
90 vjetori i lindjes së artistes, Xhanfise Keko u shënua edhe në Kosovë. Në Kinemanë ABC të kryeqytetit u shfaq filmi dokumentar i cili i dedikohet regjisores Keko me titullin “Koha e pelikulës”, i regjisorit Mevlan Shanaj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi u shpreh se mbetet i përkushtuar që të shënojë ngjarje të rëndësishme kulturore që afirmojnë më shumë shoqërinë tonë.
Ai veprat e Kekos i ka konsideruar si pikë modeli dhe reference për të gjitha brezat.
Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi duke e falënderuar MKRS-në për këtë organizim u shpreh se ka pasur obligim që të ia kushtojë një aktivitet të tillë një artisteje për filmat e së cilës kanë shfaqur interesim edhe regjisorët e huaj.
“Jam shumë i lumtur që interesi për filmat e saj kudo që është shfaqur si në Amerikë, Kanada, Francë, Izrael, Britani e Madhe, sot i shtohet edhe Kosova ku po organizohet ky aktivitet dedikuar të vetmes regjisore grua të kinemasë shqiptare…10’55 Aktiviteti i sotëm për Xhanfise Kekon është edhe një obligim i imi i madh që në radhë të parë buron nga fëmijët e mijë të cilët megjithëse sot janë bërë burra e ndjekin me shumë kërshëri, me shumë qejf filmat që i kanë parë para 20 viteve”, ka deklaruar Minxhozi.
Për meritat e regjisores Keko foli edhe regjisori i dokumentarit “Koha e pelikulës”, Mevlan Shanaj i cili vlerësoi se regjisorja Keko konsiderohet themeluese e ekranit të madh shqiptar.
Shanaj duke folur për vështirësitë e përzgjedhjes së imazheve të filmave të kësaj regjisoreje tha se ajo është e paarritshme dhe e “çmendur“ për punën e saj.
I biri i regjisores, Ilir Keko u shpreh se sa herë e shikon këtë dokumentar ka emocione sepse ka një marrëdhënie të dyfishtë me filmin.
Tha se ajo përmes fëmijëve i ka trajtuar dukuritë tabu të asaj kohë siç ishin divorci, demografia etj.
Në dokumentarin “Koha e pelikulës” u shfaqen pamje të filmave të regjisores Xhanfise Keko, dhe mendime të shumta të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve të huaj dhe shqiptar për regjisoren e parë shqiptare, Xhanfise Keko.
Xhanfise Keko u lind ne vitin 1928 dhe vdiq në vitin 2007. Ishte një regjisore e shquar shqiptare e shekullit të 20-të. Ajo ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri. Keko është gjithashtu edhe kineastja e parë femër në Shqipëri./ Insajderi.com