“DokuFest” ka shpallur programin e filmave garues për edicionin e 18-të, i cili do të mbahet nga data 2 – 10 gusht në Prizren. Pjesë e programit të sivjetshëm do të jenë mbi 100 filma e dokumentarë. Po ashtu pjesë e garës janë edhe një përzgjedhje e veçantë e filmave të shkurtër dhe të kinemasë eksperimentale që vijnë nga 40 shtete të ndryshme. Kjo njëkohësisht edhe e karakterizon programin e këtij edicioni. Kjo është potencuar edhe në komunikatën e festivalit.
“Ajo që e shquan këtë vit është edhe numri i madh i regjisorëve, filmat e të cilëve do të debutojnë për herë të parë nëpër seksionet e ndryshme garuese të festivalit, si dhe regjisorë që marrin pjesë për të satën herë me radhë”, është shkruar në komunikatë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mirëpo Festivali edhe pse ka shpallur programin garues të filmave akoma nuk ka bërë të ditur programet e tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World, si dhe një program të kuruar enkas për temën qendrore të festivalit “E vërteta”.
Këtë vit, i cili është dominuar nga histeria e lajmeve të rreme, “DokuFest” i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo ndikon tek të tjerët, duke zgjedhur “Të vërtetën” si temë të edicionit të 18-të të Festivalit.
Veton Nurkollari, drejtor artistik i Festivalit, ka thënë se ky edicion do të sjellë më shumë se 200 filma, ku 10 prej tyre zbërthejnë edhe drejtpërdrejt temën e sivjetshme. Ndërsa për filmat pjesë të programit garues ai i ka konsideruar të guximshëm dhe inovativë.
“Të guximshëm dhe inovativë, të kohës dhe të rëndësishëm, kështu do t’i përshkruaja shumë nga filmat e programit garues të sivjetmë”, ka thënë ai.
Këtë vit në kuadër të Festivalit do të jenë gjashtë programe garuese: Gara e dokumentarëve të Ballkanit, gara e dokumentarëve ndërkombëtarë, ajo e filmave të shkurtër, gara e dokumentarëve për të drejtat e njeriut, e dokumentarëve të mjedisit dhe gara kombëtare.
Në kuadër të programit për garën kombëtare do të shfaqen trembëdhjetë filma. Njëmbëdhjetë prej tyre janë edhe në garë si” “The Path” me regji të Besim Ugzmajlit, “On The Road” nga Irdit Kaso, “Through the Mind” nga Nita Zeqiri, “Seam” nga Leart Rama, “BE A MAN” nga Pierre – Kastriot Jashari, “Decision” nga Agim Abdula, “Les Rouflaquettes” nga Endi Tupja e të tjerë.
“DokuFest” vazhdon misionin e tij për të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Kosovë dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur që këtë vit mirëpresim një numër të filmbërësve të rinj, si dhe të atyre që rikthehen prapë për këtë edicion të festivalit”, ka thënë Nurkollari.
Këtë vit në garën e dokumentarëve të Ballkanit do të shfaqen katërmbëdhjetë dokumentarë, numër ky që është i përafërt edhe me kategoritë e tjera.