Veprimtaria do të zhvillohet në datën 24 janar 2019 ora 12.00, pranë Pavijonit të Mesjetës Shqiptare të Muzeut Historik Kombëtar.
Muzeu Historik Kombëtar, më 24 janar me fillim nga ora 12:00, organizon veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe të dhënat epigrafike të tij”.
Një kënd i posaçëm në Pavijonin e Mesjetës Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar i është kushtuar Portalit të Kishës së Shën Gjon Vladimirit, Elbasan.
Manastiri ishte qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe. Aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të njohura si, Dhaskal Todri dhe Imzot Visarion Xhuvani. Në murin jugor të manastirit të Gjon Vladimirit gjendet stema e Karl Topisë e gdhendur nga Dhimitër Shpati.
Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët.
Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.
“Një ditë me kuratorin!” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën.
Veprimtaria do të zhvillohet në datën 24 janar 2019 ora 12.00, pranë Pavijonit të Mesjetës Shqiptare të Muzeut Historik Kombëtar./Insajderi.com