Henry Charles Bukowski, i njohur me pseudonimin Henry Chinaski, ka lindur më 16 gusht 1920 dhe ka ndërruar jetë më 9 mars 1994.
Ai ka ushtruar profesionin e shkrimtarit, dhe kryesisht të një poeti, pasi pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij është përqëndruar tek pjesa e poezisë. Ka shkruar edhe romane, si dhe novela. Përmbajtja e shkrimeve të tij ka qenë kryesisht e bazuar në jetën e tij, e cila është jetuar mes raporteve të shumta seksuale (të përshkruara me realizëm dhe pa eufemizma nga autori), marrëdhënieve jo të mira me njerëzit dhe një varësie të theksuar nga alkooli.
Më poshtë do të lexoni një nga poezitë më të bukura dhe më të veçanta të tij, pasi rrallëherë e shohim autorin të shkruajë mbi fuqinë e Zotit:
“Kur Zoti krijoi dashurinë”
Kur Zoti krijoi dashurinë nuk na ka ndihmuar shumë,
kur Zoti krijoi qentë nuk i ndihmoi shumë qentë,
kur Zoti krijoi pemët gjithçka dukej brenda normales,
kur Zoti krijoi urrejtjen na ka dhënë diçka normale e të vlefshme,
kur Zoti më krijoi mua, më krijoi mua,
kur Zoti krijoi majmunin, ishte duke fjetur,
kur Zoti krijoi gjirafën, ishte i dehur,
kur Zoti krijoi të droguarit, ishte euforik,
dhe kur krijoi vetëvrasjen ishte në Tokë.
Kur të krijoi ty në shtrat ditën e lindjes,
e dinte se çfarë po bënte.
Ishte i dehur dhe euforik,
dhe krijoi mallet, detin dhe zjarrin
në të njëjtën kohë.
Mund të ketë bërë ndonjë gabim,
por kur të krijoi ty në shtratin e lindjes,
mori pjesë gjithë Universi i Shenjtë.