Idriz Ajeti, pionier i gjuhës shqipe

Idriz Ajeti, pionier i gjuhës shqipe

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka mbajtur sot një mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e akademik Idriz Ajetit, ku u tha se ai do të mbetet pionier i gjuhës shqipe, i përjetshëm me veprat e tij.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se 13 shkurti ishte ditë e rëndë për mbarë vendin, pasi që Kosova humbi një akademik të jashtëzakonshëm.

“Ai ishte intelektual, pedagog dhe akademik i shkëlqyer i cili gjatë jetës së tij preku majat e shkencës. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Profesor Ajeti deri në vitin 1973 ka shërbyer në pozita të ndryshme menaxheriale, ndërkaq po këtë vit arriti kulminacionin e karrierës së tij si rektor i UP-së, ku shërbeu deri në vitin 1975, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Profesori Bardh Rugova, tha se Idriz Ajeti  ishte nismëtari i asaj që ka arritur Kosova.

“Idriz Ajeti është një ndër gjuhëtarët pionier të Kosovës, gjurmët e të cilit janë gjithkund ku vendi ka shënuar ndonjë të arritur.

Në emër të familjes me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua mbesa e akademikut të ndjerë, Remzije Ajeti, e cila tha se Idriz Ajeti do të jetë udhërrëfyesi më i mirë për gjeneratat e ardhshme.

“Çdo ditë e jetës të axhës Idriz, ishte paqe dhe shembull, të cilën e shkroi aq mirë. Për ne ai do të mbetet udhërrëfyesi më i mirë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, akademik Idriz Ajeti ndërroi jetë më 13 shkurt të këtij viti, në moshën 102 vjeçare, duke lënë pas vetes gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare./ Insajderi.com