VV-LDK marrin udhëheqjen e komisioneve të përhershme, në të kaluarën ato drejtoheshin nga opozita

Tri nga katër komisionet e përhershme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Buxhet dhe Financa, i kanë marrë nën udhëheqje dy partitë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kur dihet se edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve udhëhiqet nga një partner i dy partive më të mëdha, pra Lista serbe, rezulton që të katër komisionet e përhershme kanë rënë nën kontrollin qeveritar, duke prishur kështu traditën prej disa legjislaturash. Në këtë legjislaturë, Kuvendi do të ketë gjithsej 14 komisione parlamentare, dy më pak sesa në legjislaturën e kaluar.

VV-LDK marrin udhëheqjen e komisioneve të përhershme, në të kaluarën ato drejtoheshin nga opozita

Dy partitë në koalicionin qeverisës nuk janë treguar aspak të mëshirshme me opozitën, në ndarjen e komisioneve parlamentare. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë marrë udhëheqjen e komisioneve me të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Tri nga katër komisionet e përhershme, Komisionin për Legjislacion, Komisionit për Integrime Evropiane dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, i kanë marrë nën udhëheqje partitë në pushtet. Ndërsa, në legjislaturat e kaluara këto Komisione i ka udhëhequr opozita, gjegjësisht dy partitë që aktualisht janë në pushtet, LDK e VV.

Ndonëse nuk ka një rregull se cilin Komision duhet ta udhëheq cila parti, ndarja bëhet në bazë të një rregulli të përzgjedhjes. Por, zakonisht në legjislaturat e kaluara, këto Komisione i kanë udhëhequr opozita. Në këtë legjislaturë Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë për t’i udhëhequr, Komisionin për Buxhet dhe Transfere si komision i përhershëm, Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ndërsa, partneri i saj në qeveri, LDK-ja, ka vendosur t’i marrë dy Komisione të përhershme, Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionin për Integrim Evropian, ndërsa, do ta udhëheq edhe Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, si komision funksional. Ndërsa, në dy legjislaturat e kaluara, kur këto dy parti kanë qenë opozitë, kanë udhëhequr me këto komisione, shkruan Gazeta Insajderi.

VV dhe LDK shfrytëzuan bojkotin e PDK-së në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, duke marrë për vete kështu tri komisione të përhershme dhe duke i hequr mundësinë partisë më të madhe në opozitë të drejtojë njërin prej tyre. Kur dihet se edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve udhëhiqet nga një partner i dy partive më të mëdha, pra Lista serbe, rezulton që të katër komisionet e përhershme kanë rënë nën kontrollin qeveritar, duke prishur kështu traditën prej disa legjislaturash.

Në dy mandatet e kaluara, ministrja e tanishme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion ndërsa, LDK-ja me Komisionin për Integrime Evropiane. Tani kur këto parti kanë marrë pushtetin, opozitës ua kanë lënë disa komisione funksionale, ku pati edhe reagime nga partitë opozitare për kapje të shtetit nga partnerët në Qeveri, LDK e VV, duke filluar nga komisionet parlamentare.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se fakti që këto dy parti kanë marrë përsipër udhëheqjen e komisioneve kryesore, tregon se duan ta venë nën kontroll agjendën dhe kapjen e shtetit.

“Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies”, ka thënë Tahiri.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, do të udhëheq Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Derisa, AAK-ja do të ketë nën udhëheqjen e vet dy komisione, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe atë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Një komision do ta udhëheq edhe Nisma Socialdemokrate. Kjo parti do ta udhëheq Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Edhe monitoruesit e punës së Kuvendit kanë vënë në pah që këtë mandat partitë në pushtet kanë rrëmbyer komisionet kryesore në Kuvend, për dallim nga legjislatura e kaluar.

Agnesa Haxhiu nga KDI-ja ka thënë për Gazetën Insajderi, se nuk ka një rregull se cili komision, cilit grup parlamentar i takon, porse komisionet e përhershme janë udhëhequr nga opozita në mandatin e kaluar.

“Këtë legjislaturën dy prej komisioneve të përhershme, ai për Legjislacion dhe ai për Buxhet do të udhëhiqen nga shumica parlamentare për dallim nga legjislatura e kaluar që janë udhëhequr nga partitë opozitare. Mirëpo, në të kaluarën, në legjislaturat e mëparshme këto komisione jo gjithmonë janë udhëheq nga opozita sepse nuk ka një rregull të tillë që e përcakton që këto komisione duhet të udhëhiqen vetëm nga opozita”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, me përjashtim të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe atij për Mbikëqyrjen e AKI-së të cilat edhe sipas ligjeve përkatëse i takojnë opozitës që t’i udhëheqë, të tjerat komisione ndahen sipas formulës së përcaktuar dhe përzgjedhjes që bëjnë grupet parlamentare.

Në këtë legjislaturë, Kuvendi do të ketë gjithsej 14 komisione parlamentare, prej të cilave katër do të jenë të përhershme dhe 10 funksionale. Ndërsa, në mandatin e kaluar, legjislativi kishte 16 komisione parlamentare.  /Insajderi.com