Kadare rikthehet në shtëpinë ku jetoi në vitet e komunizmit

Kadare rikthehet në shtëpinë ku jetoi në vitet e komunizmit

Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare ka jetuar gjatë periudhës së komunizmit, në një pallat të njohur nga shumëkush në hyrje të rrugës së Dibrës, në kryeqytet çeli të shtunën dyert për qytetarët në formën e muzeut. Vizitori i parë i shtëpisë muze ishte vetë gjeniu i letrave shqipe, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime.

Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij.

“Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar.

Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë.