeri me zemër të madhe. Shkëputja e tij e jashtëzakonshme dhe momenti kur goditja e tij me kokë tund rrjetën mbetet momenti më i paharruar i vitit. Goli i tij i kishte dhënë zemër për të gjetur rrugën e fitores. Pas pak, erdhi edhe goli i tretë dhe Kosova arriti të formësojë epitetin “Brazili i Ballkanit”, duke shënuar fitore me rikthim rezultati.

Të njëjtën gjë, barazimin pas disavantazhit, që më vonë mundësoi fitoren, Muriqi e bëri edhe në Fadil Vokrri, kundër Çekisë në ndeshjen pasuese. Ai kishte ngritur në këmbë “Dardanët”, atëherë kur të gjithë ishin të zhgënjyer dhe nuk e besonin fitore.

Kthimi nga disavantazhi për të fituar ndeshjen, është veti e ekipeve të mëdha. Kosova këtë e bëri në dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe roli i Vedat Muriqit ishte vital në fitoret.

Muriqi me shokë e bëri një komb të tërë të ndjehet krenar për kombëtaren e futbollit dhe të mbajë gjallë shpresat se më 2020, Kosova do të mund të paraqitet në kampionat evropian.

Me 8 gola në 23 ndeshje në kombëtaren e Kosovës, Muriqi është golashënuesi më i mirë i kombëtares aktualisht, por në 2019-në ishte shumë më shumë se kaq.

“Amaneti” i babait futbollist dhe sakrifica e nënës që e shtynë Muriqin drejt suksesit

Viti 2019 është më i suksesshmi në karrierën e tij.  Por, nëse flasim për zemër dhe tipare të karakterit, atëherë duhet kthyer prapa në kohë, në Prizren dhe në fëmijërinë e Vedatit.

Si pasojë e sulmit në zemër në një fushë futbolli, kishte vdekur babai i Vedatit, sportist i dikurshëm, futbollist i Progresit për një kohë, të cilit nuk iu shua pasioni për futboll për së gjalli, ndonëse nuk u bë futbollist profesionist.

Kjo kishte ndodhur kur Vedati ishte 7-vjeçar, por, si shumë e shumë fëmijë në Kosovë, për ato 7 vjet kishte kaluar gjëra që karakterin e tij e kishin fuqizuar dhe ëndrrat fëmijërore i kishin tjetërsuar përgjithmonë.

Kishte kaluar luftën dhe kushtet ekstreme nëpër të cilat familja e tij mbijetoi, kishte parë sakrificën e hatashme të prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes për të mbijetuar me “dy litra qumësht për 50 anëtarë të familjes së gjerë” dhe gjithë atë që shqiptarët e Kosovës, fëmijë ose të rritur, e kishin përjetuar në vitet 1998/99.

Babai i tij, me të cilin Vedati sot e kësaj dite krenohet, është njeriu i cili ia nguliti në zemër dashurinë për futboll dhe e përgatiti se suksesi në sport kërkon dëshirë dhe sakrificë të madhe.

Mirëpo, nëse dashuria për futboll është trashëguar nga babai, ka qenë nëna, me të cilën Vedati i vogël ishte shumë i afërt, ajo që i sugjeroi të ushtrojë futboll dhe të merret me këtë sport.

“Para së gjithash, nëna ime donte që unë të isha futbollist. Ajo u përpoq aq shumë që të më bëjë futbollist. Pas luftës fillova futbollin, në moshën 8-9 vjeçare në skuadrën e Lirisë. Fusha ku ne ushtronim ishte larg shtëpisë, por nëna ime gjithmonë më motivonte të shkoja në ushtrime. Në moshën 16 vjeçare u bëra profesionist në Kosovë” kujtonte Muriqi copëza nga fëmijëria e tij në një intervistë që kishte dhënë për faqen zyrtare të Fenerbahçes.

Aty e tutje, tregimi i Vedat Muriqit është një trajektore që vazhdimisht shkon në ngritje. Që nga shkolla e futbollit e KF Liria ishte e qartë se nuk ishte një futbollist i zakonshëm. Djaloshi kishte potencial të rritej mbi 190 centimetra, por kishte talent dhe teknikë solide.

Ëndrrën e tij jashtë vendit, Muriqi filloi ta ndjekë pas shansit të parë që iu ofrua. Ishte ekipi i Teutës së Durrësit që vërejti potencialin e tij dhe i hapi Superioren e Shqipërisë si horizont të radhës ku Muriqi mund të shkëlqejë.

Muriqi, Vokrri dhe lagja e Prizrenit që mbështetë Fenerbahçen

Për Vedatin, si për shumë futbollistë nga Kosova, Superliga e Shqipërisë ishte trampolinë ideale, që i mundësonte lansimin nga fillimet modeste në Kosovë, për një karrierë solide në liga të forta.

Pikërisht pasi kaloi ca kohë në Teutë të Durrësit dhe në Besë të Kavajës, koha ishte për të ndërmarrë sfidën e madhe të radhës – transferin në Turqi.

Si 20 vjeçar, Muriqi u transferua në Giresunspor dhe tregoi se potenciali për gjëra të mëdha është aty. Përderisa adaptimin e lehtësonte fakti që e fliste gjuhën turke, duke qenë fëmijë i rritur në Prizren, sërish duhej motiv i madh dhe fuqi e madhe e karakterit, që në moshë aq të re dhe larg familjes ti përkushtohej futbollit tërësisht, në kërkim të sukseseve.

