Qendra e Paraburgimit në Prizren, e shumëpërfolur gjatë kësaj jave për shkak të vdekjes tragjike të aktivitit të VV-së, Astrit Deharit, ka probleme me nivelin e lartë drejtues. Janë bërë rreth një vjet që kjo qendër udhëhiqet nga një zyrtar që nuk i plotëson kriteret për të qenë drejtues i këtij institucioni. Destan Zogaj ka zëvendësuar Ilir Gutajn, që u largua pas publikimit të skandaleve në media.
Sokol Zogaj, drejtori i Burgjeve të Kosovës, për rreth një vjet ia ka besuar udhëheqjen e Qendrës së Paraburgimit në Prizren një zyrtari që nuk i ka plotësuar kriteret për të qenë drejtues.
Ai e pati emëruar Destan Zogajn në postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Është i vetëdijshëm se njeriu të cilin e lartësoi në këtë pozitë nuk ka qenë i duhuri.
“Emërimi i tij [Destan Zogaj ] ka ndodhur vitin e kaluar. Sot morëm vendim që të shpallet konkursi për drejtor edhe u kry muhabeti”.
“Po Destan Zogaj ka qenë ushtrues detyre. Me siguri ai nuk mundet me qenë ushtrues i detyrës së drejtorit për shkak të atyre kritereve që janë. Po kryesorja është se sa të kryhen procedurat ai nuk do të jetë më”, ka thënë për Insajderin Sokol Zogaj, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për konkursin për Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndër të tjera është kërkuar që kandidati të ketë gjashtë vite përvojë pune profesionale dhe së paku tri vite në menaxhim.
Ndërkohë që Destan Zogaj sipas Sokol Zogajt ka qenë Instruktor (mbikqyrës) në këtë qendër, e cila është pozitë jo menaxheriale.
Para gjashtë ditësh, më 5 nëntor, është vendosur që të shpallet konkursi për drejtor të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Kjo qendër pati mbetur pa drejtor pas largimit nga detyra të ish-drejtorit Ilir Gutaj, në fund të vitit të kaluar. Ai ishte larguar pas publikimit në media të skandaleve që ndodhën gjatë mandatit të tij.
“Koha Ditore”, kishte raportuar se një prej të burgosurve kishte ndërtuar një “shtëpi” private brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ngjashëm siç kishte bërë Eskobar, kur kishte ndërtuar një burg special për t’i kaluar pesë vjet dënim.
Naser Kryeziu, i dënuar për vrasje, e kishte bërë këtë në bashkëpunim me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Adaptimin e një depoje në dhomë banimi dhe zyrë pune për Naser Kryeziun e kishte bërë një firmë private e një gardiani të Burgut të Prizrenit.
Për këto veprime ishte në dijeni ish-drejtori Ilir Gutaj, bashkëshort i deputetes së PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj, pati raportuar “Koha Ditore”.
Kjo histori dhe më pas largimi i Gutajt, sipas Sokol Zogajt ishin shkaktare që të merrej vendim në shpejtësi për ta emëruar një ushtrues detyre, i cili nuk i plotësonte kriteret.
“Jo për ushtrues detyre nuk i ka plotësuar kriteret [Destan Zogaj], por u vendos me një vendim të përkohshëm. Është dashtë me ba u.d për shkak të disa problemeve që janë bërë atëherë, s`kemi pas kënd edhe është zgjedh ushtrues detyre. Punën e ka kry mirë edhe tash vendosëm me ja shpallë konkursin”, ka thënë Zogaj për Insajderin.
Ai ka pohuar se brenda tri javëve do të përfundojnë procedurat e rekrutimit dhe do të zgjidhet drejtori i ri i Qendrës së Paraburgimit në Prizrenit.
I kontaktuar nga Insajderi, ushtruesi i detyrës së drejtorit Destan Zogaj, tha se nuk e din se cilat kritere nuk i plotësoi.
“Unë për herë të parë po dëgjoj, se ka pasur ndonjë kriter të pa plotësuar”.
“T`ju njoftoj më gjerësisht unë punoj këtu prej vitit 2000, kam kalu nëpër struktura të ndryshme prej oficerit deri në nivelin më të lart. Me nivel arsimor jam master i shkencave ekonomike prej 2007”, tha Zogaj për gazetën. /Insajderi.com