Disa prej Dj-ve më të njohur që do të vijnë në KALA Fest që do të mbahet nga 20 deri em 27 qershor, janë Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann, UNDERGROUND RESISTANCE, Hot Chip, Peggy Gou e shumë të tjerë.

Bregdeti i jugut të Shqipërisë është shndërruar në vitet e fundit në një pikë të rëndësishme turistike, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e shumë ndërkombëtarëve për të kaluar pushimet e verës, por laramania e ngjarjeve kulturore atje ka qenë e zhvilluar vetëm nga disa organizime lokale.
Disa festivale të muzikës elektronike të organizuara nga kompani lokale kanë tentuar të vendosin një traditë të organizimeve por tash jugu i Shqipërisë është bërë edhe një pikë e rëndësishme për kompanitë ndërkombëtare të organizimeve.
Disa të tilla nga Britania e Madhe kanë vendosur që sivjet të organizojnë një festival një javor që do të ndodhë në plazhin e mrekullueshëm të Dhërmisë dhe në Gjipe. Me cmime jo të zakonshme për qytetarët shqiptar por normale për ata ndërkombëtar, festivali i quajtur “Kala” ka shitur me mijëra bileta për qytetarët jashtë Ballkanit.
“Kala” duket të jetë një nga ato festivale që përpos mënyrës së organizimit po tenton të ndryshojë edhe audiencën e festivaleve në bregdetin shqiptar. E këtë po e arrinë duke sjellë një listë të gjatë dhe të mrekullueshme të DJ-ve që do të performojnë gjatë një jave në festival.
“Kala” fillon me 20 qershor dhe mbaron me të 27-in dhe tashmë ka ofruar edhe bileta për të interesuarit që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Përderisa biletat për pushuesit jashtë këtyre dy vendeve janë sjellë prej 350 deri 500 euro për një javë, për adhuruesit lokal të muzikës elektronike cmimi për festival pa akomodim janë vetëm 50 euro.
Alan Crofton një nga organizatorët e “Kala Festival” i tha Insajderit se kanë punuar gjatë në krijimin e një koncepti të mirëfillt të festivalit që do të ndodhë në Dhërmi.
“Ne jemi një kompani me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që është e specializuar në organizimin e festivaleve në vendet evropiane. Festat për ne janë arsye për të sjellë njerëzit së bashku dhe KALA është një mundësi perfekte për ta bërë këtë, madje në një vend tepër unik sikurse jugu i Shqipërisë”, tha Crofton.
Organizatorët e festivalit po bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Turizmit në Shqipëri për të ofruar një marketing më të madh për turizmin shqiptar, e sipas Crofton, nuk ka mënyrë më të mirë sesa një festival që do të ngrehte drejt Shqipërisë një audiencë ndërkombëtare, që deri tani ka festuar e pushuar në bregdete të tjera që janë edhe afër Shqipërisë.
“Biletat që janë shitur janë blerë nga njerëz që vijnë prej vendeve të ndryshme, sikurse Afrika e Jugut, Amerika dhe shumë vende nga Evropa. Kanë mbetur edhe disa bileta që mund të blihen ketu”, ka thënë ai.
E këta adhurues të muzikës elektronike do të kenë rastin të kënaqen me muzikën që do të lëshojnë afro 80 Dj që do të performojnë në skena të ndryshme në Dhërmi dhe Gjipe gjatë një jave.
Disa prej Dj-ve më të njohur që do të vijnë në KALA Fest janë Tom Misch, Roy Ayers, Todd Terje, The Black Madonna, Moodymann, UNDERGROUND RESISTANCE, Hot Chip e Peggy Gou. Lista e plotë e DJ-ve gjendet në event. E organizatorët thonë se tashmë gjithcka është gati që festivali të nisë, dhe po i mirëpresin njerëzit qysh me 19 qershor./Insajderi.com