Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj, i cili vizitoi ministren për t’i uruar marrjen e detyrës dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Siç njofton kumtesa zyrtare e MKRS-së, Dumoshi falënderoi tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës në përgjithësi, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë si dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë.
Ndërkaq, nga ana e tij, Lahaj, tha se “është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë”.
“Po ashtu, ministrja Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.