fbpx

Ministria e Integrimeve thotë se nuk ka vendosur ajo për 15 milionë eurot e Sallës Koncertale në Prishtinë

Ministria e Integrimeve thotë se nuk ka vendosur ajo për 15 milionë eurot e Sallës Koncertale në Prishtinë

Pas ridestinimit të fondeve të BE-së për ndërtimin e Sallës Koncertale në Prishtinë, ka reaguar Ministria e Integrimit Evropian (MIE), përmes një komunikate për media, duke thënë që MIE nuk është institucion që bënë ridestinimin e mjeteve të BE-së, shkruan Insajderi.

“Dëshirojmë të informojmë opinionin publik që Ministria e Integrimit Evropian (MIE) nuk është institucioni që bën ridestinimin e mjeteve të BE, prandaj nuk është fare e vërtetë që MIE ka kërkuar nga BE ridestinimim e mjeteve financiare të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve” thuhet në komunikatë.

Nga kjo ministri kanë thënë se menaxhimi i fondeve të BE-së në Kosovë është i formës së centralizuar, që sipas tyre, BE është ajo që vendos për fonde të saj e jo Kosova. Në komunikatën e tyre, thuhet se kanë punuar shumë me Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për të gjetur lokacionin e nevojshëm për ndërtimin e sallës, mirëpo nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Meqë lokacioni i propozuar nga Komuna e Prishtinës nuk i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet pronësore juridike, Zyra e BE-së na ka njoftuar që mjetet financiare që ishin të parapara për ndërtimin e sallës së koncerteve në kuadër të pakos IPA 2019, do të ridestinohen për Dekomisionimin e Kosovës A, projekt ky po ashtu në kuadër të IPA 2019 dhe i cili sipas vlerësimeve paraprake të Zyrës së BE-së po del të jetë më i shtrenjtë se sa ishte paraparë”, njoftojnë ata.

Sipas MIE, mjetet financiare nuk janë humbur dhe se kjo ministri qëndron prapa asaj që BE-ja ka vendosur për këtë ridestinim.

Bashkimi Evropian kishte ofruar një donacion prej 15.4 milionë eurosh për ndërtimin e Sallës Koncertale në Prishtinë, por kishte pasur polemika të shumta për vendin se ku do të ndërtohet kjo sallë.

Fillimisht, Salla Koncertale ishte planifikuar të ndërtohet në objektin e ish-Gërmisë në qendër të Prishtinës, por ishte kundërshtuar dhe ishte nënshkruar edhe një peticion i cili kërkonte të mbrohej objekti i ish-Gërmisë, pasi ai cilësohet si një nga objektet më ikonike në kryeqytet./ Insajderi.com