“Lufta ime e fshehtë” filmi për luftën në Kosovë me premierë në Arizonë të SHBA-së

“Lufta ime e fshehtë” filmi për luftën në Kosovë me premierë në Arizonë të SHBA-së

Në kinemanë Pollack Tempe Cinemas, të qytetit Tempe të Arizonës u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër “Lufta ime e fshehtë” (“My Sekret War”). Skenariste dhe producente është Rina Hajra, e cila në këtë film luan dhe rolin kryesor.

Rina është një vajzë e re shqiptare, e cila gjatë luftës ishte detyruar që së bashku me familjen, si mijëra shqiptarë të tjerë, ta lëshonte Kosovën për t’i shpëtuar gjenocidit serb dhe kishte ardhur refugjate në SHBA.

Regjinë e ka bërë Kevin R. Phipps, kurse rolet kryesore i luajnë Harlie Phipps, David Aulov, Jason Isaak, Andreë DeCarlo, Shane Dean, Jared Keesling, Kristina Sabbagh e të tjerë. Kameraman është Nicholas Fornëalt, autor i muzikës Bruce Bray, kurse producent ekzekutiv Allen Valor.

Filmi u shfaq më 14 mars 2019 për afro 200 mysafirë të ftuar (shqiptarë e amerikanë), ku ishin të pranishëm edhe pothuaj gjithë ekipi realizues i filmit. Para fillimit të shfaqjes së filmit, Rina Hajra, e cila pasi ka përfunduar studimet për drejtësi e aktrim në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), aktualisht është studente e shkallës së tretë, dega e aktrimit (njëherësh dhe mësimdhënëse), në Universitetin Shtetëror të Ohajos (Ohio State University), falënderoi gjithë ekipin e filmit për punën e madhe që kanë bërë si dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar materialisht realizimin e këtij projekti të filmik.

Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë gjatë luftës. Filmi përqendrohet në psikologjinë e njeriut, se si ai gjen forcë që t’i tejkalojë tragjedinë edhe sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Mision i filmit është që t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqësorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe të kenë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.

Pas përfundimit të filmit që u prit me duartrokitje të gjata, po edhe me lot, pasuan pyetje të shumta për autoren e filmit, e cila u përgjigjej me shkathtësi. Krejt në fund, pasi spektatorët e kishin mbuluar Rinën me tufa lulesh të freskëta, të gjithë dolën në hollin e kinemasë ku ishte shtruar tapeti i kuq dhe bënë fotografi të shumta me autoren e filmit dhe me anëtarë të tjerë të ekipit të filmit./Insajderi.com