Kinostudio ‘Shqipëria e vjetër’, kryqi i devijuar i Moskës

Kinostudio ‘Shqipëria e vjetër’, kryqi i devijuar i Moskës

Cila është enigma që mbart struktura e godinës së ish- Kinostudios “Shqipëria e re” në librin studimor të  Gëzim Qendros, shtuar serisë së surrealizmit socialist? Cilat janë zbulimet e tij, analizat dhe interpretimet dhe përse u shpërfill nga regjimi arkitektura që në përfundimin e studiuesit ishte një program ikonografik kryekëput subversiv: me planimetri kishash me anijatë dhe transet, kube me perëndi pagane në kulm, me Gralin e shenjtë në hyrje, punëtorë e fshatarë të pikturuar në vend të shenjtorëve, guaska shatërvanësh dhe burime të shenja…

Arkitekti Endri Marku shpjegon se studimi nis nga një përvojë e tillë: me zbulimin befasues se, planimetria e ndërtesës tashmë historike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” ka formën e kryqit. Është një pamje e Kinostudios që ofrohet nga sateliti ku shquhet planimetria e pazakontë e saj. Kjo, në fakt, qarkullonte prej vitesh si një kuriozitet, përfshirë me mister mbi epokën staliniste me gjurmët e saj uzurpuese. Edhe pse dihej, si atëhere, dhe në këta vite askush nuk e ka artikuluar me zë të lartë, dhe përfshirja në një studim të tillë e bën edhe më domethënëse epokën e stalinizimit mbi Shqipërinë.

Nga ky zbulim, kritiku i njohur i artit shqiptar Gëzim Qendro shkruan: “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, “m’u shfaq vetë”.

Ky libër është një studim rreth arkitekturës dhe formave që ka ndërtesa që projektuan rusët dhe ku u vendos kinemaja shqiptare që i dha jetë propagandës dhe farkëtimit komunist të shqiptarëve.