
Gjatë këtyre ditëve qëndrimi në Romë, kori Siparantum u paraqit në Chiesa di San Salvatore in Lauro (afër Vatikanit) Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, Roma, që u vlerësua lartë për nivelin e performancës.
“Padyshim që ky udhëtim është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne meqë ne performuam në kryeqendrën e artit botëror. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e korit, për këtë vërtetë ne kemi punuar gjatë por ja që puna u shpërblye me sukses. Më vjen mire që performanca e korit është pëlqyer nga të shumtë, prandaj kjo do të na hap rrugë të reja në të ardhmen”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.
Me korin është paraqitur po ashtu dirigjenti i mirënjohur kroat Josip Degl’ Ivellio me të cilin kori edhe më herët ka pasur bashkëpunim në Kosovë dhe Kroaci ndërsa ky është bashkëpunimi i katërt me radhë.
“Këto do të mbesin kujtimet më të bukura për gjithë ne. Ftesat e radhës tregojnë për nivelin dhe sukseset e arritura gjerë më tani. I falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin tonë. Rruga jonë muzikore sapo ka filluar”, u shpreh Fatmir Bajraktari, kryetar i korit
Rikujtojmë që kori Siparantum më parë është paraqitur me performanca të shumta në Kosovë, Kroaci dhe Francë./ Insajderi.com