Autor: Sarandë Selimi

Pas propozimit të djeshëm të deputetit Haxhi Avdyli, për iniciativë ligjore për ndalimin e këngëve që promovojnë lëndët narkotike,u ngjallë një debat ndoshta aspak i pritur nga vetë deputeti.
Të menjëhershme ishin reagimet e ndryshme të qytetarëve e po ashtu edhe të menaxherëve të këngëtarëve të njohur kosovar. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i këngëtares Tayna, e cila u përmend nga deputeti pikërisht për këngën “Columbiana”, këngë kjo e cila ia dha famën këngëtares.
Sot, pikërisht për këtë temë në emisionin Frontal, u përballën deputeti Haxhi Avdyli, gazetari Vullnet Krasniqi dhe këngëtarja Tayna, shkruan Insajderi.
Deputeti Avdyli, vazhdon të qëndrojë në propozimin e tij edhe pse duket që e ka zbutur pak atë. Ai sot tha se ka kërkuar që të futet në agjendën legjislative një mënyrë e censurës, jo në kuptim klasik të saj, por sipas tij, të sanksionohen disa fjalë të cilat nuk përkojnë me kulturën shqiptare.
“Ideja erdhi fillimisht si qytetarë. Këto këngë kanë qenë shumë të dëgjuara gjatë vitit 2018-të, dhe gjatë këtij viti gjuha e kemi parë që pati degraduar shumë. Duke marrë parasysh shqetësimin e shumë prindërve dhe shqetësimin tim si prind, kam ardhë në përfundim që duhet të bëjë diçka në këtë pjesë. Mendoj që ne si shoqëri jemi konservative, nuk jemi shoqëri që mund të ia kalojmë degradimit edhe të Shteteve të Bashkuara, por mendoj që ne si shoqëri i vlerësojmë veprat artistike që janë argëtuese për të rinj, ka shumë këngë të mira dhe repera të mirë që kanë bërë këngë dhe kanë përçuar mesazhe. Mendoj që shoqëria jonë ka shumë tema që mund të ngris duke i lënë anash kokainën e marihuanën”, pohoi Avdyli, duke theksuar me fjalë raciste se repi ka lindë në ghetoo të zezakëve.
“Ne nuk mund t’i ndalim këto. Jetojmë në shekullin e 21, në kohën e YouTube e gjërave të tjera, por ne mund të krijojmë mekanizma ligjorë që së paku nëpër televizione prestigjioze ato të sanksionohen. Të sanksionohen disa fjalë, ose të i vendosen disa shenja +18, deri këngëtarët ta kuptojnë që këto s’janë vlera”, ka thënë Avdyli, duke qenë i sigurt që ka 90% përkrahjen e qytetarëve të Kosovës për këtë propozim.
Ndërsa këngëtarja Doruntina Shala – Tayna, pas lidhjes direkte në emision, fillimisht e falënderoi deputetin për promovimin që ia ka bërë e gjithashtu, ajo i tha se është e lumtur që ai ia dëgjon dhe ia di të gjitha këngët dhe tekstet, duke qenë se janë edhe komshi.
“Nuk është përgjegjësi e artistëve t’i edukojnë fëmijët. Kur kam qenë e vogël babai im nuk më ka lejuar t’i dëgjoj dhe t’i shoh videoklipet e këtyre këngëve. Unë kam qenë fëmijë dhe ka dëgjuar këngë për fëmijë. Ata artistë nuk janë ndaluar që të bëjnë këngët e tyre vetëm pse unë mundem me i dëgju”, u shpreh Tayna, e cila po ashtu sqaroi edhe tekstin e këngës “Columbiana”, që sipas saj promovon edukatën.
“E fortë do të thotë që është e keqe edhe tym tregon që është e keqe për shëndetin tonë, edhe aty e përqeshi drogën nuk e promovoj por varet se si e kuptojnë të tjerët. Mendoj që ne nuk duhet ta marrim shumë afër zemrës atë që thuhet nëpër tekste. Nëse më ka përcjellë kaq mirë deputeti, këngët e mija janë ato që e promovojnë edukimin dhe gjithmonë vendosi libra në instagram gjë që e promovojë edukimin”, ka thënë Tayna.
E gazetari Vullnet Krasniqi, gjithë këtë diskutim dhe mënyrë të diskutimit e quan të kotë.
“Unë kur e kam parë dje diskutimin mendoj që kuvendi e ka krijuar një komision për punë të kota. Është pak a shumë e kotë mënyra se çka është diskutuar aty. Deputeti po thotë që duhet ta shohim gjuhën të cilën e përdorim por ai vetë sapo tha që hip hopi ka lindur në ghetoo të zezakëve. Fjalën zezak nuk duhet ta përdorim sepse është raciste. Për mendimin tim është katastrofike ky debat në kuvend e sidomos nga komisioni për shëndetësi, sepse të kishte qenë ndonjë komision tjetër si aj për arsim, për debat publik ose për mbikëqyrjen e televizionit publik ndoshta do të ekzistonte një lloj logjike e saj”, pohoi Krasniqi, duke theksuar se në Kuvendin e Kosovës, përdoret një gjuhë shumë seksiste e gjithashtu raciste, ku sipas tij, deputetët e akuzojnë njëri tjetrin në mënyra që as reperët më të mëdhenj në botë nuk kanë përdorë aso lloj fjalësh.
“Këngëtarët kur i shkruajnë tekstet ata bazohen në diçka. Ata janë një pasqyrë e një realiteti i cili është si pasojë e mungesës së shtetit. Komisioni për shëndetësi nuk duhet të merret me këtë, kur ne e kemi një spital në gjendje të mjerueshme, një spital i cili nëse shkon mund të dalësh edhe më i sëmurë se që ke shkuar. Këtu është problemi, pse ju qoheni dhe bëheni qendër e vëmendjes duke u marrë me këngëtarë kur kemi shumë probleme të tjera. Ra Tayna dhe u pa Haxhi Avdyli”, tha ndër të tjera Krasniqi.
Ndërkohë deputeti Haxhi Avdyli, vazhdon të qëndrojë prapa mendimit të tij duke thënë se do t’i shkojë deri në fund kësaj pune./ Insajderi.com