Kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë?

Kosova ka qeveri të re, por përkundër kësaj ende ka paqartësi se kush do të jetë udhëheqësi i dialogut me Serbinë. Qeveria e Kosovës, rrjedhimisht kryeministri i vendit, apo presidenti? Për këtë është pyetur sot edhe Hashim Thaçi. Përgjigja e tij nuk sqaroi shumë.

Kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë?

Prejse Hashim Thaçi është bërë presidenti i Kosovë ka filluar një dualitet kompetencash që më herët nuk është parë në politikën kosovare.

Gjithmonë kryeministri ka qenë figura kryesore politike në të gjitha aspektet edhe në atë të jashtme e sidomos në dialogun me Serbinë, por figura e Thaçit e ka ri-pozicionuar edhe postin e presidentit.

Tashmë ka paqartësi të vazhdueshme se kush duhet të jetë udhëheqës i dialogut me Serbinë, presidenti i vendit apo kryeministri.

Pikërisht kjo ka qenë edhe tema për të cilën kanë pasur zënka në distancë ish-kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Thaçi.

Prandaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot nga Thaçi, e pashmangshme ishte pyetja në drejtim të tij se kush i prinë delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, që pritet të rikthehet në ritmet e veta normale, pas largimit të reciprocitet nga qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Thaçi është përgjigjur, por duke dhënë një përgjigje të tërthortë, njofton Insajderi.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë. Përballë Serbisë kemi qenë gjithmonë të bashkuar, edhe si institucione edhe si individë. Ne kemi pasur gjithmonë një platformë të qartë që lëviz procesin përpara”, ka pohuar ai.

“Jam optimist se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur”, ka shtuar Presidenti, duke vënë theksin tek rëndësia e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin dialogues.

“Kam besim në lidershipin e Trump dhe Grenell”.

Thaçi ka përmendur edhe Serbinë në përgjigjen e tij.

Ka thënë se Serbia ka obligime ndërkombëtare dhe se nuk mund të parashikojë veprimet e ardhshme të liderëve politik të Beogradit./Insajderi.com