Më 2 gusht do të nisë edicioni i 18-të i festivalit të filmit DokuFest, i cili do të zgjasë deri më 10 gusht, dhe para publikut janë zgjedhur të shfaqen 282 filma, si dhe muzikë e panele të ndryshme ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës. Tematika e këtij edicioni është zgjedhur të jeta e vërteta.
Drejtoresha e festivalit “DokuFest”, Nita Deda tha se këtë vit ky festival do të ketë një program të larmishëm duke përfshirë ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.
“Është një program masiv prej 280 filmave të përzgjedhur prej mijëra filmave sa kanë aplikuar të jenë pjesë e festivalit sivjet, prej një programi të fotografisë që do të shënohet me një ekspozitë të fotografive dhe që do të jetë e hapur për qytetarët, me një program po ashtu të muzikës, e cila shtrihet në katër skena të ndryshme dhe do të përfshijë muzikë prej isopolifonis e deri te muzika eksperimentale elektronike, me një festival të fëmijëve që sivjet vjen me një program masiv të filmave të kategorive të ndryshme”, tha ajo.
Drejtori artistik i ‘DokuFest’, Veton Nurkollari, tha se nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 sish që do jenë të garojnë në gjashtë kategori.
Sipas tij, risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të Prizrenit.
Nurkollari u shpreh se edhe këtë vit ‘DokuFest’ do të ketë një festival muzikor që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.
“Prej tyre 160 filma janë në gjashtë kategori garuese. I kemi përzgjedhur prej 2500 filmave që kanë aplikuar. Aty ka filma interesantë, shumica janë të rinj ose të këtij viti ose të vitit të kaluar. Jemi munduar të sjellim atë që po mendojmë se është më e mira që është prodhuar jo vetëm në Kosovë, rajon, por edhe në botë. Po ashtu, do të kemi edhe disa filma cilësorë që kanë fituar çmimin Oscar ose kanë qenë të nominuar për çmimin Oscar, ose i kanë fituar festivalet më prestigjioze në botë duke filluar nga festivali i Kanës e Venedikut. Do të sjellim disa njerëz nga këto festivale të rëndësishme, qoftë anëtarë të jurisë, qoftë njerëz që do të marrin pjesë në biseda, panele, diskutime, masterclass. Për mendimin tim është një prej festivaleve më të mira që kemi bërë brenda këtyre 18 vjetëve të fundit”, tha ai.
Drejtori artistik njoftoi po ashtu se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë.
Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha e programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë viti. Ai tha se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore.
“Ky program përmban temat që trajtojnë sidomos migrimin, çështje gjinore, racizmin e kështu me radhë. Pra, vlen të ceket se në mes të këtyre 30 filmave, diku rreth 50 për qind e autorëve do të jenë prezentë. Pra, ky është një sukses tjetër që mund ta vlerësoj si sukses pasi që edhe ajo është një pjesë tjetër e rëndësishme. Sa i përket garës kombëtare, sivjet i kemi 11 filma që do të garojnë për çmimin kombëtar dhe çmimin e distribuimit, prej tyre 5 do të jenë premiera botërore që do të shfaqen për herë të parë në DokuFest. Kemi konfirmimin të gjithë autorët prezentë do të jenë…Dua ta përmend edhe programin për fëmijë që e kemi zgjeruar në një format më të gjerë ku për çdo mëngjes prej orës 10:30 deri në 11:30 për fëmijët deri në moshën 14-vjeçare kemi shfaqje speciale. Të gjitha shfaqjet janë pa pagesë, pra për ata që vijnë në Prizren mund të konsiderojnë se ka aktivitete edhe p ër fëmijët e tyre”, tha Karahoda.
Linda Llulla, drejtoresha ekzekutive e ‘DokuFest’, u shpreh se krahas filmave dhe muzikës, publiku do të mund të argëtohet dhe edukohet edhe përmes paneleve të ndryshme që synojnë fuqizimin e të rinjve për tregun e punës.
“Pos filmave dhe muzikës gjatë festivalit, ne organizojmë edhe panel diskutimi, master class dhe workshope që kanë të bëjnë me film-bërje. Derisa panelet diskutojnë, dy panele për shembull do të trajtojnë temën e festivalit ‘Të vërtetën edhe e vërteta në media’, dhe një panel tjetër do ta trajtojë fuqizimin e të rinjve, përgatitjen e tyre për tregun e punës, ku storie e suksesit është se ‘DokuFest’-i ka çdo vit diku rreth 150 vullnetarë dhe disa prej tyre i trajnojmë për pozita të ndryshme, që ne kemi nevojë për festival dhe vitin e ardhshëm ata punësohen te ne në festival”, tha ajo.