Lëngu i kockave të ziera si mënyrë për të rritur sasinë e kolagjenit

Lëngu i kockave të ziera si mënyrë për të rritur sasinë e kolagjenit

Trupi i njeriut vazhdimisht prodhon kolagjen i cili bën riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga radikalet e lira, duhanpirja, dielli dhe ndotja.

Nga mosha 35 deri në 40 prodhimi dhe cilësia e kolagjenit në trupin e njeriut fillon e zbehet dhe si pasojë fillojnë të dobësohen kockat, lëkura, ligamentet etj.

Mëgjithatë përmes ushqimit të duhur ne mund ta forcojmë sasinë e kolagjenit në trup. Një prej ushqimeve më të mira në këtë aspekt është lëngu i kockave.

Lëngu i kockave përpos faktit që është një prej burimeve më të mira të kolagjenit, përmban proteina dhe minerale në sasi të lartë, si kalciumi dhe fosfori.

Konsumimi i lëngut të kockave është sekret bukurie i shumë të famshmëve, sikur Kylie Jenner, e cila e pi në bazë ditore.

Nëse e përdorni për një kohë lëngun e kockave do të vëreni se lëkura juaj do të jetë më e ushqyer, elastike, e butë, rrudhat do të zbuten dhe do t’i kthehet shkëlqimi rinor.

Lëngu i kockave poashtu preferohet për problemet e vazhdueshme me akne.

Mënyra e pregatitjes së supës me lëng kockash:

Përbërësit

1 kg ose më shumë kocka

1 qepë

2 karrota

2 kërcenj selinoje

2 lugë gjelle me uthull molle

1 tufë majdanoz,

1 lugë gjelle me kripë deti,

erëza sipas dëshirës.

Mund të shtoni edhe dy thelbinj hudhër në 30 minutat e fundit të zierjes.

Udhëzimet

Nëse jeni duke përdorur kocka të mishit të viçit, piqni në furrë si fillim për 30 minuta në një temperaturë prej 180 gradë Celcius. Vendosini kockat në një tenxhere të madhe. Hidhni ujë dhe uthull. I lini të qëndrojnë për 20-30 minuta.

Acidi i uthullës do të ndihmojë në çlirimin e shpejtë të ushqyesve të kockave. Prisni perimet (përveç majdanozit dhe hudhrës) dhe shtojini në tenxhere. Hidhni kripën, piperin, dhe erëzat e tjera. Vendoseni tenxheren në zjarr. Në përfundim të zierjes së parë, uleni temperaturën dhe lëreni lëngun të vazhdojë zierjen e ngadaltë për 8 orë. Gjatë orëve të para, do t’ju duhet të largoni papastërtitë që lundrojnë në sipërfaqe. Në të do të formohet një shtresë shkume që mund të hiqet thjesht me një lugë. Kontrollojeni tenxheren çdo 20 minuta gjatë 2 orëve të para./Insajderi.com

Burimi: Agroweb