Kush do ta udhëheq dialogun, Hoti apo Thaçi?

Çështja e dialogut mbetet shumë e paqartë sesi do të zhvillohet. Do të jetë primare roli i Qeverisë apo Presidentit që në fund kjo marrëveshje ratifikohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kush do ta udhëheq dialogun, Hoti apo Thaçi?

Dialogu me Serbinë përpos përmbajtjes duket që do të jetë problem dhe çështja e krye-negociatorit. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i dha një përparësi presidentit Thaçi që ai të merret me dialogun, ndërsa Albin Kurti si kryeministër kishte probleme serioze me përfaqësimin e mundshëm të Thaçit në dialog të cilin e kundërshtoi ashpër.

Dje kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti prezantoi platformën për dialogun kur tha që ai do të jetë krye-negociatori i dialogut Kosovë-Serbi.

““Dialogun e udhëheq kryeministri i vendit. S’do të bëjë garë, sepse kompetencat e mija janë të qarta për procesin e dialogut”, tha Hoti.

Sot, presidenti i Kosovës pas homazhëve tek statuja e heroit kombëtar, Zahir Pajaziti tha se nuk ka diskutim se kush do të jetë udhëheqës i dialogut.

““Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve të Kosovës. Duhet të kete energji pozitive nuk jemi në garë. Presidenti përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, kompetencat janë të qarta nuk ka asnjë dilemë se kush duhet të udhëheqë dialogun”, ka thënë Thaçi.

Dialogu Kosovë-Serbi është kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Një marrëveshje finale në mes dy vendeve po diskutohet shumë dhe në arenën ndërkombëtare.

Pajtimi i dy vendeve me konflikt  të gjatë e të thellë historik shihet ngjarje shumë e madhe sidomos në një zonë gjeografike si Ballkani që është karakterizuar gjithmonë si “zonë lufte”. /Insajderi/