
Dakordimi kaq i shpejtë dhe në parim, i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për bashkëqeverisjen, si rezultat i votës së qytetarëve, jep shpresë në një lloj tjetër të politikë-bërjes, kështu ka thënë kandidatja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besa Luzha.
Luzha, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit kandidoi nga radhët e koalicionit AAK-PSD ka mirëpritur takimin e Kurtit e Osmanit, duke thënë se ky takim vulos nivelin e lartë qytetar dhe demokratik që u tregua në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Insajderi.
“Shpresoj që ky dakordim të përkthehet sa më shpejt në institucionet demokratike dhe politikat e mirëfillta në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruan Luzha në rrjetin e saj në Facebook.
Mes tjerash, ajo ka thënë se shpreson që opozita në Kuvend dhe shoqëria civile të jenë një opozitë të mirëfilltë e konstruktive, mbikëqyrëse dhe korrektuese, sepse vetëm kështu i ofrohemi standardeve më të larta të demokracisë dhe politikëbërjes.
Me “Kosovë, të priftë e mbara”, ka përfunduar ajo shkrimin duke uruar për Qeverinë e re. /Insajderi.com