
Prishtinës i kanë mbetur shumë pak objekte të vjetra që dokumentojnë të kaluarën historike dhe trashëgiminë kulturore të vendit. Një ndër të paktat që i ka shpëtuar kësaj tendence masive për të shkatërruar e rindërtuar më pas, është objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, që daton prej peridhës pas Luftës së Dytë Botërore dhe njëherash është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Vlera e saj është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse dokumenton një periudhë të rëndësishme të arkitekturës kosovare dhe të zhvillimit shoqëror të Kosovës.
Në raportet mediale, ndërtesa rrezikon të rrënohet për shkak të ndërtimit të sallës koncertale. Të premten e kaluar, Ec Ma Ndryshe së bashku me DoCuMoMo Kosovo dhe organizata tjera të shoqërisë civile, kanë dorëzuar kërkesë për përfshirjen e ndërtesës së ish-Gërmisë në listën e Trashëgimisë Kulturore të mbrojtur pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve vartëse të saj. Qëllimi i kësaj iniciative është që të jepet mundësia e diskutimit publik për rëndësinë e kësaj kategorie të ndërtesave, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme institucionale për futjen e kësaj ndërtese në Listën e Aseteve Kulturore me Mbrojtje të Përhershme.
EC Ma Ndryshe përkujton që në bazë të ligjit në fuqi për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88 dhe Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje Nr. 05/2008, çdo ndërtesë e propozuar për mbrojtje nga personat fizikë apo juridikë, me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlerësimit për mbrojtje të përhershme. Andaj EC vlerëson se nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në ndërtesë derisa të përfundojë procesi i vlerësimit dhe të merret vendimi nga ana e komisionit të MKRS.
EC Ma Ndryshe bashkë me organizatat tjera nënshkruese shprehin shqetësimin e thellë për shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe kërkon nga Komuna e Prishtinës dhe të gjitha palët e tjera të interesit përfshirë edhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, të mos ndërmarrin hapa të ngutshëm në raport me ndërtesën e ish shtëpisë së mallrave Gërmia, sepse humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm. Në vijim gjeni rekomandimet e EC-it drejtuar institucioneve relevante:
– Kërkojmë urgjentisht nga Komuna e Prishtinës ta bëjë transparente punën e komisioneve dhe grupeve punuese për hartim të këtij projekti, si dhe të organizojë diskutim publik për këtë projekt kapital me interes publik.
– Nuk e kundërshtojmë ndërtimin e sallës koncertale dhe akomodimit të nevojave të komunitetit artistik të Kosovës. Por kërkojmë nga Komuna e Prishtinës dhe Bashkimi Evropian (si bashkëfinancues të projektit) të argumentojnë arsyeshmërinë e përzgjedhjes së lokacionit të ndërtesës dhe lokacioni i përzgjedhur të mos cenojë vlerat e trashëgimisë kulturore duke zhdukur shtresimet historike të qytetit të Prishtinës.
– Në bazë të ligjit në fuqi për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88, autoriteti i vetëm dhe final për përcaktimin e vlerave të trashëgimisë kulturore është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet vartëse të saj, andaj ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke konstatuar mungesën e vlerave të kësaj ndërtese është i pabazuar dhe jokompetent. I bëjmë thirrje MKRS që të përshpejtojë procesin e vlerësimit bazuar edhe në kërkesën tonë për shpallje të ndërtesës nën mbrojtje.
– Në bazë të ligjit për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88 dhe Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje Nr. 05/2008, çdo ndërtesë e propzuar për mbrojte nga personat fizikë apo juridikë, me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlerësimit për mbrojtje të përhershme. Andaj vlerësojmë se nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në ndërtesë derisa të përfundojë procesi i vlerësimit dhe të merret vendimi nga ana e komisionit të MKRS.