Mbi 30 mijë njerëz kanë firmosur deri më tani peticionin ‘online’ të hapur kundër shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili u shpall së fundmi fitues i çmimit Nobel në let�" />

Mbështetje masive për peticionin kundër Peter Handke

Mbështetje masive për peticionin kundër Peter Handke

Mbi 30 mijë njerëz kanë firmosur deri më tani peticionin ‘online’ të hapur kundër shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili u shpall së fundmi fitues i çmimit Nobel në letërsi.

Peticioni i drejtohet Akademisë Suedeze dhe kërkon që austriakut t’i hiqet vlerësimi pasi “njihet në mbarë botën për mbrojtjen e vazhdueshme për kriminelin serb”, Sllobodan Millosheviç.

Edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë i është drejtuar me një letër Akademisë së Suedisë ku thuhet se është e detyruar të largohet nga mirësjellja formale dhe të shprehet me këtë kontestim publik, që u bashkohet shumë kontestimeve të tjera.

“Këtë vit ne jemi të detyruar të shprehim qëndrimin tonë, sepse kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të duksme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”, theksohet në letrën e ASH, shkruan Insajderi.

ASH thekson se “ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai (Handke) i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.”

Në fund të letrës, Akademia e Shkencave e konsideron vlerësimin për Peter Handke si dhunim të vlerave njerëzore.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht. Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore”, shprehet ASH.