Kosovo Rising Stars vjen më e fuqishme këtë vit në PriFest

Kosovo Rising Stars vjen më e fuqishme këtë vit në PriFest

Koncepti i ri i përgatitur si vazhdimësi e objektivës që ka Kosovo Rising Stars në kuadër të PriFest, për të përkrahur aktorët, këtë vit i përkrahur edhe nga fonde të Bashkimit Evropian, përmes European Film Festivals, do t’u jap një mundësi unike aktorëve nga Kosova që ata të kenë një numër takimesh dhe workshopesh me një grup të profesionistëve ndërkombëtar të kastingut (Casting Directors) që do të vijnë në Kosovë nga vende të ndryshme të Evropës.

“-Kemi një lajm fantastik për aktorët tanë, sepse këtë vit, në ditët e festivalit, sapo kanë konfirmuar që do të vinë në Prishtinë katër drejtor kastingu (Casting Directors) si dhe drejtoresha e programit Shooting Stars nga European Film Promotion, – shprehet Vjosa Berisha, Kryesuese e PriFest, dhe vazhdon: “- Në vazhdën e aktiviteteve që ne po zhvillojmë çdo vit për të ofruar më shumë përkrahje për filmbërësit tanë, patjetër që nuk kemi dashur t’I lëmë anash edhe aktorët, sepse kemi aktorë shumë të talentuar por kemi shumë pak mundësi që t’i plasojmë jashtë vendit.”

Ekspertët që do të jenë prezent, do të mbajnë një numër seancash të hapura dhe të mbyllura (speed-dating), takime individuale kokë më kokë, që t’u japin më shumë informata aktorëve se si mund të kenë casje në tregun ndërkombëtar, dhe njëkohësisht përmes takimeve ata do të kenë mundësi të hulumtojnë më për së afërmi talentin e aktorëve kosovarë.

“- Këtë vit vendosëm të shkojmë një hap më tutje, dhe me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian, përmes European Film Festivals, të ftojmë në Kosovë disa personalitete me ndikim në fushën e filmit në Evropë, në mënyrë që ata të njihen më mirë me talentin e aktorëve tanë, mu për arsye se kanë mundësi të limituara që të udhëtojnë jashtë vendit, të jenë aktiv në aplikime e audicione ndërkombëtare apo thjeshtë ta eksplorojnë më thellë mundësinë e angazhimit në filma jashtë Kosove – vazhdon më tutje Berisha.”

Aktorët e interesuar për të marrë pjesë në seancat e mbyllura, speed-dating, duhet të paraqesin kërkesën duke dërguar email në [email protected] me një biografi të shkurtër. Kushti për të marrë pjesë në takimin e mbyllur (speed-dating) është njohja e gjuhës angleze. Aplikimi është I hapur edhe për studentët e aktrimit në përfundim të studimeve. Numri i pjesëmarrësve është I limituar. Data për pranimin e biografive është 25 qershor 2019.

Kush janë ekspertët e kastingut (Casting Directors) që mund t’i takoni në PriFest këtë vit?

Jeremy Zimermann, Casting Director / Angli

Jeremy Zimermann është njëri nga Casting Director (drejtor kastingu) më të njohur nga Britania e Madhe. Ka punuar me produksione ndërkombëtare në 20 vitet e fundit me regjisor si Peter Yates, Ron Howard, Guillermo del Toro de Richard Attenborough. Është nominuar për Emmy Award në vitin 1995. Disa nga filmat në të cilët ka punuar janë Moon, Hellboy, Willow, Keeping mum, Africa United dhe Night train to Lisbon.