Ilir Rexhepi: Një aktor shqiptar mund të luaj çfarëdo roli në film dhe teatër nëpër botë

12.10.2018 11:39
Ilir Rexhepi: Një aktor shqiptar mund të luaj çfarëdo roli në film dhe teatër nëpër botë

Në rolin e një sportisti serb, aktori nga Kosova, Ilir Rexhepi është bërë pjesë e serialit të njohur gjerman “Tatort”, që njihet si serial kult, më i dashuri për gjermanofolësit dhe me një histori gati gjysmëshekullore. Seriali nisi të transmetohej qysh në vitin 1970.

Episodi në të cilin luan edhe aktori shqiptar, i titulluar “Tod und Spiele”, më 8 tetor u shfaq në televizionet gjermane, austriake e zvicerane si ARDF, ORF dhe SRF.

“Është knaqësi të jem pjesë e “Tatort” si kult serial filmik i vendeve gjermanofolëse”, u shpreh Rexhepi.

Aktori shqiptar ka folur për Insajderin më shumë lidhur me rolin që i është dhënë nga produksioni i famshëm Warner Bros.

“Po, mund t’ju them se ky personazh i përshkruar sipas skenarit të filmit, rol i luajtur nga unë kësaj radhe, përshkruan një sportist me prejardhje nga Serbia dhe që flet serbisht. Mua mu ka besuar ky rol nga produksioni i famshëm Warner Bros për “Tatort”, dhe me shumë knaqësi e kam luajtur. Mendoj se ka aktorë të shumtë këndej me prejardhje nga Serbia, Bosna apo Kroacia, por ja që kësaj radhe iu ka dhenë ky rol një shqiptari. Unë flas disa gjuhë të huaja prandaj më ofrohen role të ndryshme”, ka thënë Rexhepi për Insajderin.

Ai më tej ka thënë se tash bota na njeh për të mirë dhe se tani është koha e shqiptarëve.

“Tash ne jemi në kohën kur bota po na njeh për të mirë, ne si shqiptarë po arrimë të prezentohemi pozitivisht gjithkund nëpër botë, sidomos në sferën kulturore dhe artistike. Unë kam luajtur role të ndryshme si shqiptar, kroat, rus, gjerman, qek, boshnjak, serb etj. varësisht nga gjuha dhe figurat e personazhet që duhej portetizuar në film apo serial. Më heret, role të shqiptarëve kanë luajt kryesisht të huajt nga Ballkani për produksione të ndryshme filmike botërore, ndërsa tani na angazhojnë edhe neve aktorëve shqiptarë. Eh, është koha e jonë tani”, ka thënë më tej aktori shqiptar.

Rexhepi ka treguar edhe se si e kanë pritur njerëzit në Kosovë rolin e tij në serialin gjerman.

“Të gjithë e kanë mirëpritur këtë episod filmik, reagimet i kam parë edhe nga premiera solemne para një muaji, ku me knaqësi ju tregoja ekipit dhe publikut se jam shqiptar nga Kosova duke i informuar per kulturën dhe traditat tona”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ka marrë vesh se si e kanë pritur në Serbi lajmin se një shqiptar luan rolin e një sportisti serb, Rexhepi ka thënë se kjo gjë nuk i intereson dhe e konsideron të parëndësishme.

“Mua nuk më intereson nëse i vjen dikujt inat në Serbi, sepse një shqiptar po arrin suksese në botë apo po i zevendëson ata me role në filma e televizione të jashtme. E konsideroj të parëndësishme këtë, një aktor shqiptar mund të luaj cfarëdo roli në film dhe teatër nëpër botë. Punë e madhe fort nëse do të kishte reagime negative në serbi, ne more jemi dhe do të mbetemi popull i lashtë me tradita dhe vlera të mëdha aristike”, është shprehur aktori nga Prishtina.

Më tej, Rexhepi ka thënë se shqiptarët duhet të punojnë edhe më shumë dhe përmes artit e kulturës të bëhen më të mirënjohur në botë.

“Në fund mund t’ju them se ne shqiptarët duhet të punojmë edhe më shumë, tani bota po na njeh dhe përkrahë gjithkund dhe të krenohemi se kush ishim dhe kush jemi. Përmes prezantimit të artit dhe kulturës tonë ne bëhemi edhe më të mirënjohur në botë”, ka thënë Rexhepi.

“Tatort” transmetohet në prime-time çdo të diel nga ora 20:15 në televizionet qëndrore publike gjermane, austriake dhe zvicerane si ARD, ORF, SRF dhe të tjera, ndërsa reprizohet pastaj në shumë televizione tjera evropiane dhe me gjerë.

Përveç Rexhepit, në këtë serial luajnë edhe aktorët e njohur: Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi, Rick Okon, Viktoria Meyer, Sybille J. Schedwill e të tjerë.

6 vjet më parë, Rexhepi kishte refuzuar një rol në një film kinemtografik gjerman, ku atij i ofrohej të luante rolin e një snajperisti serb, rol të cilin aktori nga Kosova e konsideronte negativ për shqiptarët. /Insajderi.com