Shkruan: Diana Çuli, shkrimtare shqiptare
Pa dyshim, një roman i Edmond Tupes, si një autor origjinal, i beftë, zbavitës e njëherazi tragjik, aq më tepër i reklamuar dhe i trumbetuar bujshëm si roman erotik, tërheq me një herë vëmendjen. Të kap Enisin është botuar së fundmi nga shtëpia botuese PEGI dhe ka patur jetën e tij të shpejtë vezulluese, si pak romane që dalin rëndom në libraritë.
Do ta quaja një roman tërësisht erotik ? Do të përgjigjesha : jo. Nuk është një roman erotik në kuptimin klasik të fjalës. Po çfarë është romani erotik ? Letërsia erotike ? Seksualiteti është riprodhuar që nga thellësitë e shekujve në të gjitha format e artit njerëzor. Dhe, letërsia nuk ka bërë përjashtim, por, gjithsesi ajo është një gjini më vete. Për një kohë të gjatë me të janë marrë amatorë që nuk kanë hyrë dot në piedestalin e « letërsisë së vërtetë ». Letërsia e krijuar në shekujt e mëparshëm e llojit të Sade-it gjykohej herë me tmerr e herë me neveri, si një vështrim në skutat më të ulëta të shpirtit dhe të veprimit njerëzor.
Në dekadat e fundit, gjërat kanë ndryshuar shumë. Kritika letrare perëndimore, më së shumti e sheh interesimin për tekstet erotike si një afrim më të thelluar me misterin e seksualitetit të njeriut, si një thyerje të atyre tabuve që, në jetën reale ndoshta ne nuk do t’u aviteshim kurrë, si të preknim vetë fantazmat që jetojnë brenda nesh.
Edmond Tupja e ka lëvruar edhe më parë këtë lloj letërsie, por veprat e tij nuk mund të quhen thjesht “erotike” sepse, pikësëpari, ato janë vepra letrare me në qendër personazhet e tyre që jetojnë një jetë si gjithë të tjerët dhe kanë probleme dhe halle e tyret, si gjithë të tjerët.