Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka reaguar lidhur me postimin e anëtarës së VV-së, Donika Gashit në të cilin ajo fyen anëtarët e komunitetit LGBTI.
Drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Xhevat Bajrami, ka thënë se postimi i Donika Gashit është qëndrim për të cilin distancohet Departamenti i Rinisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Nga ajo cfarë kam kuptuar është se një deklarate e tillë është bërë në llogarinë personale në facebook të znj. Gashi dhe ky qëndrim për të cilin distancohet Departamenti I Rinisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është qëndrim personal dhe nuk përfaqëson qëndrimin e departamentit apo institucionit ku punon znj. Gashi”, ka thënë Bajrami për Insajderin.
Ndërsa lidhur me masat që do të merren ndaj anëtares së VV-së që poashtu është zyrtare në MKRS, Donika Gashit, për fyerjen që ia ka bërë komunitetit LGBTI, Bajrami ka thënë se organet përkatëse pranë MKRS në përputhje me legjislacion në fuqi do ta adresojnë dhe trajtojnë çështjen në fjalë.
Edhe Vetëvendosje është distancuar nga qëndrimet e anëtares së saj, Donika Gashi.
Pas raportimit të Insajderit lidhur me postimin fyes të Gashit kundrejt komunitetit LGBTI, ajo ka fyer edhe gazetarët e Insajderit.