Të gjitha bukuritë e natyrës duket sikur janë mbledhur aty, në Parkun Rajonal të Ulzës, ku ndodhen Liqeni i Ulzës dhe ai i Shkopetit.
Mali, lumi, liqenet, gjelbërimi, rrugët gjarpërushe që të sfidojnë, uji i kulluar që të shoqëron në çdo hap tëndin dhe jo vetëm, të krijojnë idenë se një piktor lozonjar ka lodruar me fantazinë e tij dhe ka dhuruar një pamje piktoreske, mjaft tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj. Vizitorë të cilët mund të gjejnë në këtë zonë të vendit, jo larg kryeqytetit gjithçka, nga ngjitjet në mal (Climbing), ecja në natyrë, tek noti, banja e diellit, tek peshkimi apo dhe udhëtimet me varkë. Në Ulzë mund të shijosh kuzhinën tradicionale të zonës, punimet artizanale, karakteristikë të zonjave të zonës.
Për të mbërritur në Parkun Rajonal të Ulzës, nga Tirana, do të duhet të udhëtosh rreth 68,4 kilometra, apo 1 orë e 28 minuta me veturë.
Nga qendra e Tiranës do udhëtosh në Kamëz, Krujë, Laç, dhe prej andej do marrësh drejtimin e Miloti. Më pas do të marrësh segmentin rrugor që të drejton për në qendrën e fshatit Ulzë.
Teksa udhëton në rrugët gjarpërushe, pak metra larg rrugës kryesore, që të çojnë tek qendra e qytezës së Ulzës ku ndodhet një Kishëz e vogël, përjeton një udhëtim në histori.
Ndërtesat e vjetra, kisha dhe qendra e qytezës, ku dhe është ndjerë dora e Rilindjes urbane. Banorët e zonës që gjen atje, menjëherë të rrëfejnë historinë e vendit dhe theksojnë se, investime e bëra së fundmi kanë rritur vizitorët. Po ashtu ato të tregojnë rrugën që duhet ndjekur për të shkuar në qendrën e parkut rajonal të ulzës, ku mund të gjesh dhe gërmadha të stilit otoman.
Parku Natyror Rajonal Liqeni Ulzës është një park tepër i vizitueshëm në periudhën e verës. Ndërkohë që sipas burimeve nga Bashkia e Matit, vizitorët të shumta shfaqen dhe në Dimër për shkak të promovimit. Sipas statistikave, rezulton se janë rreth 300 vizitorë në muaj, teksa mësohet se turizmi në këtë zonë ka pësuar një rritje me 30% krahasuar me vitin e shkuar, çka ka shtuar të ardhurat për banorët e zonës.
Sipas censusit të vitit 2011 në këtë zonë jetojnë rreth 1 229 persona, të cilët bazojnë të ardhurat e tyre tek turizmi i zonës, punimet artizanale, që i shesin sërish tek turizmit, por dhe sektorin e shërbimeve.
Parku natyror Rajonal ka një sipërfaqe prej 4.206 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, të cilat janë zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit.
Në zonën në fjalë festohet festa e “Shën Markut”. Ulza ofron shumë mundësi për turizëm, ku mbizotërojnë kryesisht peizazhet panoramike. Janë 8 rrjete te shoqatave mjedisore, që merrem me Parkun Natyror të Ulzës, që punojnë për njohjen dhe promovimin e vlerave të këtij parku. Festa e “Shën Markut” është një ndër festat tradicionale të zonës, jepet Mesha në qendër të Ulzës,organizohen panaire me gatimet e zonës dhe është një mënyrë e mirë për tu treguar mysafirëve se çfarë ofron Ulza.
Kulinaria është e pasur. Gatimet tradicionale të zonës Ulzë, janë tavë peshku, nga liqeni i Ulzës, bukë e bërë vetë me misër, byrek, tollum, kek e ëmbëlsira të tjera. Karakteristikë tjetër e zonës është përdorimi i shumë bimëve aromatike, medicinale që i mbledhin vetë nëpër male, si edhe dëllenja, dafina, që i përdorin dhe për çajra.
Punimet e dorës janë një tjetër karakteristikë e grave të Ulzës, të cilat edhe pse kanë dalë në pension nuk munden të shkëputen nga kjo traditë e vjetër me të cilën janë rritur. Ndaj dhe këmbëngulin t’ua trashëgojnë edhe vajzave të tyre.
Veshja popullore tradicionale e Ulzës është mjaft e veçantë, bie menjëherë në sy pasi dominon ngjyra e kuqe dhe lule të shumta. Të bie në sy dhe kapelja me strehë trekëndëshi që shkon shumë me një model flokësh të kapura gërshet rreth e përqark kokës.