Video: Polici Shkumbin Jashari, vjedh kuletën me 1. 800 euro gjatë bastisjeve të lojërave të fatit

Videoja zbulon veprimet e dyshimta të Policisë. Aty shihet se pas orës 22 ishin fikur dritat e lokalit. Gjatë kontrollit, polici Milosh Zhivkoviq, hapë dollapin dhe sheh kuletën. Ai i tregon kolegut të tij, Shkumbin Jashari, i cili kapë kuletën dhe e fut në xhep. Jashari, është arrestuar të enjten për këtë veprim.

Video: Polici Shkumbin Jashari, vjedh kuletën me 1. 800 euro gjatë bastisjeve të lojërave të fatit

Një thënie e miliarderit, Bill Gates, me gjasë e ka ndikuar që zyrtari policor, Shkumbin Jashari, të harrojë se kush është.

“Kur ti ke para në dorë, ti harron se kush je. Kur ti nuk ke para në dorë, të tjerët harrojnë se kush je. Kjo është jeta”, citon Jashari, Miliarderin Gates në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Identifikimi i një kulete me 1.800 euro nga zyrtari policor, me gjasë ia ka kujtuar thënien e miliarderit sa i përket parave.

Orët e vona të bastisjes në një lokal të lojërave të fatit në Graçanicë, kanë rezultuar të begatshme për të.

Gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Qeveria, Jashari, ka vjedhur një kuletë me 1.800 euro. Hajnia e tij është filmuar krejtësisht nga kamerat e sigurisë së këtij lokali.

Si pasojë e këtij veprimi, Jashari është arrestuar të enjten nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “përvetësim i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.

Insajderi, ka siguruar videon e këtij akti, të cilën nuk e ka publikuar derisa janë kryer hetimet e para që kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarit.
IPK ka bërë të ditur arrestimin e zyrtarit policor, që ka shërbyer në Stacionin Policor në Graçanicë.

“Lidhur me këtë rast IPK ka kryer bastisjen në dy lokacione (shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit), me ç’rast janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale. Të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjithashtu, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Videoja zbulon veprimet e dyshimta të Policisë. Aty shihet se pas orës 22 ishin fikur dritat e lokalit. Gjatë kontrollit, polici Milosh Zhivkoviq, hapë dollapin dhe sheh kuletën. Ai i tregon kolegut të tij, Shkumbin Jashari, i cili kontrollon vendndodhjen e kamerave. Ai shkon edhe në dhomën e sigurisë për t’i parë pozitat se cilat kënde kapin kamerat.

Por, menaxherët e lokalit vendosin në ekran të televizorit vetëm katër kamera, e jo 16 sa ishin në lokal. Kur polici sigurohet se kamerat nuk janë duke e filmuar pjesën ku ndodhej kuleta, ai shkon kapë kuletën dhe e futë në xhep.

Pronarët e këtij lokali që kanë dashur të mbeten anonim, kanë treguar se si e kishin zbuluar këtë vjedhje.

“Ne i kemi shikuar të gjitha filmimet e bastisjeve në të gjitha lokalet. Kemi parë se si polici ka marrë kuletën”, ka thënë menaxheri i kësaj firme.

Ata e kanë raportuar rastin në IPK, çka ka rezultuar me arrestimin e zyrtarit policor.

Gjatë bastisjeve në këtë lokal shihet edhe komandanti i Stacionit të Gracanicës, Bratislav Trajkovic.

Insajderi, sjell këto pamje ekskluzive që implikojnë zyrtarët policor në krim.

Aksioni i Policisë, Doganës dhe Administratës Tatimore, ishte zhvilluar ditën kur Kuvendi me anë të një rezolute vendosi për mbylljen e lojërave të fatit.

Ky aksion ishte kryer me urdhër politik.

Insajderi, ka zbuluar se dy ditë para se Qeveria e Kosovës të miratonte Projekt-Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit më 22 mars, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nisi hetime ndaj pronarëve të lojërave të fatit, mirëpo për rreth dy javë ekzistonte një version i rrejshëm lidhur me nisjen e hetimeve ndaj bizneseve të lojërave të fatit.

