Këtë dokumentar fantastik për jetën e egër në Kosovë dhe në Shqipëri duhet ta shikoni patjetër

Këtë dokumentar fantastik për jetën e egër në Kosovë dhe në Shqipëri duhet ta shikoni patjetër

Ky prodhim është i pari dhe i vetmi në llojin e vet, që dokumenton nëpërmjet pamjeve të cilësisë së lartë kafshët e egra që gjallojnë në natyrën shqiptare.

Dokumentari natyror, i realizuar nën regjinë e Jeton Dajakajt, sjell një aventurë në terren të anëtarëve të shoqatës më të madhe të fotografëve shqiptarë të natyrës, Albanian Wildlife Photographers.

Dajakaj thotë se “si projekt pasqyron punën e një grupi të fotografëve, i cili ka synim që përmes të objektivave të tyre, t’i pasqyrojë bukuritë e vendit, po ashtu speciet e ndryshme që jetojnë në vendet tona”.

Projekti, prapa të cilit, përveç Dajakajt, qëndron edhe producenti Granit Hyseni, është realizuar krejtësisht me financimin privat të anëtarëve të shoqatës.

“Sa herë që dilnim në terren për të fotografuar, hasnim në shumë momente, fenomene, të cilat  shpeshherë ishin të pa mundura të dokumentoheshin vetëm nëpërmjet fotografisë.  Kështu që vendosëm dokumentimin e tyre edhe nëpërmjet filmimeve”, ka treguar Hyseni.

Ai, bashkë me Dajakajn, kanë bashkuar forcat edhe për skenarin e dokumentarit, me kohëzgjatje prej gati 45 minutash. Dajakaj gjithashtu ka pasur rolin e montazhierit, por edhe të kameramanit.

Për pamjet mahnitëse, përveç Granit Hysenit dhe Jeton Dajakajt, janë kujdesur edhe Meriton Dajakaj, Arian Mavriqi, Fatos Lajçi, Sefer Aliqkaj, Liridon Zejnullahu dhe Besnik Jakupi.