Por, sukseset nuk munguan dhe brenda dy vjetëve Muriqi, nga një sulmues premtues i Ligës së Parë u shndërrua në yll të Superligës së Turqisë dhe më 2019 ishte koha për momentin kulmor – transferin nga Rizespori në Fenerbahçe me vlerë mbi 3 milionë Euro.

Për djaloshin nga mahalla e Korillës në Prizren ky ishte realizim i ëndrrës, për adhuruesit e futbollit në Kosovë ishte vazhdim i një tregimi.

Vedati sot e kësaj dite e kujton momentin kur për herë të parë dëgjoi për Fenerbahçen, nga gjyshi i tij. “Kur u interesova për futbollin, kam pyetur familjarët me cilën ekip jeni? Pyesja xhaxhallarët, dhe nuk e harroj momentin kur e pyeta gjyshin tim, ai më tha “Unë jam Fenerbahçe”. U befasova sepse për herë të parë dëgjova për këtë ekip. Nuk e harroj kurrë shallin e gjyshit tim me shirita të verdhë dhe të gjelbër dhe kishte emblemën e Fenerbahçes. Gjyshi im me tha se një nga ish-presidentët tanë, Ali Şen është nga Prizreni”, kishte deklaruar Muriqi në një intervistë.

Fenerbahçe për kosovarët ka rëndësi të veçantë, pasi është klubi ku dikur paraqitej Fadil Vokrri, legjenda e futbollit kosovar dhe më pas kryetari i Federatës së Futbollit.

Figura dhe talenti i Vokrrit sot e kësaj dite çmohen shumë nga tifozët e Fenerit, kurse Muriqit po ia mundësojnë të ecë në një shteg tashmë të trasuar drejt suksesit nga një kosovar para tij.

Të gjithë këta faktorë, e krijojnë një lidhje midis sulmuesit më të mirë kosovar të viteve 80-90 dhe yllit të ri të sulmit që e ka gjenerata aktuale.

Karakteri i fortë i Muriqit është motiv për të tjerët- Nga “Bukë e djathë” në milioner

Nga koha e fëmijërisë, kur siç kujton Muriqi “ne kërkonim nga nëna bukë çdo mëngjes, ajo na jepte bukë, djathë e qepë dhe e dija që nëna ime po qante shkaku i pafuqisë së saj”, Muriqi sot është sulmues me pagë vjetor mbi 1 milionë Euro dhe me vlerë në treg, që po shënon rritje të vazhdueshme.

Por, të qenit milioner dhe super yll nuk është e rastësishme.

Bernard Challandes, përzgjedhësi i Kosovës në futboll thotë për Insportin se “Muriqi është sulmues tipik modern, i cili vrapon shumë, me zell kryen edhe shumë detyra defansive, di të tërheqë kundërshtarët dhe të krijojë hapësirë për bashkëlojtarët, por edhe të reagojë shumë mirë para portës kundërshtare”.

Trajneri veteran nga Zvicra, jo vetëm që e ka përcjell nga dora e parë zhvillimin e Muriqit, por ka kontribuar direkt në këtë proces. Ngritja e Përfaqësueses së Kosovës nga Divizioni D i Ligës së Kombeve, në një ekip që respektohet dhe ka gjasa të luajë në Euro 2020, është bërë krah më krah me rritjen e hatashme individuale të Vedat Muriqit, Milot Rashicës, Amir Rrahmanit dhe të tjerëve. Këta lojtarë kanë marrë kontrata më të mira në klube të forta, kanë treguar se nga Kosova mund të shkëlqehet në skenën evropiane, por edhe mund të mbrosh ngjyrat e shtetit asi soji që një popull i tërë të mburret me ta.

Po rritemi së bashku

Rritja e Përfaqësueses së Kosovës si ekip, e mundësuar pjesërisht nga rritja meteorike e Vedat Muriqit si futbollist është përcjell edhe nga rritja e Insportit, portalit për sport, të cilin me krenari e fuqizon Insajderi qe gati dy vjet.

Dëshira e tifozëve për t’u informuar për gjithçka rreth kombëtares dhe futbollistëve të saj ka qene motiv shtesë për përkushtimin e gazetarëve të Insportit në punën e tyre dhe për rritjen e madhe që e shënuam këtë vit.

Insajderi dhe Insporti e shpallin Vedat Muriqin person të vitit 2019, sepse rritja e tij profesionale ndikoi direkt në rritjen, për nga së paku një shkallë, të të gjithëve që preken nga puna e tij: klubeve, kombëtares, mediave, tifozëve dhe në fund Kosovës si shtet. Rritja e të gjithëve rreth tij e bën atë shembull për të tjerët, i jep shpresë një kombi të tërë, për 2020-ën, në kohën kur shpresa i duhet më shumë se kurrë, për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme.

Pikërisht për shkak të përmasave të tij si personalitet jashtë fushës, që i tejkalon përmasat impresive të tij në fushë dhe arritjeve specifike të sivjetshme, 2019-a është vit i Vedat Muriqit. / Insajderi.com