Zbehja e shpresave për njohje nga pesëshja e BE-së

Njohja e Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian shihej si mision jo shumë i vështirë para disa viteve, por në prag të përvjetorit të tetë të shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të refuzohet nga pesë nga këto shtete

Zbehja e shpresave për njohje nga pesëshja e BE-së

Nëse zotimet e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës do të realizoheshin, atëherë Sllovakia dhe së paku edhe dy vende të tjera të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit, do të kishin bërë këtë gjë qysh në vitin 2013.

Por, rreth tri vite më vonë, në vizitën e parë në Kosovë, zëvendëskryeministri sllovak Miroslav Lajçak, nuk dha asnjë shenjë që vendi i tij ka ndryshuar qëndrim rreth pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Marrëdhëniet mes dy vendeve vazhdojnë të mos jenë në nivelin e dëshirueshëm dhe kjo u provua disa muaj më parë kur Sllovakia kishte votuar kundër anëtarësimin të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Sllovakia se bashku me Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron, vazhdojnë të jenë pesë vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Njohja nga cilido vend i BE-së konsiderohet më e rëndësishme se njohjet që mund të vijnë nga vende më të largëta të ndonjë kontinenti tjetër marrë parasysh aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane.  Përveç kësaj, do të fillonte shpërbërja e bllokut të pesëshes që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Analisti politik Imer Mushkolaj thotë se deklaratat e zyrtarëve kosovarë rreth njohjes nga “pesëshja” evropiane janë bërë “më shumë për konsum të brendshëm politik.”

“Qasja e tyre ndaj kësaj çështjeje ka qenë joserioze dhe ata nuk kanë punuar seriozisht që kjo edhe të ndodh,” thotë ai.

“Mosnjohja nga këto vende vazhdon ta dëmtojë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe kjo gjendje nuk pres se do të ndryshojë shpejt.  Të paktën jo me këtë qasje joserioze dhe të pasinqertë,” ka shtuar Mushkolaj.

Insajderi ka dërguar disa pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për të marrë më shumë informata rreth kësaj çështje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Rasti i humbur i Rumanisë dhe progresi i ngadaltë me Greqinë

Para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014në Rumani, ishte pritur që ky vend të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Kandidati më serioz për të fituar ato zgjedhje, Victor Ponta, ishte shprehur publikisht se ishte në favor të marrjes së një hapi të tillë kur të bëhet si i pari i shtetit rumun.

Ai kishte deklaruar se vendi i tij duhet që të ndjekë rrugën e shumicës së vendeve të familjes evropiane për Kosovën, raporton Insajderi.com

“Pozicioni i të tri institucioneve [presidencës, qeverisë, dhe ministrisë së jashtme] duhet të koordinohet, por edhe pse unë jam për një proces të shpejtë të njohjes, presidenti është më i kujdesshëm se unë, deri sa edhe ministrat e punëve të jashtme kanë pikëpamjet e tyre”, kishte thënë Ponta për mediet rumune.

Megjithatë, për fatin e keq të Kosovës, në një rezultat befasues në raundin e dytë të zgjedhjeve, Ponta ishte mundur nga kundërkandidatii tij, Klaus Iohannis.

Pas humbjes në zgjedhje presidenciale, Ponta u deshtë të pajtohej të vazhdonte punën si kryeministër i vendit, por as kjo detyrë nuk i zgjati meqë pasi u akuzua për korrupsion dhe evazion fiskal, u detyrua të japë dorëheqje.

Në anën tjetër, edhe pse Greqia vazhdon të mos njohë pavarësinë e vendit, viteve të fundit ka pasur një ndryshim gradual të qëndrimit grek.  Për më tepër, Kosova ishte lejuar të hapte një përfaqësi diplomatike në atë vend, por kjo nuk ka ndodhur ende.

Labinot Hajdari nga Qendra Kosovare për Diplomaci thotë se Greqia është treguar më konstruktivja në raport me Kosovën, “duke mbajtur kontakte të rregullta me institucionet e Kosovës”.

Sipas tij, shpresat për njohje eventuale nga Greqia u rriten pas vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme grek, Evangelos Venezios, të realizuar para dy viteve.

“Këtu ishte premtuar edhe hapja e një zyre ndërlidhëse për të intensifikuar komunikimin, si dhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes dy shteteve,” thotë ai.

“Njohja eventuale e Kosovës së pari nga Greqia, mund të shihet edhe si mundësi për të ndikuar në vendet e tjera të BE-së”.

Për dallim nga Sllovakia, Greqia dhe Rumania nuk kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO në nëntor të vitit të kaluar.

Qipro kërkon zgjidhje që kënaq edhe Serbinë

Vendi më refuzues i pavarësisë së Kosovës nga pesëshja e BE-së vazhdon të jetë Qipro.  Qipro dhe Serbia ndajnë historinë e fesë së përbashkët ortodokse, dhe që të dy shtetet kanë përkrahur njëri-tjetrin në disa dekadat e fundit.

Nga pesë vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, Qiproja është vendi i vetëm që nuk ka pasur asnjë zyrtar të përfshirë në misionin e EULEX-it në Kosovë.

Labinot Hajdari nënvizon faktin se Qiproja ka marrëdhënie të mira ekonomike dhe diplomatike me Serbinë.

“Qipro ka marrëdhënie të mira ekonomike me të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç Kosovës, por pjesa më e madhe e transaksioneve ekonomike ndërmjet Qipros dhe Ballkanit bëhet me Serbinë,” thotë ai.

“Qipro është e mendimit që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të dyja palët”.

Edhe Qipro kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në mënyrë që të Kosova të fitojë njohje nga këto vende, analisti Mushkolaj thotë së Kosova duhet të lobojë më shumë në këto vende.

“Institucionet kosovare nuk kanë lobuar sa duhet në pesë shtetet respektive dhe, në vend se politika e jashtme ta kanalizojë energjinë në lobim, kanë zgjedhur të merrem me të tjera gjëra,” ka thënë ai./Insajderi.