Ky version ishte dhënë publikisht nga nënkoloneli i Divizionit Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Agron Nezaj, në një konferencë të jashtëzakonshme më 22 mars ku ishin paraqitur zyrtarë të Policisë, Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.

Pasi në të njëjtën ditë u bastisën dhe u mbyllën qindra lokale të lojërave të fatit, Nezaj doli në konferencë për shtyp për të dhënë detaje për aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Doganës dhe ATK-së.

“Policia e Kosovës, muaj më parë, apo thënë shkurt në fund të vitit 2018 ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Inicimi i këtyre hetimeve është bërë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, u shpreh Nezaj, teksa shpalosi të tjera detaje lidhur me aksionin e përbashkët të një sërë institucionesh kosovare.

Por, versioni i Nezajt lidhur me periudhën e inicimit të hetimeve për lojërat e fatit u demantua nga Prokuroria.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk i ka nisur hetimet në periudhën e fund vitit të kaluar, por vetëm dy ditë para se të bastiseshin qindra lokale të lojërave të fatit, kanë konfirmuar për Insajderin nga Prokuroria e Shtetit.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu i ka thënë Insajderit se bastisja e qindra lokaleve të lojërave të fatit më 22 mars, ka ardhur me urdhër të Gjykatës në të njëjtën ditë kur ishin bastisur lokalet – më 22 mars.

“Më 22.03.2019, sipas kërkesës së PSRK nga ana e Gjyqtarit të procedurës paraprake, është lëshuar urdhër për kontroll të lokaleve të këtyre bizneseve me ç’rast edhe Policia e Kosovës së bashku me prestarët e Doganave të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë realizuar urdhër kontrollin me ç’rast edhe nga zyrtarët e ATK-së, është bërë mbyllja – shiritimi i lokaleve në fjalë”, ka thënë Lutfiu në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Lutfiu ka saktësuar se hetimet ndaj pronarëve të lojërave të fatit kanë nisur vetëm dy ditë para mbledhjes së qeverisë, ku u miratua Projektligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 20.03.2019, ka marr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj 17 personave të dyshuar, pronar të bizneseve të lojërave të fatit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale: – Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm; – Shmangia nga Tatimi dhe – Kontrabandimi i Mallrave”, ka thënë Lutfiu.

Insajderi raportoi të mërkurën për padijeninë e Administratës Tatimore të Kosovës në lidhje me aksionin e 22 marsit, ku ishte i përfshirë edhe ky institucion.

ATK nuk e di pse i mbylli qindra biznese të lojërave të fatit.

Rreth dy javë pas këtij aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, ATK nuk e pati asnjë shpjegim se prej nga erdhi urdhri për bastisjen e lokaleve të lojërave të fatit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka qenë në gjendje të japë sqarim se me çfarë urdhri janë mbyllur qindra biznese të lojërave të fatit. Në një përgjigje për Insajderin, ATK ia ka faturuar Policisë së Kosovës të gjithë aksionin e 22 marsit, ndonëse edhe 161 zyrtarë të Administratës Tatimore kishin marrë pjesë në aksion.

“Aksioni i datës 22 Mars 2019 ka qenë aksion i Policisë së Kosoves, dhe për çdo informacion rreth këtij aksioni mund të adresoheni ne polici. ATK vetëm ka mbështetur këtë aksion”, thuhet në një përgjigje me shkrim të ATK-së për Gazetën Online Insajderi.

Operacioni i 22 marsit ka përfshirë mbi 1 mijë zyrtarë të ndryshëm qoftë të policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.

Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 161 zyrtarë të ATK-së dhe 77 të Doganës së Kosovës morën pjesë në këtë aksion. U mbyllën 35 lokale lojëra të fatit, ndërsa 118 aparate janë konfiskuar nga dogana. /Insajderi.com