Insajderi ka zbuluar se Policia e Kosovës i ka dhënë tender në vlerë prej 1.5 milionë eurosh kompanisë All Zone, të lidhur me biznesmenin Valon Zymberi, i cili është duke u gjykuar për mashtrim. Ai akuzohet se ka mashtruar Policinë e Kosovës në vitin 2009. Tenderi i dhënë për këtë kompani shënon rastin e dytë brenda një viti, ku nga Policia e Kosovës shpërblehen kompanitë e lidhura me biznesmenë të akuzuar për mashtrim.
Ishte viti 2009 kur një veturë, në të cilën ishin dy drejtues të Policisë së Kosovës kishte ndaluar në fshatin Mazgit. Shpend Maxhuni, atëkohë zv.drejtor i Policisë dhe Fehmi Gjata, shef i operacioneve speciale kishin vërejtur diçka të dyshimtë tek një autoservis në këtë fshat.
Kishin zbuluar se një biznesmen që kishte fituar një tender në vlerë prej 208 mijë eurosh po e mashtronte Policinë e Kosovës.
Ai ishte kontraktuar për furnizim me një automjet special për trazira, por drejtuesit e Policisë vërejtën se në Mazgit një kamioni të transportit të mallrave po i montohej Topi i Ujit.
Denoncimi i drejtuesve të Policisë kishte çuar deri në dënimin e biznesmenit.
Valon Zymberi ishte dënuar pas tri vitesh, më 2012, për shkak se pajisjen e emërtuar Top Uji për shpërndarje të protestuesve nuk e kishte sjell origjinale, por e kishte montuar në Mazgit.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/thj8NEoKm6s” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Njëri prej ‘heronjve’ të asaj dite, Shpend Maxhuni tash mban postin e drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës. Pas shtatë vjetësh, atij i ka dal sërish me punë me kompani të lidhura me biznesmenin Valon Zymberi.
Por, Maxhuni nuk është më në rolin e para shtatë vjetësh. Institucioni që ai e drejton e ka shpërblyer kompaninë “All Zone”, me një tender që peshon mbi 1 milionë euro e gjysmë, për furnizim me jelek anti-plumb.
Policia ka njoftuar më 12 gusht për shpalljen fitues të kësaj kompanie dhe planifikimin për të nënshkruar kontratë me të, më datën 23 gusht të këtij viti.
Nënshkrimi i kontratës me këtë kompani do të shënonte rastin e dytë brenda një viti, ku Policia e Kosovës lidh marrëveshje me kompani të ndërlidhura me biznesmenë që në të njëjtën kohë i akuzon për mashtrime.
Insajderi, në muajin shkurt të këtij viti, pati zbuluar se kompania “Sodex Group”, që figuron në pronësi të Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, kishte fituar dy tenderë nga Policia e Kosovës. Vlera totale e tyre kapte shifrën e afro 700 mijë eurove.
Ndërkaq kompania Friends, ku bashkëshorti i saj ka rol udhëheqës e ka pasur të ndaluar të fitojë tenderë publikë për shkak të mashtrimeve që ka bërë në të kaluarën.
Policia hesht, nuk komenton afërsinë e kompanisë me biznesmenin e akuzuar
Njoftimi i autoriteteve policore është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Aty tregohet arsyeja e shpalljes fitues të konzorciumit të përbërë nga kompanitë: All Zone Sh.P.K, Seyntex SA dhe Procpm Sh.P.K.
Bazuar në këtë njoftim, oferta e këtij konzorciumit peshon 1 milionë e 591 mijë e 800 euro. Ky konzorcium kishte mposhtur pesë konkurrentë të tjerë në garë për tenderin furnizim me jelek anti-plumb.
Policia ka shënuar në njoftim se oferta e konzorciumi fitues ishte më e lira e përgjegjshme në krahasim me konkurrentët tjerë. Oferta më e lartë në tender ishte në vlerë prej 2 milionë e 84 mijë e 840 euro.
Insajderi ka kërkuar sqarime shtesë nga Policia e Kosovës lidhur me këtë aktivitet të prokurimit. Nuk ka marrë përgjigje. Autoritetet policore janë pyetur se pse pikërisht është përzgjedhur fituese kompania All Zone dhe se pse nuk i ka penguar fakti që kjo është një kompani që lidhet me Valon Zymberin, biznesmenin që Policia e Kosovës e akuzon për mashtrim.
Kompania All Zone në një përgjigje dhënë Insajderit ka pohuar se i ka plotësuar kushtet për të fituar tenderin nga Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se konsorciumi i udhëhequr nga All Zone sh.p.k është zgjedhur fitues për projektin në fjalë sepse i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara në Dosjen e Tenderit dhe të gjitha specifikat teknike si dhe duke ofruar çmimin më të lirë”, thuhet në përgjigjën me shkrim të kësaj kompanie.
