Ish-deputeti i PDK-së akuzon Lushtakun: Merr përqindje nga kompania britanike

Naim Rrustemi akuzon Sami Lushtakun se është përfshirë në mënyrë të dyshimtë në një marrëveshje mes kompanisë së tij, Green Power dhe gjigantit britanik Fox Marble; marrëveshje të cilën ai nuk e pranon.

Ish-deputeti i PDK-së akuzon Lushtakun: Merr përqindje nga kompania britanike

Dikur i bashkonte Partia Demokratike e Kosovës, por që prej marsit të këtij viti, Naim Rrustemi i ka dalë kundër Sami Lushtakut, ish-bashkëpartiakut të tij. Arsyeja e përplasje mes tyre është biznesi.

Naim Rrustemi, i cili është përfaqësues i kompanisë për nxjerrje të gurëve Green Power, akuzon Sami Lushtakun se është përfshirë në mënyrë të dyshimtë në një marrëveshje mes kompanisë së tij dhe kompanisë gjigante britanike Fox Marble të cilën ai nuk po e pranon.

Kompania britanike Fox Marble Holding, e cila operon në Kosovë prej vitit 2012, bleu në muajin maj aksionet e kompanisë Green Power, pronare e së cilës figuron Florije Rrustemi, bashkëshortja e Naim Rrustemit.

Mirëpo, kompania e familjes Rrustemi prej muajit maj ka sfiduar marrëveshjen e shitjes së aksioneve të kompanisë.

Në një bisedë me Insajderin, Naim Rrustemi u shpreh sot se marrëveshja për shitjen e aksioneve të kompanisë së tij – Green Power – është zhbërë dhe nuk ekziston.

Kompania britanike me të hyra milionëshe, ndalon punën në Malishevë

“Është nënshkruar, por nuk është realizuar marrëveshja kurrë. Marrëveshja nuk është bërë me ligje të Kosovës, por me ligje të Anglisë. Nuk kemi pasur mundësi ta dërgojmë në institucionet kosovare të drejtësisë, pasi e gjithë kontrata është bërë nën juridiksionin britanik”, ka thënë Rrustemi.

Ish-deputeti që shërbeu gjatë legjislaturës së tretë të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se marrëveshja mes Green Power dhe Fox Marble është bërë nën presion. Ka akuzuar Sami Lushtakun, se bashkëpunon në mënyrë të dyshimtë me gjigantin britanik Fox Marble.


Naim Rrustemi, përfaqësues i kompanisë Green Power

“Edhe në momentin që ka ardhur Sami Lushtaku, me të 21-tin, unë kurrë se kam kuptuar çka është vlera e shtuar e tij; çka ka pasur Sami Lushtaku me u marrë me miniera?”, është shprehur fillimisht Rrustemi. “Edhe kur e kam kuptuar pas 1 jave që është duke përzier me Christoper Gilbert [drejtorin e Fox Marble për Kosovë, v.j], unë kam thënë se nuk kemi marrëveshje”.

Rrustemi pretendon se ish-kryetari i Komunës së Skenderajt merr një përqindje të fitimit të kompanisë britanike në Kosovë. Po ashtu, Rrustemi thotë se drejtori menaxhues për Kosovë i Fox Marble, Christopher Gilbert, ka kërcënuar me jetë përfaqësuesit e kompanisë së tij.

“Christoper Gilbert ka bërë kërcënime serioze për jetë ndaj përfaqësuesve të Green Power. Ai [Gilbert] i është referu emrit të Sami Lushtakut edhe e paguan Lushtakun diku rreth 5 mijë apo 10 mijë euro. 20 për qind apo 30 për qind të fitimit, siç kam dëgjuar unë, Gilbert ia jep Lushtakut”, ka deklaruar Rrustemi për Insajderin.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me ish-kryetarin e Skenderajt, por kontakti me të gjatë ditës së sotme ka qenë i pamundur.

“Si ndodhi ngjarja? Pse Fox Marble tentoi t’i blinte aksionet e Green Power?” 

Naim Rrustemi ka punuar për shtatë vite në kompaninë Fox Marble në Kosovë. Ai ka qenë drejtor menaxhues i kompanisë Fox Marble nga viti 2012, deri në muajin mars të vitit 2019.

Por, në muajin mars, siç deklaron Naim Rrustemi, ai është larguar nga pozita e tij në Fox Marble, kompani në të cilën kishte shërbyer si drejtor menaxhues dhe si konsulent.

Gjatë kohës sa kishte pasur marrëveshje me kompaninë Fox Marble, Naim Rrustemi shprehet se i kishte dhënë leje kompanisë Fox Marble që t’i shfrytëzonte edhe asetet e kompanisë së tij, Green Power – përfshirë këtu edhe guroren e Malishevës, të cilën Green Power e ka në shfrytëzim.

“Unë kam dashur ta kem tretmanin e njëjtë sikurse e ka Christopher Gilbert në Fox Marble, por ata nuk ma kanë ofruar dhe me kanë larguar”, ka rrëfyer Rrustemi. “Po, unë i kam lanë me i shfrytëzu asetet e kompanisë Green Power.”

Sipas Rrustemit, pas prishjes së marrëveshjes së tij me Fox Marble, i është ndaluar kompanisë Fox Marble që të kryejë punime në guroren e Malishevës.

Kompanitë e lidhura me deputetë të PDK-së “detyrojnë” Fox Marble të ndërpres punimet  

Si pasojë, Fox Marble ka tentuar të bëjë marrëveshje me kompaninë e familjes së Rrustemit.

“Marrëveshje janë mundu me bë… atë ditë kur kam dashur të bëjë marrëveshje unë, më kanë thirrë Samia, e kam pasur edhe kërcënime serioze”, rrëfen Rrustemi. “I kam pyetur se ‘çka është vlera e shtuar e Samisë në këtë drejtim?’ – nuk ma kanë shpjeguar. I kam thënë ‘çka lypë Samiu këtu?’ – prapë nuk më kanë shpjegu”.

Rrustemi thotë se marrëveshja ishte arritur nën masa frikësuese, dhe se për këtë e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.

“Më 26 mars të 2019, duke i përdor edhe njerëz të sigurimit fizik të Sami Lushtakut. Unë e kam lajmëruar rastin në Polici. Ka përdorur masa frikësuese Christopher Gilbert, me porosi, përmes disa njerëzve që nuk janë identifikuar”, ka deklaruar ish-deputeti i PDK-së.

Green Power, zyrtarisht në ARKB figuron në emër të Florije Rrustemit, bashkëshortes së ish-deputetit, Naim Rrustemi.

Kurse kompania Scope SHPK, e cila po ashtu ka tentuar të arrijë një marrëveshje me Fox Marble është në emër të Sadije Ramës, që është gruaja e Ilir Ramës, i cili është në bashkëpronësi me deputetin e PDK-së, Mergim Lushtaku, në kompaninë AIM, shkruan Insajderi.

Kompania britanike e cila tash e pesë vite vepron në Kosovë në nxjerrjen e mermerit dhe granitit në Kosovë, ishte vizituar para disa muajve nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai pati deklaruar se Fox Marble nga Kosova është kompania e parë e regjistruar në bursën e Londrës nga viti 2012 dhe operon edhe me ekspertizë të jashtme. /Insajderi.com