Kosova synon OSCAR-in me filmin ‘Martesa’

Kosova synon OSCAR-in me filmin ‘Martesa’

Filmi “Martesa’ me skenar dhe regji nga Blerta Zeqiri, është propozimi zyrtar i Kosovës për kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ në çmimet OSCARS. Kështu ka vendosur komisioni përzgjedhës i Qendrës Kinematografike.

Filmi ‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Është fitues i dy çmimeve në Festivalin e Filmit në Talin.

Regjisori Isa Qosja, ka pohuar se filmi i propozuar është një tregim ndryshe nga ato që jemi mësuar apo detyruar t’i shohim tek ne.

“Përmban një strukturë disa shtresore dramaturgjike, aktorët i gjallojnë fatet e tyre në mënyrë të natyrshme dhe me mjaft emocione. Regjistra është gati e pavërejtur dhe kjo i jep këtij filmi rrjedhshmëri në perceptim të fabulës dhe përjetimit”.

Filmi ‘Martesa’ është prodhim i kompanisë ‘Beze’ me producent Kreshnik Berisha. Përveç QKK-së, “Martesa” është mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë. Në rolet kryesore të filmit janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.