Tutje përgjegjësit e kësaj kompanie kanë pohuar se kanë dorëzuar para autoriteteve policore vërtetimin tatimor si dhe vërtetimin nga gjykata që dëshmon se All Zone nuk është pjesë e ndonjë procedure hetimore.
Kompania është pyetur se pse ka ndryshime të emrave të pronarëve në regjistrin e bizneseve në Ministrinë për Tregti e Industri.
Në përgjigjet e kompanisë thuhet se nga shkurti i vitit 2015 është pronar “Pronar i kompanisë nga muaji Shkurt i vitit 2015 eshte Ragip Zymberi”. Kompania nuk pranoi të komentonte se pse u bënë ndryshime zyrtare në pronësinë e All Zone.
Më herët që nga themelimi i kësaj kompanie, pronar të saj figuronin Valon e Besnik Zymberi.
Kompania nuk komentoi lidhur me vendimin e autoriteteve gjyqësore të vitit 2002, që e shpall fajtor për mashtrim biznesmenin Valon Zymberi.
Insajderi ka marrë vesh se biznesmeni kishte apeluar vendimin dhe se aktualisht rasti i tij është në rigjykim.
Valon Zymberi është ende duke u gjykuar për mashtrim
Gjykata Themelore e Prishtinës, më 6 dhjetor të vitit 2012, pati shpallur fajtor biznesmenin Valon Zymberi. E pati dënuar me 8 muaj burg. Zymberi, po ashtu, obligohej që Policisë së Kosovës t’ia kthejë 208 mijë e 800 euro brenda 60 ditëve.
[fbvideo link=”https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2062428387316314/” width=”680″ height=”480″ onlyvideo=”1″]
I akuzuar pati parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi. Po ashtu, edhe Prokuroria e Shtetit ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar dënim më të madh.
“Gjykata e Apelit me aktvendimin me shenjën PA 1nr 236/13 i datës 19.11.2013 e ka aprovuar shkresën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kthyer çështjen në rigjykim”, ka thënë për Insajderin, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Apeli kishte kërkuar që të caktohej një ekspert nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të shqyrtonte këtë lëndë.
Gjykata Themelore, më 5 dhjetor 2014, kishte lëshuar urdhëresë që OSHP të caktojë një ekspert, i cili do të shqyrtonte të gjithë procedurën e tenderimit. Kjo urdhëresë nuk ishte përfillur nga OSHP-ja.
“OSHPP e ka njoftuar Gjykatën se nuk merret me këto ekspertiza . Kjo lëndë është në procedurë , për shkak të numrit të madh të lëndëve akoma nuk është caktuar data e mbajtjes së seancës së radhës “, ka shtuar Gashi.
Por cilat ishin argumentet që çuan deri në vendimin për dënim me burgim nga shkalla e parë gjyqësore?
Zymberi ishte dënuar me tetë muaj burg dhe detyrohej t’ia kthente Policisë së Kosovës shumën prej 208 mijë eurosh.
Gjykata Themelore para katër vjetësh kishte konkluduar se Zymberi në vitin 2009 kishte paraqitur të dhëna të rrejshme për të përfituar tenderin në vlerë prej 208 mijë eurosh.
Gazeta Express pati raportuar për vendimin e autoriteteve gjyqësore. Në aktgjykim, sipas raportimit të Express, thuhej se “Zymberi në cilësinë e menaxherit të N.T.Sh “Ideal Solution” prezantoi dokumentet për llojin e automjetit, autorizimin e prodhuesit nga Turqia, marrëveshjet me kompaninë “Yeni Balkan Makina”, disa foto të topit të ujit dhe të automjeteve të tjera speciale dhe në bazë të të gjitha këtyre efi ton tenderin në fjalë”.
Por, sipas aktgjykimit, Zymberi pasi fiton tenderin shkon në Gjermani, e blen një kamion për bartjen e mallrave në vlerë prej 15 mijë eurove dhe të njëjtin e sjell në Kosovë. Më pastaj në autoservise të ndryshme e bëri montimin e tij dhe e modifikoi dhe e përshtati që të funksionoj si Top Uji.
Para gjyqit kishte dëshmuar edhe Ramadan Raçi, pronar i auto-servisit “Auto Sistem”.
Raçi kishte pohuar se Zymberi ia kishte sjellë për montim kamionin transportues, topin e ujit dhe pjesët blinduese.
Po ashtu, gjyqi kishte marrë parasysh dokumentet doganore për blerjen e kamionit në Gjermani dhe certifikatën e lëshuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, ku është vërtetuar se kamionit transportues i është ndërruar destinacioni në kamion për trazira. Sipas autoriteteve gjyqësore në certifikatë nuk bëhet fjalë për top uji, ashtu siç është kërkuar në tender.
Gjatë procesit gjyqësor i akuzuari Zymberi ka fajësuar zyrtarët e prokurimit të policisë për tenderin, që sipas tij ishte i mangët në specifikimin e kërkesave. /Insajderi.com